PRISHTINË, 21 Nëntor/ATSH/.- Partitë politike në vend shpresojnë që në fillim të javës që vjen do të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Sipas KosovaPress, opozita e re shprehet se seanca duhej të thirrej më herët, por meqë kjo nuk ka ndodhur atëherë patjetër duhet të mblidhet javën e ardhshme nga kryesuesja e seancës, meqë ka një marrëveshje mes dy partive të mëdha për koalicion qeverisës.
Ndërsa sekretarisë së Kuvendit ende nuk i ka shkuar asnjë kërkesë për përgatitjen e vazhdimit të seancës konstituive. Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, tha për KosovaPres, se ata janë të gatshëm për seancën konstituive, në momentin që e vlerëson kryesuesja për ta mbledhur.
"Jo, ende s'kemi kërkesë për seancë. Ne jemi të gatshëm në momentin që kryesuesja e seancës e vlerëson se duhet të thirret", tha Krasniqi.
Erzen Vraniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ata presin që javën e ardhshme, më në fund, të thirret seanca për konstituimin e institucioneve të vendit.
"Po, mendojmë që javën tjetër do të mbahet seanca. Seanca nuk mblidhej deri sa ekzistonte një koalicion i bazuar ne parime, tani që u bënë bashkë PDK-LDK, Flora Brovina me shume gjase do ta ftojë seancën" tha Vraniqi.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se seanca duhej të mblidhej më herët dhe se nuk ka dilema që në fillim të javës së ardhshme seanca duhet të mbahet.
Kadaj-Bujupi thotë se tashmë ata janë parti opozitare dhe nuk do ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit.
Ajo tha se AAK-ja do të vazhdoj të luftoj të këqijat që do të vijnë nga dy partitë që kanë vendosur për të bashkëqeverisur institucionet e vendit.
Edhe Bilall Sherifi, nga Nisma për Kosovën, thotë se duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë dhe të tregojnë dy paritë me të mëdha që kanë lidhur koalicion se për çfarë janë marrë vesh.
Ndërsa, përfaqësuesit e dy partive që tashmë kanë lidhur koalicion mes vete, PDK-LDK, sot nuk kanë dashur të flasin për këtë. Disa prej tyre nuk e kanë hapur as telefonin gjatë gjithë ditës./m.m/









