KVV: Lista e zgjedhësve jo në
kohën e duhur, KQZ të marrë masa

KVV: Lista e zgjedhësve jo në<br />kohën e duhur, KQZ të marrë masa
TIRANË - Nga monitorimi që ka bërë Koalicioni i vëzhguesve vendorë rezulton se një pjesë e njësive vendore nuk i kanë shpallur listat e zgjedhësve në afatin kohorë të përcaktuar nga ligji. Këto lista duhet që të ishin shpallur që në datën 14 janar 2015 por një gjë e tillë nuk është bërë.
 
Në këto kushte koalicioni i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë informacion të plotë mbi ecurinë e këtij procesi si dhe të ndërmarrë hapat nevojshëm në bashkëpunimin me institucionet e duhura për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimeve ligjore lidhur me procesin e hartimit, saktësimit dhe shpalljes së listave të zgjedhësve, në ushtrim edhe të detyrimit të vet KQZ-së për të mbikqyrur procesin më të rëndësishëm përgatitor të infrastrukturës zgjedhore, i cili garanton drejtëpërdrejtë të drejtën kushtetuese të qytetarit për të votuar.


Deklarata e plotë e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë
Më datën 14 janar 2014 të gjitha Zyrat e Gjendjes Civile pranë Njësive të Qeverisjes Vendore (NJQV) duhet të publikonin në ambientet e tyre ose në ambientet pranë tyre, por që kanë akses të lirë për publikun, ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhorë, pra Listat e Zgjedhësve, të Qendrave të Votimit që janë në juridiksionin  e këtyre zyrave.
 
Në Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 364 datë 16.12.2014 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes Vendore”, në pikën 12 të tij thuhet se: “Zyrat e gjendjes civile në bashki /komuna /njësi bashkiake, brenda datës 14.1.2015 printojnë dhe, pasi të firmoset nga kryetari përkatës, publikojnë ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhorë të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial. Ekstraktet e përbërësve zgjedhorë, me të njëjtat kritere, do të printohen dhe publikohen edhe çdo 30 ditë sipas përcaktimit të Kodit Zgjedhor”.
 
Ndryshe nga sa parashikohet në Kodin Zgjedhor, udhëzimi i Ministrit të Brendshëm nuk e përmend fare detyrimin që rrjedh prej Kodit Zgjedhor që “Publikimi bëhet në ambientet e zyrave të gjendjes civile ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun”.
 
Madje udhëzimi është i paqartë dhe lë shteg për interpretim të ndryshëm nga ai i Kodit Zgjedhor, pasi sipas tij Zyrat e Gjendjes Civile mund të bëjnë publikimin e listave “sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial”.
 
Ky lloj interpretimi jo vetëm që është në shkelje të Kodit Zgjedhor, por është i paqartë dhe është jo-efikas në qëllimin e tij për informimin e qytetarëve. Kjo paqartësi shtohet akoma më shumë nëse merret parasysh fakti se administrata dhe drejtuesit e NJQV-ve kanë pak ose aspak njohuri lidhur me parashikimet e Kodit Zgjedhor.
Për më tepër, duke qenë se për këtë proces Kodi Zgjedhor ngarkon Ministrin e Brendshëm për të nxjerrë Udhëzim të Posaçëm, kjo administratë dhe këta drejtues të NJQV-ve i referohen posaçërisht vetëm këtij udhëzimi.
 
Vështirësitë logjistike në të cilat mund të hasë zbatimi me korrektësi i publikimit të listave, sikundër parashikohet në Kod, duhet të ishin marrë në shqyrtim më parë nga Ministria e Brendshme e cila në bashkëpunim me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore, të kishin adresuar zgjidhjen e duhur që më parë.
Këto vështirësi (siç mund të jenë mungesa e hapësirave në zyrat e gjendjes civile, ose mungesa e hapësirave pranë tyre apo mungesa e stendave që mund të vendoseshin pranë tyre, etj), janë evidente prej kohësh, dhe këto institucione janë vënë në dijeni së paku që prej zgjedhjeve të shkuara parlamentare të 2013-s, nga informacionet e strukturave të veta në varësi, nga raportimet që kanë bërë vetë drejtuesit e NJQV-ve apo edhe nga raportimet publike të bëra nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë.
 
Në një situatë të tillë nisi procesi i hartimit dhe saktësimit të listave të zgjedhësve i cili do të zgjasë deri më datën 11 Maj, kur mbyllet hartimi i listës përfundimtare për Zgjedhjet Lokale të 21 qershorit 2015.
 
Koalicioni po monitoron[2] procesin e shpalljes së ekstraktit të parë të përbërësve zgjedhorë si dhe ka marrë kontakte me drejtues të ndryshëm të Njësive të Qeverisjes Vendore si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile (DPGJC).
 
Koalicioni vlerëson përmirësimin e dukshëm në komunikimin, transparencën dhe angazhimin paraprak të DPGJC-së për të siguruar zhvillimin në kohë të procesit, i cili në një pjesë të mirë të NJQV-ve nisi në kohë[3] dhe konform detyrimit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
 
Por nga monitorimi i bërë vërehet se një pjesë e Njësive të Qeverisjes Vendore nuk i shpalli këto lista në afatin e kërkuar nga ligji, madje disa prej tyre vazhdojnë ende mos t’i kenë shpallur[4].
 
Nga monitorimi i kryer deri më tani rezulton se :
 - disa NJQV ia faturuan mosshpalljen e listave mungesës së bazës materiale;
 - disa NJQV ia faturuan mosshpalljen e listave mosmbylljes ende të proceseve të pastrimit apo verifikimeve të nevojshme nga vetë zyrat e Gjendjes Civile.
 - për disa NJQV nuk u bë e mundur marrja e informacionit mbi arsyen e mosshpalljes së listave;
- disa NJQV deklaruan se i kishin shpallur listat pranë Qendrave të Votimit, në kundërshtim me sa parashikohet dhe detyron Kodi Zgjedhor.
Por nga verifikimi që u bë në disa nga Qendrat e Votimit të disa prej këtyre NJQV-ve, rezultoi se listat nuk ishin shpallur as pranë QV-ve sikundër ishte deklaruar.
 
Koalicioni i kërkon Ministrisë së Brendshme të udhëzojë drejt sikundër parashikohet në Kodin Zgjedhor, Njësitë e Qeverisjes Vendore si dhe Zyrat e Gjendjes Civile për mënyrën dhe vendin e shpalljes së listave të zgjedhësve.
 
Ministria e Brendshme të ushtrojë autoritetin e vet për të ndihmuar Zyrat e Gjendjes Civile dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore, për të përmbushur detyrimet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor lidhur me realizmin më të mirë të këtij procesi, si dhe duke i furnizuar ata mjaftueshëm me bazën e nevojshme materiale, qoftë për printimin e listave, qoftë edhe për afishimin e tyre në stenda të posaçme, apo për nevoja të tjera që mund të paraqiten.
 
Koalicioni i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë informacion të plotë mbi ecurinë e këtij procesi si dhe të ndërmarrë hapat nevojshëm në bashkëpunimin me institucionet e duhura për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimeve ligjore lidhur me procesin e hartimit, saktësimit dhe shpalljes së listave të zgjedhësve, në ushtrim edhe të detyrimit të vet KQZ-së për të mbikqyrur procesin më të rëndësishëm përgatitor të infrastrukturës zgjedhore, i cili garanton drejtëpërdrejtë të drejtën kushtetuese të qytetarit për të votuar.
 


[1] Neni 51, pika 4 e Ligjit Nr. 10 019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar me Ligjin Nr. 74/2012 datë 19.07.2012: “Jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, pas miratimit nga kryetari i njësisë vendore, printojnë dhe publikojnë ekstraktin e përbërësve  zgjedhorë të të gjithë shtetasve që kanë vendbanim në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e çdo zyre. Publikimi bëhet në ambientet e zyrave të gjendjes civile ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun”
[2] KVV po e kryen këtë monitorim mbi bazën e ndarjes së 61 bashkive të reja, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale. Emrat e bashkive që përmenden i referohen NJQV-së së sotme që me ndarjen e re është përcaktuar si qendra e bashkisë së re. Ndërkohë emrat e komunave i referohen komunave ekzistuese. Tabelën e ndarjes së re administrativ-territoriale mund ta gjeni tek: http://www.reformaterritoriale.al/images/presentations/Tabelat.pdf 
[3] Nga monitorimi rezultoi se listat janë shpallur në bashkitë Belsh, Berat, Bulqizë, Delvinë, Divjakë, Fier, Fushë-Arrëz, Gramsh, Kolonjë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Libohovë, Librazhd, Memaliaj, Patos, Pogradec, Pukë, Roskovec, Selenicë, Tepelenë, Tropojë, Ura Vajgurore, Njësia Bashkiake Nr. 11, Tiranë, etj.
[4] Si në Prrenjas, Njësia Bashkiake Nr. 2 Tiranë, Komuna Farkë.
[5] Si në Dibër, Elbasan, Këlcyrë, Klos, Mat, Përmet.
[6] Njësia Bashkiake nr. 9 ia faturoi vonesën verifikimeve të nevojshme që duheshin bërë lidhur me adresat e Qendrave të Votimit të ngritura në ambiente private. Bashkia Sarandë ishte ende duke bërë pastrimin e listës nga personat mbi 100 vjeç. Për shkaqe të ngjashme u vonua shpallja e listës dy-tre ditë më pas si në: Mallakastër, Malësi e Madhe, Njësitë Bashkiake Nr. 1, 6 dhe 7.
[7] Si në Cërrik, Devoll, Durrës, Has, Himarë, Kavajë, Konispol, Korçë, Kuçovë, Kukës, Livadhja, Lushnjë, Peqin, Rrogozhinë, Vlorë, Njësia Bashkiake Nr. 2, Njësia Bashkiake Nr. 10, etj.
[8] Si në Gjirokastër, Dropull, Vau i Dejës, Komuna Shpirag, Komuna Shtimë, Shkodër, Njësia Bashkiake Nr. 5 Tiranë.
[9] Si në Shkodër  dhe Njësinë Bashkiake Nr. 5 Tiranë.

Tiranë, më 17 Janar 2015!

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS