KVV:Mosmiratimi i ZAZ-ve bllokon
procesin përgatitor të zgjedhjeve

KVV:Mosmiratimi i ZAZ-ve bllokon<br />procesin përgatitor të zgjedhjeve
TIRANË - Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi ditën e sotme një deklaratë lidhur me bllokimin që po has procesi përgatitor i zgjedhjeve të ardhshme vendore.

 Ky bllokim lidhet me mosmiratimin ende të Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), për shkak të mosndryshimeve të disa dispozitave të Kodit Zgjedhor të cilat janë të domosdoshme pas miratimit të ligjit të ri të ndarjes administrativo-territoriale.

Për rrjedhojë është i pamundur ndërtimi i Komisioneve të nivelit të dytë të administrimit të procesit zgjedhor, pra i Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), anëtarët e të cilave duhet të propozohen në KQZ prej PS, PD, LSI dhe PR ditën e sotme, sipas afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
 
Deklarata thekson rëndësinë e këtyre komisioneve të cilat, jo vetëm janë përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor brenda Zonave të Administrimit Zgjedhor, por në rastin e Zgjedhjeve Lokale kanë përgjegjësi të shtuara dhe të posaçme, pasi pranë tyre bëhet regjistrimi i kandidatëve për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë, si dhe janë ato të cilat shpallin kandidatët fitues për Kryetar Bashkie.
 
Në këtë deklaratë Koalicioni bën edhe disa sugjerime lidhur me draftin e paraqitur në Kuvend nga katër deputetë të mazhorancës për miratimin e ZAZ-ve të reja, duke sjellë në vëmendje respektimin e procedurës për t’u bazuar mbi numrin e zgjedhësve me të drejtë vote të njësive administrative sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, si dhe respektimin e kriterit të numrit të përafërt të zgjedhësve për çdo zonë zgjedhore.
 
Në përfundim të Deklaratës, Koalicioni kërkon marrjen në shqyrtim dhe miratimin sa më parë të ndryshmeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor, por thekson se, në kushtet e pamundësisë për një Komision të Posaçëm Parlamentar, është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe miratimi i përbashkët i këtyre ndryshimeve nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës, duke ruajtur traditën institucionale të bashkëpunimit në këtë proces, si një shenjë besimi reciprok në përcaktimin e kuadrit rregullator të garës elektorale të ardhshme.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen