TIRANË, 16 Nëntor/ATSH/- Kuvendi diskuton të hënën në seancë plenare paketën fiskale për vitin 2015. Paketa fiskale ka 14 masa në tërësinë e tyre, ku tre masa realizojnë gjenerim të ardhurash, kurse 11 masa janë lehtësim i biznesit dhe qytetarit, konsumatorit, individit në Shqipëri. Politikat e reja të taksave dhe tatimeve në vitin 2015 synojnë një zgjerim të mëtejshëm të bazës së të ardhurave për të mbështetur rritjen e shpenzimeve publike dhe konsolidimin fiskal. Njëkohësisht, hartimi i paketës fiskale 2015 është bërë në drejtim të mbështetjes së reformave të qeverisë për vitin 2015, për disa sektorë të ekonomisë. Përmes paketës fiskale mbështetet sektori i sigurimeve, duke hequr TVSH për produktet e jo-jetës prej 20% dhe aplikimi i një takse mbi primin prej 3%. Mbështetje ofrohet edhe për sektorin e peshkimit duke e përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet, si dhe për sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit duke hequr tarifat doganore për disa lëndë të para. Po ashtu, kjo paketë mbështet edhe rafineritë vendase, duke hequr taksën doganore të naftës bruto prej 10%. Sektori i pensioneve vullnetare, është një tjetër sektor që mbështet gjatë vitit 2015 duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale kontributet në fondet vullnetare të pensioneve që në momentin e kontributit. Po ashtu planifikohet rritja e rentës minerare për pushtetin vendor dhe heqja e kushtëzimit me transfertën e pakushtëzuar, duke rritur kështu financat e pushtetit vendor. Gjithashtu, në këtë paketë fiskale adresohen disa kërkesa disavjeçare të biznesit si çështja e firove apo e amortizimit me vlerën e mbetur.
Paketa Fiskale 2015 sjell ndryshime të rëndësishme të dakordësuara me Fondin Monetar Ndërkombëtar në disa taksa, si TAP, taksa e qarkullimit dhe akciza e cigareve.
Tatimi mbi të ardhurat personale synon ndryshimin e normës së taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga që u ulën vitin e kaluar me Paketën Fiskale 2014. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015. Më konkretisht komponentët e TAP që ndryshojnë janë tatimi mbi dividentin, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.
Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lek / litri për naftën dhe benzinën. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015. Gjatë vitit që vjen qeveria planifikon edhe rritjen e akcizës për duhanin është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Përpos kësaj, ne kemi një nivel modest taksimi të cigareve dhe një rritje progresive është e nevojshme për t'u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së. Për këtë arsye, në muajin tetor 2014, Kuvendi miratoi rritje të akcizës së cigareve nga 4500 lek/1000 copë (90 lek /paketë), që ishte në 5500 lek /1000 copë (110 lek /paketë). Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja.
Pas miratimit në parim paketa fiskale do të rikthehet për diskutim nen për nen në komsionet parlamentare ku deputetët kanë paralajmëruar ndryshime. Nga taksat e reja efekti pozitiv ne buxhet llogaritet 160 milionë dollarë. /a.gjonaj//m.m/







