KVV: Anëtarët e KQZ-së të miratojnë rregulloren e brendshme dhe auditët teknicienë


TIRANË, 12 Shkurt / ATSH/- Pas plotësimit të vendeve vakante në KQZ, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i kërkon KQZ-së që të miratojnë sa më parë rregulloren e brendshme dhe auditët teknicienë të listave të zgjedhësve.
Në një njoftim për shtyp, KVV e konsideron si mjaft pozitiv plotësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht vonesës dhe procesit të ndjekur, i cili finalizon diskutimet e mëparshme lidhur me statusin e këtij institucioni, duke e pranuar atë tashmë si një organ kolegjial, të balancuar politikisht, anëtarët e të cilit e ushtrojnë funksionin në mënyrë të pavarur dhe votojnë në përputhje me ligjin.
Koalicioni mbështet fuqishëm misionin dhe funksionimin e pavarur të KQZ-së në mbështetje të përmbushjes së autoritetit që i ka dhënë ligji tanimë kur anëtarësia e saj është e plotë. Koalicioni sjell publikisht në vëmendje të KQZ-së se duhet të mblidhet dhe të miratojë sa më parë dy auditët teknicienë të cilët janë personat kyç që i sigurojnë KQZ-së informacionin e duhur përsa i përket ndërhyrjeve që mund të bëhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtarë të Gjendjes Civile përgjatë gjithë procesit të hartimit të listës së zgjedhësve.
Ligji zgjedhor iu jep vetëm këtyre dy auditëve teknicienë akses të posaçëm për verifikimin e procedurave të ndjekura, që është jo më i vogël sesa aksesi që ka vetë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Gjendjes Civile.
KVV sqaron se raportimet dhe misioni që kanë auditët teknicienë kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen e besimit të dy krahëve më të mëdhenj politikë mbi rregullsinë e procesit të përgatitjes së listave, por në rradhë të parë janë syri vëzhgues i KQZ-së nëse aktorët, që detyron ligji në këtë proces korrektimi, pastrimi dhe hartimi të listave, sillen dhe veprojnë konform kërkesave dhe detyrimeve që parashikon ligji e veçanërisht Kodi Zgjedhor.
Koalicioni sjell në vëmendje të Kryetares së KQZ-së dhe Nënkryetarit të saj se Kodi Zgjedhor u jep atyre personalisht të drejtën e propozimit të këtyre auditëve, pas konsultimit me përfaqësuesit e partisë më të madhe të mazhorancës dhe asaj më të madhe të opozitës, por nuk i parashikon ata si përcjellës të emërimeve që bëjnë respektivisht partitë politike.
Kodi Zgjedhor parashikon si afat fundor të emërimit të këtyre auditëve prej KQZ-së datën 14 Janar 2015, vendim që nuk u morr pasi procesi as nuk kishte nisur për shkak të mungesës së nënkryetarit të KQZ-së.
Gjithashtu, Koalicioni sjell në vëmendje të gjithë anëtarëve të KQZ-së se Kodi Zgjedhor ka përcaktuar shprehimisht një afat për miratimin e "Rregullores së Organizimit dhe Funksionimit të KQZ-së", me qëllim vendosjen e kufirit kohë për të detyruar ata që të gjejnë vullnetin dhe unanimitetin e duhur. Koalicioni i kërkon anëtarëve të KQZ-së që  të shprehin vullnetin e duhur bashkëpunues me njëri-tjetrin për të shqyrtuar varianetet e mëparshme apo të draftojnë një rregullore të re dhe ta miratojnë sa më parë atë.
"Miratimi i kësaj rregulloreje, e cila kërkon shumicë të cilësuar prej të paktën 5 votash pro, është një akt thelbësor jo vetëm për mbështetjen e punës së KQZ-së mbi një akt të vlefshëm ligjor[5], por është njëkohësisht edhe shumë domethënës lidhur me sjelljen e anëtarëve të KQZ-së, përsa i përket miratimit të akteve të nevojshme me unanimitet të plotë, apo për sjelljen e duhur të tyre si pavarur dhe të orientuar vetëm nga ligji përgjatë këtij procesi zgjedhor", përfundon njoftimi për mediat.
/k.m/ /a.g/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqje