KVV: Politizimi i KQZ-së, proces që
cenon zgjedhjet dhe demokracinë

KVV: Politizimi i KQZ-së, proces që<br />cenon zgjedhjet dhe demokracinë
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) në ndjekje të ecurisë së procesit për zgjedhjen e Kreut të ri të KQZ-së, publikoi një deklaratë në të cilën vë në dukje se procesi në konkludim për përzgjedhjen e Kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paraqitet, tashmë, si një dështim i frymës dhe i aspiratave të Reformës Zgjedhore të vitit 2012 dhe si një kërcënim ndaj çdo procesi reformues legjislativ.

Në këtë Deklaratë, KVV sjell në vëmendje se një nga reformat më të rëndësishme zgjedhore ka qenë Reforma Zgjedhore e vitit 2012, e cila u realizua pas dy procesesh zgjedhore të kontestuara fort dhe pas një situate politike tejet konfliktuale, veçanërisht në vitet 2010-2011.

Risia e kësaj reforme, ndër të tjera, ishte aspirata për ndërtimin në të ardhmen e një trupe jopolitike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke filluar me pozicionin e Kryetarit të KQZ-së.

Koalicioni, si i vetmi aktor vendas që ka ndjekur në mënyrë të pandërprerë prej vitit 2012 e deri tani konstituimin e KQZ-së, veprimtarinë e saj si dhe të gjitha proceset e ndodhura ndërkohë, thekson se ka kritikuar publikisht plotësimin e 4 vendeve të KQZ-së prej propozimeve nga PD dhe PS të cilët kanë qenë “de fakto” emërime prej tyre pasi kanë qenë kandidatura të vetme, duke i dhënë një natyrë të balancimit politik institucionit.

Në kontekstin e atëhershëm të 2012 mund të mirëkuptohet momenti i përzgjedhjes politike të Kryetarit të KQZ-së, por tashmë pas  katër vitesh, dy procesesh zgjedhore të përgjithshme dhe 7 të pjesshme, kritikat për vendimmarrje të njëanëshme politike të trupës së KQZ-së kanë qenë të shumta, nga aktorët ndërkombëtarë dhe vendas. Gjithashtu edhe përfaqësues të lartë politikë në deklaratat e tyre e kanë pranuar këtë fakt. 

Në këtë situatë, KVV deklaron se prezumimi i pavarësisë së këtij institucioni, i konkluduar si i rremë, përpos se ka ushqyer akuzat e ngushta politike, ka deligjitimuar dhe deformuar proceset zgjedhore dhe demokratike.

Mënyra e zhvillimit të procesit deri më sot duke konkluduar në dy kandidatura që i shkojnë seancës plenare dhe pandjeshmëria e treguar ndaj shqetësimeve të ngritura dhe frymës së ligjit prej komisionit parlamentar dhe mazhorancës qeverisëse në rradhë të parë, është një tregues aspak pozitiv lidhur me aspiratën e Reformës Zgjedhore të vitit 2012 për një Institucion të Pavarur, i cili ndër të tjera ngre pikëpyetje serioze jo vetëm për administrimin e duhur të proceseve zgjedhore të ardhshme, por veçanërisht lidhur me dhënien e paanshme të drejtësisë zgjedhore, sigurimin e kontrollit të financave të partive politike dhe përmbushjen në mënyrën e duhur të detyrimeve në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

Në përfundim KVV, në linjë edhe me vullnetin e shprehur për depolitizim të administratës zgjedhore, megjithë kohën jo të shumtë në dispozicion, konkludon se do të ishte i domosdoshëm depolitizimi dhe rishikimi i statusit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kjo përqasje është një urgjencë që i ngarkohet të gjithë faktorëve politikë parlamentarë. Këta faktorë duhet të shohin tek domosdoshmëria për rikonceptimin e Institucionit të KQZ-së jo thjesht pranimin apo jo të rezultatit të procesit zgjedhor të ardhshëm, por ardhmërinë dhe ndarjen njëherë e mirë nga politika e politizimit dhe pasjes në kontroll të çdo institucioni të pavarur.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Punonjësi i dyqanit kapet në video duke vjedhur biletën fituese 1 milion dollarë të klientit në SHBA

Punonjësi i dyqanit kapet në video duke vjedhur biletën fituese 1 milion dollarë të klientit në SHBA