ERION BRACE: QEVERIA PO GRABIT PRONAT, TOPALLI: I DHATE TOKE NE TIRANE BESOS E FIDELIT
Deputeti socialist, nënkryetari i grupit PS tha se ndryshimet në ligj nuk do i shërbejnë ish pronarëve. Sipas Erion Braçe është e pamundur të gjesh një ligj që të ketë ndryshuar kaq shumë në 18 vite dhe brenda një mandati të qëverisë.
“Paradoksi është i jashtëzakonshëm. Afati i ri për kthimin e përgjigje për një dosje përmes të cilës kërkohet njohja e kthimit të pronës shkon në 2014. Nga 1990- 2014 numëroj 24 vite, janë gjysma e kohës së regjimit që i shtetëzoi . 24 vjet për të shqyrtuar një cështje pronësie e kthyer një përgjigje” Ai akuzoi qeverinë se po përdor dy ligje për të grabitur tokat dhe për të lënë me gisht në gojë ish pronarët
Po kalojmë pronë shtetërore në duar banditësh të lidhur me pushtetit po marrin pasurinë më të madhe, vijën bregdetare. Do jua provoj. Po përpdoren dy ligje për të grabitur pushtetin dhe për të lënë me gisht në gojë ish pronarët”- akuzoi Braçe.
Në replikë ministri i Drejtësisë tha se PD kishte bërë kompensimin e ish pronarëve, atë që PS në qeveri nuk kishte arritur ta bënte.
“PS në qeveri dha zero lekë për kompensimin e pronarëve, ndërkohë që PD dha 37 mln dollarë dhe 90 mijë hektarë tokë”- tha Halimi duke saktësuar se nuk mund të ketë kompensim fizik pa realizimin e hartës dixhtale të sipërfaqes së tokës.
Në një moment ndërhyri kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli e cila akuzoi opozitën se nuk ka kompensuar asnjë ish-pronar, ndërkohë që kryetari i saj i dha prona të Tiranë njerëzve të tij/
Edi Rama i dha Besos mezen e Tiranës, ( e ka fjalën për Besnik Sulën, pronar i Tajvanit, ish presidenti i Dinamos) apo Fidelit ( e ka fjalën për deputetin PS, Fidel Ylli). Mos Besua ishte pronar i vjetër i Tiranës, kjo është politika dhe rilindja e juaj. Si nuk ju kujtohet që deri në mars të 2005 keni bërë zero kompensim financiar. Ku ka tokë pronarësh ia keni dhënë besuas. Më thoni nëse Ylli është pronar tiranës, apo Beso? Përveç kompensimit financiar ish pronarëve do i kthehet kompensimi fizik.” Fjalët e Topallit janë shoqëruar me të bërtitura (jashtë mikrofonit) nga salla nga ana e deputetëve PS, të cilave Topalli i është përgjigjur “Pse keni kaq urrejtje për ish pronarët. Kemi shumë punë për të bërë, por nuk ju shkon pas 70 viteve që i keni marrë të gjitha të keni kaq urrejtje”
AKUZAT E MARTIT, KUVENDI:EULEX TË NISË HETIMET
Kuvendi i hap rrugë EULEX të hetojë në Shqipëri akuzat e zviceranit Dik Marti lidhur me dyshimet për trafikun e organeve gjatë kohës së luftës në Kosovë. Pr/ligji “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me task forcën hetimore speciale të EULEX-it” u miratua unanimisht me 127 vota pro. Drafti gjeti konsensusin edhe në Komisionin e Ligjeve. Pr/ligji u prezantua pak ditë më parë nga qeveria dhe është përshëndetur nga Bashkimi Europian. Pr/ligji për banesat sociale u miratua me 125 vota pro.
BALLA: BASHA SHPERBLEU ME KREDI STREHIMI MIKESHEN E TIJ
Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” u miratua me 125 votra pro, vetëm deputetja socialiste Eglantina Gjermeni abstenoi. Duke diskutuar pr/ligjin deputetët socialistë akuzuan për mungesë transparence në dhënien e kredive dhe të dhënies së banesave sociale për njerëzit në nevojë.
"Pak javë më parë pamë si shpërbleu me kredi strehimi të akuzuarin për vrasjen të 21 janarit apo mikeshën e tij personale. Kreditë për strehim duhet tu jepen atyre që e meritojnë, nuk ka pse kryetari i bashkisë të japë kredi njerëzve që ka marrëdhënie personale”- deklaroi deputeti socialist Taulant Balla.
Në replikë ministri Olldashi tha se ka pasur raste të abuzimeve që janë verifikuar. Por në shumicën e rasteve abuzimet kanë qenë në bashkitë e drejtuara nga socialistët. “Në një nga bashkitë e drejtuara nga ju një të pastrehi i janë dhënë 220 metër katrorë. Një sipërfaqe që as ti ndoshta nuk e ke” – replikoi Olldashi me deputetin Taulant Balla.
Nga ana e tij deputeti socialist kërkoi më shumë transparencë në këtë ligj pasi sipas tyre në këtë ligj duhej të ishte më i qartë.
“Ka një mungesë totale të informacionit. Çfarë kushton të hapet një ëebsite ku të gjithë. Në rast se jeni vëertet të intersuar për transparenvcë, publikoni në një ëebsite listën dhe kriteret që ata duhet të plotësojën në mënyrë që cdo kush të informohet”- deklaroi deputeti Eduard Shalsi.
MIRATOHEN DHE MARREVESHJET ME KROACINE
Kuvendi kaloi me 73 vota pro dhe 53 abstenim projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për vitin 2011”. Ndërkohë që u miratuan me 127 vota pro projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për ndihmë të ndërsjellë në rast të fatkeqësive dhe aksidenteve të mëdha”.
(sg/shqiptarja.com)