Nis sesioni i ri parlamentar, Rama: Listat hapen 100% vetëm nëse garantohet ekuilibri gjinor! Detin e shiti Meta, Basha e Berisha, Monikës i mungonin lopatat në atë kohë! Sa të jem unë, s'ka cenim të interesave kombëtare

TIRANË-Sesioni i ri i kuvendit të Shqipërisë ka mbledhur ditën e sotme deputetët pas pushimeve verore. Në këtë sesion, deputetët do duhet të ngrenë kartonin për një sërë çështjesh të rëndësishme në funksion të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm. Riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është pikënisja e punës për palët duke qenë se 19 tetori duhet ta gjejë KQZ  dhe me anëtarë të rinj.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama tha se pikat kyçe me të cilat parlamenti do të vijojë të punojë me ritme të shpejta janë edhe hapja e listave dhe përcaktimi i koalicioneve parazgjedhore në Kodin Zgjedhor në një listë të vetme. Rama tha se do arrihet që këto të dyja të bëhen me konsensus maksimal, por që nuk mund të presë përjetësisht. Në lidhje me hapjen e listave 100 %, Rama tha se kjo do të behet vetëm nëse gjendjet mekanizmi për të siguruar ekuilibrin gjinor.

Gjithashtu Rama u ndal gjerë e gjatë tek akuzat e opozitës se ka shitur detin duke thënë se këto akuza vijnë pikërisht nga ata persona që me firmë e vulë vendosën cenimin e  interesave kombëtare dhe se Gjykata Kushtetuese i shpalli fajtor. Rama tha se ishte Berisha, Basha e Meta që shitën detin, ndërsa nuk munguan dhe ironitë për Monika Kryemadhin kur shoti se në atë kohë asaj i mungonin lopata dhe nuk mund ta fusë në një varkë me ata që bënë atë marrëveshje të dëmshme për Shqipërinë.

Në hapje të sesionit parlamentar foli edhe kreu i parlamentit Gramoz Ruçi, i cili kërkoi se Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet funksionale dhe më 21 janar të 2021 të ketë filluar punën.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të ndodhur në Washington nën ndikimin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, u përshëndet nga parlamenti shqiptar duke e cilësuar si arritje, ndërsa Edi Rama tha se e vetmja gjë e re e saj ishte njohja nga Izraeli i Kosovës dhe se deri tani shqiptarët kanë humbur kohë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:32
'Mos fluturoni me zarzavate e perime', Rama ironi me Gjuzin: Ti je mbret po s'ke potencë! Marrëveshja për detin, s'është kamion me 12 litra ujë që kalon natën

Nisja e sesionit të ri parlamentar ka sjellë sërish batutat mes Kryeministrit Rama dhe Kujtim Gjuzit. Rama duke iu drejtuar atij si Naltmadhni, tha se të mos fluturojë me zarzavate e perime, pasi nuk ka asnjë marrëveshje për detin me Greqinë.

Këto batuta u bënë gjatë kohës që kryeministri po fliste, ndërkohë që Kujtim Gjuzi i ndërpriste fjalën nga vendi i tij në Kuvend.

"Naltmadhni unë nuk fus njeri në burg, partia nuk fut njerëz në burg, kur e bën këtë duhet të jesh ose mbret me potencë ose duhet të jesh në një parti-shtet. Unë nuk jam asnjëra. Kurse ti po, je mbret por ske potencë.  Për sa kohë kemi tru-peshk që e hanë karremin tuaj dhe të Saliut e Lulit e Ilirit dhe Monikës që ka ardhur dita të mbrojmë detin. Fjala e kryeministrit të Greqisë për t'u shtrirë 12 milje nuk ka lidhje me Shqipërinë, që ta dini ju që e doni kaq shumë Shqipërinë që se dini sa kilometër katror ka në të vërtetë nuk ka hapësirë fizike aty ku gjendjet hapësira ndarëse mes Greqisë dhe Shqipërisë. Prandaj mos fluturoni me perime e zarzavate. S’ka marrëveshje me Greqinë, pasi nuk është kamion me 12 litra ujë dhe ka kaluar natën pa u marr vesh. Sa të jem unë në këtë detyrë harrojeni ", tha Rama.

Ora 19:16
Murrizi: Reforma në drejtësi të ecë përpara dhe të përmbyllet Kodi Zgjedhor

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi në sesionin e ditës së sotme në kuvend bëri apel që Reforma në drejtësi të ecë para dhe të përmbyllet Kodi Zgjedhor. Ai tha se në kuvend se do të garojë me lista të hapura bashkë me kolegët e tij.
 
