KVV:Përzgjedhja e kreut të ri të KQZ
domosdoshmëri, proces transparent 

KVV:Përzgjedhja e kreut të ri të KQZ<br />domosdoshmëri, proces transparent 
Koalicioni i Vëzhguesve Vendor përmes një letre të hapur ka kërkuar përzgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pasi një gjë e tillë sipas KVV-së do të sillte më shumë transparencë.

Në letrën e hapur që KVV ka bërë të ditura edhe për mediat, thuhet se jo më vonë se data 18 shtator 2016, KQZ duhet të shpallë vakancën dhe të bëjë thirrjen e hapur për dorëzimin e aplikimeve prej të gjithë kandidatëve të interesuar për këtë pozicion.

Po ashtu, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë thotë se, edhe përpara procesit të emërimit të Kryetares aktuale të KQZ-së, i ka bërë thirrje drejtuesve politikë dhe të grupeve parlamentare për një proces përzgjedhje të kandidaturave sa më transparent dhe jashtë ndërhyrjeve politike.

Sakaq, KVV thotë se Kodi Zgjedhor parapërcakton një seri kriteresh që kandidatët garues do të duhet të plotësojnë, por sipas tij këto kritere nuk janë të mjaftueshme.

Ja letra e hapur e KVV-së për këtë çështje
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV), si një grupim organizatash që punojnë në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, e ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë punën dhe performancën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që prej konstituimit të tij në vitin 2012, sipas amendimeve të fundit të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Monitorimi i kryer është shoqëruar me Raporte periodike mbi proceset zgjedhore, Deklarata në nxitje të mbarëvajtes së proceseve ligjore dhe Qendrime Publike mbi vërejtjet ndaj ecurisë institucionale jo vetëm të KQZ-së, por edhe të aktorëve të tjerë në raport me mirëfunksionimin e saj.
Hartimi i këtyre Dokumentave dhe Qendrimeve Publike të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë është bërë në funksion të qëllimit për të siguruar mbarëvajtjen ligjore të proceseve dhe në raport me standardet demokratike, duke i kushtuar rëndësi jo thjesht evidentimit të problematikave dhe gravitetit të tyre, por në rradhë të parë, qëndrimit konstruktiv për forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të KQZ-së si një institucion i pavarur dhe i fortë, i cili ka si sfidë të tij, përveç mirëadministrimit të procesit zgjedhor, edhe  financat e partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe procesin e dekriminalizimit.
Sipas Kodit Zgjedhor, mandati 4 vjeçar i Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aktual mbaron me datë 18.10.2016. Për këtë arsye, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, jo më vonë se data 18 shtator 2016, duhet të shpallë vakancën dhe të bëjë thirrjen e hapur për dorëzimin e aplikimeve prej të gjithë kandidatëve të interesuar.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, edhe përpara procesit të emërimit të Kryetares aktuale të KQZ-së, me anë të një Letre të Hapur i ka bërë thirrje drejtuesve politikë dhe të grupeve parlamentare për një proces përzgjedhje të kandidaturave sa më transparent dhe jashtë ndërhyrjeve politike.
Kjo për shkakun se Kryetari i kësaj trupe është jo vetëm votë përcaktues në vendimmarrjen e institucionit, por, si titullari i tij, është ai që dikton frymën dhe qasjen e gjithë institucionit ndaj përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe një përformancë sa më të lartë në arritjen e standardeve më të mira europiane.
Në mbështetje edhe të kritikave ndaj procesit të shkuar të përzgjedhjes prej Parlamentit të Kryetarit të KQZ-së dhe ecurisë së deri më sotme institucionale të këtij institucioni,
KVV Ju bën thirrje sërish për të konsideruar si mjaft të rëndësishëm ecurinë e këtij procesi, dhe në linjë edhe me angazhimet politike të shprehura publikisht prej jush, parashtron se ky proces përzgjedhje duhet të sigurojë së paku:
 - transparencë sa më të plotë të profileve të kandidatëve garues;
- zhvillim të seancave plenare dëgjimore me tërë kandidatët që plotësojnë kriteret;
- parashtrim të platformave institucionale prej kandidaturave garuese;
- përfshirje në seancat dëgjimore të grupeve të interesit dhe organizatave të përfshira në monitorimin e Komisionit Qendror të Zgjedheve.
Kodi Zgjedhor parapërcakton një seri kriteresh që kandidatët garues do të duhet të plotësojnë. Këto kritere, në gjykimin e KVV-së, nuk janë të mjaftueshme për përzgjedhjen e titullarit të këtij Institucioni të rëndësishëm në frymën që mbart Kodi Zgjedhor duke lënë shumë vend për diskrecionalitet dhe votim politik në vlerësimin e kandidaturave.
Edhe në këtë moment, KVV sjell në vëmendjen tuaj domosdoshmërinë e vendosjes së disa kritereve të tjera udhëzuese përgjatë vlerësimit të kandidaturave.    Këto kritere të shtuara do të duhet të vlejnë si indikatorë sa më objektivë dhe të sigurojnë së paku:
- apolitizmin në profilin dhe përvojën profesionale të kandidatit për Kryetar;
- ekspertizën dhe njohjen prej kandidaturës së punëve dhe çështjeve zgjedhore;
- formimin profesional të kandidaturës mbi mbarëvajtjen kushtetuese dhe institucionale;
- integritetin sa më maksimal të personit dhe të etikës së tij profesionale;
- pasjen e përvojave të mëparshme institucionale.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë Ju bën thirrje që në vazhdën e angazhimeve tuaja për forcimin e institucioneve dhe, në veçanti të pavarësisë dhe paanshmërisë së institucioneve të pavarura e konkretisht të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të ushtroni autoritetin tuaj ndaj strukturave të përfaqësuese të partisë dhe strukturave parlamentare për të siguruar një proces përzgjedhës transparent dhe larg ndërhyrjeve politike.
 
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Rikthim në 2008-n, pse u rimbyllën listat e deputetëve?!

Ylli Pata: Rikthim në 2008-n, pse u rimbyllën listat e deputetëve?!