“Meqë kryetari i shtetit pasi u konsultua caktoi 25 prillin dhe 45 ditë para mbyllet, uroj që ky sesion të shërbejë për të vazhduar reforma në drejtësi dhe për të përmbyllur ëndrrën e shqiptarëve për një Kod Zgjedhor që gara të sjellë një rezultat të mirëpranuar. Është detyrë e këtyre deputetëve, mision dhe fushatë e cila ka filluar dhe këto ditë rishtas. Shqiptarët në 25 prill 2021 do dinë të ndëshkojnë me votë çdo mashtrues të këtyre 4 viteve në këtë sallë. Do zgjedhin për herë të parë pas 12 vitesh, individët që ata besojnë. Hipokrizia e të zgjedhurve qese, babëzia e të lëpirit ka marrë fund më 30 korrik 2020. E di që nuk ju ka pëlqyer të gjithëve, si atyre që janë brenda dhe jashtë. Unë personalisht së bashku me deputetë të opozitës do garojmë me lista të hapura. Këtë vullnet e pres nga maxhoranca dhe nga ata që kërkojnë atë që kërkojmë dhe ne, 100%e listave të hapura ta sanksionojmë në Kodin Zgjedhor. T’u rikthehemi rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Të jemi të barabartë në kutitë e votimit. Pallavrat dhe dallaveret, zënkat formale me njeri-tjetrin, apo tenderët për makinën e akulloreve mos na i shisni shqiptarëve dhe as neve. Shqiptarët votojnë atë që duan. Sa më vjen ndot kur dëgjoj rrotacion dhe jo votacion. Pse janë të detyruar shqiptarët 8 vjet të mbajnë në kurriz njëherë një rrotë dhe njëherë rrotën tjetër. Edhe këtu dhe jashtë kësaj salle mua dhe kolegëve na anatemuat, nënvlerësuat por fati e deshi që e drejta të triumfojë”, tha Murrizi.

Ora 19:09
Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Rama: Përveç se Izraeli njohu Kosovën s'ka asgjë të re, shqiptarët humbën kohë

Kryeministri Edi Rama në sesionin e ri të kuvendit ditën e sotme mbështeti fjalën e Ruçit duke e konsideruar një moment të rëndësishëm marrëveshjen Kosovë-Serbi, por theksoi se nuk ndodhi asgjë e re për sa i përket marrëdhënies me Serbinë. Ai tha se përveç se Izraeli njohu Kosovën, nuk ndodhi asgjë e re aty.

"Bashkohem më atë që shprehu kreu i kuvendit lidhur me marrëveshjen e bërë në Washington mes Serbisë dhe Kosovës, një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy shteteve, tejet e rëndësishme, përtej faktit që Izraeli njohu Kosovën, nuk ka asgjë të re. Po e them për të kuptuar që sa kohë kemi humbur ne si shqiptarë. Marrëveshja sjell thjesht një konfirmim, është një humbje kohe që ka dëme të pallogaritshme, humbja e kohës nga patriotizmi fars dhe nga një luftë imagjinare. Ndoshta kanë llogari të hapura për të adresuar por nuk mund t'i adresosh në kushtet e paqes. Të mos pranosh sofistikimin që sjell paqja do të thotë të jesh ose i paaftë për të drejtuar ose cinik në raport me vendin tënd. Ajo që mbetet mbresëlënëse është se ata nuk duan të dëgjojnë, shohin, hapen ndaj fakteve, çka ka dëmtuar e vazhdon të dëmtojë Kosovën e Shqipërinë", tha Rama.

Ora 18:43
Projekt-buxheti i ri/ Rama: Do të rriten pagat e mjekëve dhe mësuesve

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij preku edhe një çështje shumë të rëndësishme siç është projekt-buxheti i ri, ku theksoi se do të adresohen pagat e mjekëve dhe mësuesve që kanë një rol ekstra të vështirë në këtë kohë pandemia.

"Pika tjetër e rëndësishme është projekt buxhet i ri ku mund të adresojmë shumë çka ato tema që fatkeqësisht adresohen në mënyrë krejtësisht spekulative dhe jo në mënyrë realiste. Për të adresuar pagat e mjekëve dhe mësuesve, ku në këtë fazë të zhvillimit të vendit kanë një rol ekstra për shkak të vështirësisë që ka krijuar pandemia që për mjekët të bëjmë një rritje pagash si asnjëherë në këto 30 vite", tha Rama.

Ora 18:40
Rama: Kur të ketë marrëveshje për detin do kalojë përmes Metës! Sa të jem unë në qeveri, s'ka cenim të interesave kombëtare

Deklarata e Greqisë për t'u zgjeruar me 12 milje territorin e  saj në det, Rama përsëriti edhe njëherë që kjo nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe nuk është negociatat që bëhen me detin. Kryeministri përsëriti se mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë ndalur negociatat për detin dhe nëse do të ketë një të tillë do të kalojë përmes negociatorëve të autorizuar, presidentin, Gjykatës Kushtetuese dhe në fund parlamentit. Pra ka një procedurë të gjatë tha Rama dhe nuk mund të bëhet fshehurazi, por do të jetë një marrëveshje me vulë e firmë.

"Dalim në deklarata të veshur me kostum për të mbrojtur detin? Kë det po mbroni? Si ju iku, në çfarë forme? Keni dëgjuar që ka zbythje të detit drejt Greqisë? Deti nuk ka lëvizur dhe nuk janë një materie që mund të ndahet siç ndaheshin tenderët kur LSI drejtonte autorit rrugor shqiptar, nuk funksionon kështu. Çfarëdo negociatash të bëhen, bëhen me persona të autorizuar dhe jo me muhabete varkash. Personat e autorizuar kur arrijnë një konkluzion e paraqesin të tek autoriteti dhe nëse një autoritet që është qeveria firmos një marrëveshje, ka një autoritet tjetër që duhet ta gjykojë atë marrëveshje që është zoti presidenti i Republikës. Nuk e di pse i është futur dhe ai detit, pasi e di shumë mirë që po nuk erdhi deti tek ai askush nuk i bën dot gjë detit. pastaj është Gjykata Kushtetuese që miraton marrëveshjen dhe më pas parlament. Ata që lëshuan detin Ilir Meta e Lulzim Basha marrëveshjen më të gabuar për Shqipërinë dhe si e bënë? E bënë në rrugë zyrtare me firma e ma vula. Nuk ka marrëveshje me fjalë për territoret e një vendi, nuk ka si ndodh as për det, aspër ajër as për tokë, e bën me firmë e vulë. E firmosur me buzëqeshjen më të gjatë vetëm Basha kur ishte ministër i jashtëm. Në atë kohë shikoni arkivin ka një buzëqeshje me milje aq e gjatë. Ka dalë Meta e ka mbrojtur me gjithë peshën e tij në qeveri duke na thënë ne se po provokonim. Ne nuk çuam në Kushtetuese thashetheme, ne çuam një marrëveshje të firmosur , të vulosur të vendosur dhe e çuam dhe nuk e bëmë pazar peshku. Ajo vendosi 9 me 0 si asnjëherë në çështje sensitetive dhe quajti një marrëveshje që cenon interesat kombëtare. Këta cenuesit të konstatuar si të tillë jo nga palët politike por nga gjykata kushtetuese si fajtor për cenim të interesave kombëtare, sot qenkan mbrojtësit e interesave kombëtare nga unë. ne me Greqinë kemi nisur negociata që kanë ndalur dhe nuk jemi më që nga ndryshimi i qeverive në Greqi.  Kur ne jemi ata që rrëzuam atë marrëveshje nuk mund  të jemi ata që bëjmë marrëveshje për të cenuar interesat kombëtare s'ka si të jemi. Shitje mos e përdorni vend e pavend se nuk funksionon. Sa të jem unë në këtë detyre nuk do të ketë cenim të interesave kombëtare", tha Rama.

Ora 18:29
Rama: Ka ardhur koha të ketë një ligj për Presidentin e Republikës

Kryeministri Edi Rama  në fjalën e tij në sesionin e ri nëkuvend që po mbahet ditën e sotme tha se duhet të rishikohet ligji për presidentin, që sipas tij është sa i nevojshëm aq sa edhe i munguar në gjithë këto vite.

"Emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duhet të normalizojmë një draft konkret,duhet një harmonizim i i plotë i partnerëve që e ndjekin reformën në drejtësi dhe t'i japim fund ngërçeve shumë të dëmshme që u krijuan në të shkuarën. Të kthejmë përpara edhe draftin e presidentit të republikës, mendoj që ka ardhur koha që të ketë një ligj për presidentin, ka këtu eksperienca plot që nuk ka nevojë që t'i shpikim por që ti harmonizojmë që të kemi një ligj për presidentin që është sa i nevojshëm aq sa edhe i munguar në gjithë këto vite", tha ai.

Ora 18:17
Rama: Të kalohet njëherë e më parë në parlament ligji anti-shpifje, po bëhet kërdia

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në sesion e ri të Kuvendit tha se duhet të kalohet njëherë e më parë ligji anti-shpifje sepse po bëhet kërdia nga mediat.

"Nuk ndryshoj opinion që shpifja duhet adresuar sa i përket mediave onlie, kemi një raport ndihmues për sa i përket Komisionit të Venecias, ta kalojmë këtë ligj njëherë e më parë në parlament se po bën kërdinë përditë e përnatë. Ka sugjerime  edhe për median publike për sa i përket bordit të RTSH-së për t'i hapur rrugën për të gjithë ata profile që i sugjeron Komisioni  i Venecias që fatkeqësisht janë përjashtuar nga mundësia për të kontribuuar në këtë komision publik të medias", tha Rama.

Ora 18:10
Rama: Hapja e listave dhe përcaktimi i mekanizmit të koalicioneve parazgjedhore në kodin zgjedhor, dy pikat kyçe që duhet të bëhen sa më shpejt

Nisja e sesionit të ri parlamentar ka sjellë dhe fjalën e kryeministrit Rama i cili tregoi se dy janë pikat kyçe që Kuvendi duhet të arrijë konsensus sa më shpejtë, hapja e listave dhe  përcaktimi në kodin zgjedhor të mekanizmit të koalicioneve parazgjedhore si një subjekt zgjedhor. Rama tha se nëse gjendjet një mekanizëm i besueshëm që siguron ruajtjen e ekuilibrit gjinor dhe hapje 100 % të listave atëherë do kenë dhe votën e mazhorancës, në të kundërt nuk ka për të ndodhur pas nuk do të rrezikojë me hapjen e listave humbjen e përfaqësimit gjinor në parlament.

"Në kodin zgjedhor nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të punojmë intensivisht me të gjithë fuqitë dhe ekspertët në dispozicion për të garantuar zbatimin e ndryshimeve të bëra bashkërisht. Nga njëra ana për ,mekanizmin e listave të hapura ku na duhet të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur me një konsensus të plotë edhe me opozitën jashtë parlamenti por nga ana tjetër detyrimisht një orë e më parë nuk mund të jetë një proces i tejzgjatur në emër të konsensusit 100 % . Do të kërkojmë një konsensus 100 % për një proces të shpejtë. Për të vendosur në kodin zgjedhore mekanizmin e koalicioneve parazgjedhore si një subjekt zgjedhor. Këto janë pikat kyce që duhen adresuar. Ne kemi problemin e garantimit të ekuilibrit gjinor me hapjen e listave. Nëse kemi një mekanizëm të besueshëm për ne nuk ka problem hapja 100 % nëse nuk ka një mekanizëm të besueshëm mos prisni nga të hapim listat 100 % që nuk garantojnë  ekuilibrin ligjor. Lista të hapura që e kthejnë kuvendin pas ku për të gjetur një grua mes 50 burrave nuk çojnë asgjëkundi", tha Rama.

 

Ora 17:47
Musai: Marrëveshja Kosovë-Serbi goditi skeptikët e Mini-shengenit! Trump e bekoi dhe legjitimoi këtë projekt perëndimor

Kreu i grupit parlamentar të pavarur, Nimet Musai ka vlerësuar marrëveshjen Kosovë-Serbin në SHBA duke thënë se kjo forcoi pozitën e Kosovën në rajon. Ai ka vlerësuar minishengenin ballkanik, duke theksuar se kushdo që e ka sulmuar deri më sot duhet të tërhiqet dhe të kuptojë se ai është një projekt i zhvillimit ekonomik në rajon me parime perëndimore. Kushdo që mendoi se ishte projekt lindor, tha Musai, ishte vetë Trump që e bekoi këtë projekt.

"Një marrëveshje ekonomike me impakt rajonal u bë lokomotivë i politikave të reja në Kosovë. Kosova nuk duhet të jetë më fuçia e  barutit, por paqja mbi tokë, zhvillimit, bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë. Dje mori përgjigje edhe skepticizma e shumë aktorëve për minishengenin Ballkanik, projekt që presupozohej se Shqipëria luante dore të parë që Kosova ka pozita kyçe të patjetërsueshme. Trump jo vetëm e legjetimoi, por e bekoi këtë projekt. kushdo që e quajti format lindor, nga nesër duhet të vënë dorën e tyre për ta shtyrë përpara. Integrimi është edhe një hapa para tyre. Mbetet që shqiptarët e këtushëm të rreshtuar me disa parti politike , të luajnë pjesën e tyre. Momenti i tanishëm është më i madh së vetë ne. Një klasë politike e dyzuar meriton të fshihet nga timoni i punëve të vendit qoftë nën drejtim të qeverisjes qoftë në opozitë. Momenti i tanishëm është diell i mbarë dhe ky moment duhet kapur brenda dhe jashtë këtij parlamenti. Për pak muaj ata që janë jashtë me siguri do të rikthen sërish. Lartësisë së këtij momenti i duhet një proces zgjedhor model, ky na kërkohet si hap i parë. Kjo fazë e re pjekurie duhet të faktojnë se kjo fazë nuk është rastësisht dhe as e pamerituar. ne me vendi më pro amerikane dhe europian, e gjitha ka qenë e merituar. Grupi parlamentar i pavarur votojmë marrëveshje të dakordësuar më pëlqimin e  miqve amerikane dhe çdo kartë që çon para me integrimin", tha Musai

Ora 17:10
Kuvendi në seancë plenare, nis sesioni i ri, Ruçi: 'Kushtetuesja' më 1 janar të fillojë punën

Sesioni i ri i kuvendit të Shqipërisë ka mbledhur ditën e sotme deputetët pas pushimeve verore. Në fjalën e tij, kreu i parlamentit Gramoz Ruçi tha se Gjykata Kushtetuese duhet të bëhet funksionale dhe më 1 janar të 2021 të ketë filluar punën. Ai gjithashtu sot ka përshëndetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të ndodhur në Washington nën ndikimin e presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Kreu i parlamentit u shpreh se sesioni i kaluar ishte produktiv, pasi Shqipëria fitoi vendimin e merituar për çeljen e negociatave, veprimtaria ligjvënëse dhe kontrolli parlamentar ishin rezultative të efektshëm, produktiviteti u sigurua në kushtet që imponoi programi i rindërtimit pas tërmetit dhe kufizimet, vështirësitëe sakrificat që imponoi pandemia dhe Kuvendi, e shtriu kohezionin e veprimtarisë parlamentare edhe në bashkëpunimin me partitë jashtë Kuvendit, në një forum joparlamentar, siç është Këshilli Politik. Sipas tij, Reforma zgjedhore po shkon drejt finishit, ku parashikimi në Kodin Zgjedhor i pikave të Marrëveshjes së 5 qershorit garantoi gjithëpërfshirjen dhe moralitetin e reformës zgjedhore. Ai tha se do të bëjë të qartë se ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor nuk ishin as një tirani apo hile e shumicës dhe as prishje e rregullave të lojës, por jetërsim i forcës së parlamentarizmit, i vullnetit të pakicës parlamentare. Me këto ndryshime, sipas Ruçit u plotësua kuadri ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe u mundësua një garë të barabartë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Fjala e plotë e Gramoz Ruçit:

Në hapje të këtij sesioni, dëshiroj të përshëndes marrëveshjen ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, të firmosur në prezencën e Presidentit të ShBA Donald Trump. Kjo marrëveshje i hap rrugën marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes së ndërsjelltë. Natyrisht, marrëveshja e Ëashingtonit e 4 shtatorit nuk është gjithshka do të dëshironim ne, shqiptarët. Por, të paktën, për momentin, procesi është po aq i rëndësishëm sa edhe produktet e kësaj marrvëveshjeje.

Hyrja e flamurit të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe hapja e dosjes së Kosovës në tryezën e punës së Presidentit të Shteteve të Bashkuarsa është garanci e një procesi pa kthim prapa. Le të kontribojmë të gjithë që ajo dosje të mos hiqet nga tryeza e Presidentit amerikan, pa u zgjidhur përfundimisht njohja e Kosovës.

I.

Më 25 mars, Këshilli  i  Ministrave  të  BE-sëvendosiçeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendim  i  cili  u  miratua nga Këshilli Europian më 26 mars 2020. Ky ishte një sukses i merituar për Shqipërinëdhe rajonin. Me progresin e rajonit drejt Bashkimit Europian, do të vijë momenti kur termat Europa Juglindore e Ballkani Perëndimor do tëçlirohen nga përmbajtja politike dhe kufijtë politikë të Europës do të afrohen me kufijtë gjeografikë të saj. Kuvendi i Shqipërisë ka kontribut kyç të pazëvëndësueshëm në rrugëtimin europian, duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit. Kuvendi ka rritur përputhshmërinë e ligjeve me standartet e BE-së, duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit kombëtar. Komisioni për Integrimin Europian, gjatë sesionit të kaluar shqyrtoi dhe miratoi 11 ligje me përafrim ose 2 më shumë se periudha janar-korrik 2019, duke propozuar 97 amendamente ose 63 me shumë se e njëjta periudhë. Mbledhja e zgjeruar e Këshillit Kombëtar të Integrimit, më 9 qershor, kontriboi në projektin e Planit tëMasave të Integrimit Europian, të hartuar nga Qeveria.

Kuvendi vijon zbatimin e masave të Planin të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të KE-së për vitin 2019. Nga 44 masat e parashikuara, janë realizuar plotësisht 35 masa ose (80%) dhe 9 masat e tjera (ose 20%) janë në proces realizimi. Procesit të integrimit europian i ka shërbyer edhe diplomacia parlamentare. Në janar u zhvillua në Bruksel Samiti i Kryetarëve të Parlamentave të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor; ndërsa në Kuvendine Shqipërisë u mbajt Konferenca e 16 e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore. Në shkurt erdhi në Kuvendin e Shqipërisë Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, ndërsa në mars Presidenti i Parlamentit të Austrisë, Sobotka. Të dyja këto vizita kishin në fokus ndikimin në vendimin e Këshillit Europian për celjen e negociatave.

II.

Gjatë sesionit të kaluar Kuvendi i Shqipërisë pati njëveprimtari ligjvënëse produktive dhe ushtroi kontroll parlamentar me efektivitet dhe efikasitet. Me efektivitet sepse kryem detyrat ndaj çështjeve prioritare të zhvillimit të vendit.  Me efikasitet, sepse racionalizuam kontributet, prodhuam ligje cilësore dhe nxitëm Qeverinë e institucionet të bëjnë detyrat. Pandemia rrezikoiedhe veprimtarinë parlamentare. Por Kuvendi i Shqipërisë reagoi menjëherë, në disa drejtime: 

Së pari, deputetët nuk i shkëputën për asnjëçast vëmendjen dhe lidhjet me qytetarët.

Së dyti, përshtatëm Rregulloren e Kuvendit  dhe komisionet parlamentare, Konferenca e Kryetarëve e Byroja funksionuan onlain.

Së treti, sipas praktikave të ngjashme të parlamenteve tëBE-së, seancat plenare u zhvilluan normalisht dhe i dhamë Shqipërisë ligjet e reformat që i duheshin.

Së katërti, Kuvendi siguroi transparencë maksimale për median dhe qytetarët, duke ofruar transmetimin direkt të të gjitha veprimtarive parlamentare.

Në raportin e OSBE/ODIHR “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, Kuvendi u vlerësua ndër parlamentet që iu përgjigjën më mirë pandemisë, nëpërmjet inovacionit, produktivitetit e transparencës. Gjatë sesionit të kaluar miratuam 115 ligje ose 18 më shumë se gjatë dy sesioneve bashkë të vitit 2019, ndër të cilat 107 propozime të Këshillit të Ministrave dhe 8 nisma deputetësh.23 ishin nisma të reja, 38 ndryshime e shtesa në legjislacion, 22 marrëveshje dhe 32 akte normative, 29 prej të cilaveishin në përgjigje të pandemisë. Miratuam 75 ligje, 26 akte normative dhe zhvilluam 8 interpelenca më shumë sesa në sesionin e pestë. Trefishimi i akteve ligjore është një tregues thelbësor i produktivitetit ligjvënës. Gjatë këtij sesioni zhvilluam 11 interpelanca me anëtarë të Qeverisë,kërkuar nga deputetët e opozitës e shumicës. U trefishuan kërkesat për interpelancë, çka provon rritjen e llogaridhëniese transparencës për çështje me ndjeshmëri të lartë publike si rendi, arsimi, shëndetësia, mjedisi e drejtësia.

Kontrolli parlamentar është ushtruar edhe me anë të raportimeve të Këshillit të Ministrave mbi zbatimin e detyrimevetë Planit Kombëtar për Integrimin Europian,  ecurinë e bisedimeve për anëtarësim etj. Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian ka raportuar mbi bashkëpunimin midis forcave politike, institucioneve shtetërore e të pavarura dhe shoqërisë civile si dhe çështje të tjera jetike tëintegrimit. Kuvendi, pas raportimeve të mësipërme, miratoi Rezolutën “Mbi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian përgjatë vitit 2019”.

III.

Reforma zgjedhore po shkon drejt finishit. Kuvendi i Shqipërisë, grupet parlamentare, përfshirëato të opozitës, në emër të ardhmes e integrimit të Shqipërisë, u ngritën mbi sedrën politike parlamentare dhe kontribuan në një forum jashtë-parlamentar, siç ishte Këshilli Politik, i cilifunksionon jashtë Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Kynuk ishte oportunizëm politik, por një veprim me vetëdijetë qartë kombëtare. Me këtë veprim, gratë dhe burrat e këtij Kuvendi u krijuamnjëmundësi forcave politikeqë kishin braktisur Kuvendin, të kontribonin në legjislacioninpër zgjedhjet. Kuvendi i Shqipërisë i rikrijoi një mundësi përfaqësimi asaj pjese të popullsisë që beson te opozita jashtëparlamentare dhe kontributi i saj për vendin.

Produkt i bashkëpunimit me opozitën jashtëparlamentare ishte “përkthimi” i marrëveshjes së 5 qershorit në dispozita ligjore, nëpërmjet miratimit të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”, në seancën plenare të datës 23 korrik 2020. Parashikimi në Kodin Zgjedhor i pikave të Marrëveshjes së 5 qershorit garantoi gjithëpërfshirjen dhe moralitetin e reformës zgjedhore.

Ndërsa parashikimi  në Kod i ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga opozita parlamentare dhe të votuara nga Kuvendi, pra miratimi i ligjit  “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””, në seancën plenare të datës 30 korrik 2020, garantoi legjitimitetin dhe kushtetueshmërinë e reformës zgjedhore.  As gjithëpërfshirja e moraliteti dhe as kushtetueshmëria e legjitimiteti nuk mund të qëndrojnë pa njeri-tjetrin. Prandaj dëshiroj edhe njëherë të bëj të qartë se ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor nuk ishin as një tirani apo hile e shumicës,dhe as prishje e rregullave të lojës, por jetërsim i forcës së parlamentarizmit, i vullnetit të pakicës parlamentare e,ç’është më e rëndësishmja, i vullnetit të shumicës së shqiptarëve. Këto ndryshime nuk ishin një vetëtimë në qiell të pastër, por ishin sinjalizuar nga opozita parlamentare në Komisionin  e Posaçëm  për Reformën  Zgjedhore. Këtë vullnet politik konsistent ajo e solli në Kuvend, duke depozituar më 15 qershor nismën ligjore për ndryshime kushtetuese.

Kuvendi u hapi rrugën këtyre ndryshimeve, i bindur se ato e bëjnë garën elektorale më konkurruese dhe qytetarët më përcaktues në zgjedhjen e grave dhe burrave që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi ndan të njëtin mendim me qytetarët shqiptarë se këto ndryshime janë në të mirë të vendit. Kriteri për refuzimin e një ndryshimi ligjor nuk është fakti se ky ndryshim nuk është i përsosur, por nëse ndryshimi përmban më shumë të mira sesa mangësi. Në këtë botë, të nderuar kolegë, sidomos në jetën politike, ka shumë pak gjëra që janë tërësisht të mira apo tërësisht të këqija.

Prandaj unë ndaj të njëjtën bindje me shumicën e deputetëve të Kuvendit dhe të qytetarëve se këto ndryshime avancojnë demokracinë brenda partive dhe rrisin si përgjegjësinë e tyre dhe të qytetarëve në zgjedhjen e degës legjislative të qeverisjes. Këto ndryshime krijojnë një kuadër ligjor  zgjedhor,  në  përputhje me standartet më të mira  ndërkombëtare, ku zgjedhësi voton  jo vetëm për subjektin zgjedhor,  por edhe për kandidatin e parapëlqyer prej tij. Me këto ndryshime, plotësuam kuadrin ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mundësiuam një garë të barabartë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

IV.

Nëecurinë e reformës në drejtësi, vazhdoi asimetria midis investimit politik e ligjor të Kuvendit për ndërtimin dhe bërjen funksionale të organeve të reja të sistemit dhe inercisë së institucioneve, sidomos KLGj dhe KED, të cilat po vonojnëngritjen e tyre. Konsensusi i forcave politike e qytetarëve për reformën në drejtësi mbështetej në premisën se institucionet e drejtësisënuk mund të reformonin vetveten. Vonesat dhe inercia e sistemit, me të cilat vazhdojmë të ndeshemi, tregojnë sesa e domosdoshme ishte kjo reformë dhe sa jetike po bëhet ajo për fatine Shqipërisë.  Në takimin vjetor të Mekanizmit Institucional Kuvend-Institucione të Pavarura-Qeveri, në maj, unëu bëra apel institucioneve të drejtësisë, pa cënuar pavarësinë e tyre, t’u japin fund zvarritjeve në bërjen funksionale të organeve të sistemit.Pas takimit me Presidentin e Republikës me 30 qershor, i kërkova  KED-it me një letërpërshpejtimin e procedurave të verifikimit të kandidatëve  që   Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale  për  vendimmarrje, të cilat kërkojnë  të paktën  6 anëtarë. KED-i, pas miratimit të amendamenteve mbiprocedurën e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit e renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, vendosi ndalimin e kandidimit për  kandidatët për dy vendet vakante të shpallura nga Kuvendi e  Presidenti i Republikës.

KED-it iu desh gati një vit të shqyrtonte dy kandidatura! Me këto vonesa të zgjatura, tashme kupa ka filluar të derdhet dhe ky shpërpjestim midis investimit të Kuvendit dhe investimit institucional të një pjese të organeve të reja të sistemit, nuk do të tolerohet më. Edhe pse Kuvendi ka hapësira tëkufizuara për të nxituar organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, nuk do tëfalim asnjë vonesë. Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna.

Çdo institucion i shtetit, i përfshirë në këtë proces, ta lexoj qartë këtë apel të Kuvendit! KLGj,më 27 shkurt 2020, i propozoi Presidentit të Republikës tre kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, të cilët u  dekretuan. Më 26 shkurt 2020 KLGj hapi procedurëne ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për gjashtë pozicione të lira dhe ftoi për aplikim të gjithë gjyqtarët që plotësojnë kriteret ligjore. Aplikuan 25 kandidatë dhe KLGJ po shqyrton këto kandidatura.

Do të nxisja anëtarët e tij të veprojnë në minimumin e afateve kushtetuse e ligjore, për të përmbyllur këtë proces dhe për të hedhur një hap të vendosur drejt bërjes së Republikës me Gjykatë të Lartë. Gjatë sesionit të kaluar, miratuam shtesat e ndryshimet në një ligje prioritar të reformës në drejtësi, ligjin 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në seancën plenare të 20 janarit, Kuvendi zgjodhi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa më 18 qershor miratuam  strukturën organizative, organikën dhe klasifikimine pagave të personelit të Inspektorit. U zgjodh gjithashtu dhe ka filluar nga puna drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e zbatimit të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” i ka  vënë në dispozicion Komisionit të Ligjeve raportin përkatës. Kuvendi, me vendimin nr 37, datë  9 korrik 2020,vendosi deklarimin e përfundimit të veprimtarisë së Komisionit.

V.

Kontrolli parlamentar vazhdoi të përbënte një përparësi të sesionit të kaluar. Kuvendi shqyrtoi 24 raporte të institucioneve të pavarura dhe hartoi 24 analiza të veprimtarisë vjetore për shqyrtim nga komisionet parlamentare. Me gjithë kushtet e disfavorshme, Kuvendi vlerësoi me rezolutë të gjitha institucionet e pavarura dhe përcaktoi detyra konkrete për secilin prej tyre për vitin 2020. Shërbimi i Monitorimit hartoi Raportin e zbatimit të rekomandimeve në rezolutat e Kuvendit për vitin 2019 dhe Raportin për nivelin e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga ekzekutivi dhe agjencitë e varësisë për vitin 2019, raporte të publikuara në faqen e Kuvendit. Nga 227 rekomandime të institucioneve të pavarura për vitin 2019, janë zbatuar 75% e tyre, janëtë parealizuara 11% dhe janë në proces zbatimi 14%. Niveli i zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga administrata publike për vitin 2019 ishte 62%. Ky tregues bën thirrje për më shumë vëmendje nga Qeveria për rekomandimet e institucioneve të pavarura, si zëdhënëse të interesave të qytetarëve. Më 7 maj 2020, Kryetari i Kuvendit realizoi takimin vjetor periodik me 24 institucionet e pavarura. Në këtë takim uvlerësua veprimtaria e institucioneve të pavarura dhe u adresuan rekomandime konkrete për përmirësimin e punës së tyre.

VI.

Sesioni që po nisim do të jetë sesioni i arritjes sëdisa objektivave të rëndësishme, midis të cilave nënvizoj:

1.      Pasqyrimi në Kodin Zgjedhor i ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut dhe përfundimi i reformës zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet parlamentare të ardhshme të jenë një garë me regulla të qarta dhe të barabarta për të gjitha partitë politike.

2.      Nxitja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për bërjen funksionale brenda vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese.

Nëse do të rezultojë e nevojshme, për të mbështetur  realizimin e këtij objektivi, unë do t’i propozoj Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve  ndryshimet përkatëse, në zbatim edhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 qershorit 2020 “Për zgjedhjen/emërimin e gjyqtarëve kushtetues”.

3.      Nxitja e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të bërë funksionale Gjykatën e Lartë brenda vitit 2020.

Edhe pse ky mund të tingëllojësi një objektiv i guximshëm, unë mendoj se nëse KLGj shfrytëzon maksimalisht të gjitha mundësitë, mund të arrijëqë gjashtë vakancat e shpallura dhe që janë në proces, të plotësohen brenda vitit.

4.      Kuvendi do të kontribojë nënegociatate anëtarësimit, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit, forcimittë mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar dhe hartimit e zbatimittëPlanit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve në Raportin 2020 të KE-së për Shqipërinë.

5.      Miratimii Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën 2020-2025, financuar nga Qeveria e Zvicrës. Për zbatimin e këtij projekti Kuvendi do të vazhdojë tëbashkëpunojë me OSBE-në dhe Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan, të cilët bashkë me Ambasadën e Zvicrës, i falenderoj për partneritetin e shkëlqyer.

6.      Për forcimin e kontrollit parlamentar do të përfshijmë në Platformën Ndërinstitucionale Onllain rezolutat e Kuvendit, me hapësirë të dedikuar për çdo institucion të pavarur, duke bërë të mundur ndjekjen e zbatimit të tyre nga të gjithë deputetët dhe grupet e interesit.

Ju faleminderit dhe ju uroj të gjithëve një sesion të mbarë e të suksesshëm!

Vijon...

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Njoni: 07/09/2020 22:47

    Komenti im nuk ka lidhje me lajmin e mësipërm por nuk mund të mos e them. Jam duke parë ndeshjen shqipri lituani dhe eshte shumë turp se po e shesin ndeshjen hapur fare, mjafton të shikosh sesi nuk luajn tipa si hysaj apo sadiku. Mbaroi 1 me 0 për Lituaninë por turpi mbetet te lojtarët që shesin ndeshjet apo edhe Duka i fshf me matrapazllëqet e tij. Boll u ankuam për serbë e grekë, ne nuk duam veten në të gjitha fushat e jetës, nuk na e kanë fajin të tjerët. Por skemi c'të bëjmë, kemi zgjedhur injorantët të na drejtojnë, i kemi vënë drejtora, inxhenjerë, mjekë, deputetë, ministra, mësues, kryetare bashkie etj etj.

    Përgjigju
    • O Njoni: 07/09/2020 23:22

      Gjithe ato lek u shpenzuan per ate stadium dhe fusha eshte cop cop. Na lumte neve per fshf-n qe kemi me ne krye duken. Nejse skemi c,te bejme

    • O Njoni: 07/09/2020 23:18

      Jam plotesisht dakort me ty. Sidomos kur thua qe skemi c’te bejme.

  • Tironci: 07/09/2020 20:38

    Ekuilibri gjinor si gjethja e fikut. Askujt nuk i intereson cfare ka mes kembeve deputeti, por si i perfaqeson. Po nuk ka faj, shikon pedot e BE-se dhe ben edhe ky.

    Përgjigju
    • Dik: 08/09/2020 08:47

      Super koment

  • Ori: 07/09/2020 19:47

    Ne 8 vite pushtet vetem i ka indeksuar me 1% ne vit pensionet.Pensionistet jan shtresa me e varfer dhe ne 8 vite duheshin rrit 50% pensionet.Qeveri krahinore qe mendon vetem per jugun dhe hakmerret me brakrisje ndaj atyre qe nuk e votojne.Te njejtin fat te Berishes do ket,ta gezoj karrigen deri ne qershor.

    Përgjigju
  • Tirona: 07/09/2020 18:56

    Kryeministri po e thote troce se kush e shiti detit,SPAK ca pret jane te shumta dokumentat qe vertetojne se eshte bere tradheti ndaj vendit duke u shitur teritoret e saj, mediat kane folur , tani kryeministri e thote me gojen e tij , mos prisni te flasi dhe SHBA qe ju te veproni......

    Përgjigju
    • Dik: 08/09/2020 08:51

      Tirona! E ke parë videon ku Priftërijt grekë i e dekorojnë Ramën me urdhrin e lartë për mbrojtjen e ortodoksisë? Feja është diçka personale por kleri grek dihet kush është.

    • Robshi: 07/09/2020 23:50

      Ik ha gjiz me turshi... idiot ske gjera elementare merresh me politike rajoni e teater me spak brenda...

  • Timi: 07/09/2020 11:48

    Te mendosh kur taksat e shqiptareve shkojne per rroga e honorare per taulant ballen, gjuzin murrizin etj. Kjo eshte qe nje popull te kete 0 respektin per veten.

    Përgjigju
    • Taulant: 08/09/2020 09:18

      Ishte me bukur kur shkonin per Salianjin, Balliun, Lulin, Noken, Paloken, Saliun e Moniken per te bere cdo jave lufte ne parlament kush zinte foltoren dhe bente gangsterin, nderkohe qe nuk miratoheshin as ligje e as diskutohej per hallet e njerezve. Murrizi me Hajdarin e ben nje gje te mire me opoziten e tyre, ndersa nga Luli me shoke nuk mbahet mend ne opozite te kene bere dicka pozitive, vec largoheshin nga salla kur votoheshin ligje apo reforma. Nejse, ha gjize Agush ha.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës