Këndi i Ekspertit/ Emigrantët, kushtet që duhen plotësuar për të marrë pension

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë për pensionet e emigrantëve. Profesor Kepi ka sqaruar se cilat janë kushtet që duhen plotësuar nga emigrantët që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, për të përfituar pension në vendin tonë dhe cilat janë procedurat që duhen ndjekur. Ai ka sqaruar edhe se si tërhiqet pensioni nga emigrantët dhe se a përfitojnë emigrantët nga indeksimi i fundit me 2,8% i përllogaritjes së pensionit. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Do të flasim sot për pensionet e emigrantëve. Cilat janë kushtet që duhen plotësuar nga emigrantët që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, për të përfituar pension në vendin tonë. Cilat janë procedurat që duhen ndjekur? Si tërhiqet pensioni nga emigrantët? A përfitojnë emigrantët nga indeksimi i fundit me 2,8% i përllogaritjes së pensionit? Duhen dokumente shtesë?

Në vendin tonë, sipas të dhënave të përafërta, ka rreth 1.800.000 emigrantë. Pjesa më e madhe e tyre kanë emigruar në votet 1990-1991 dhe ata që kanë qenë në moshën 30-35 vjeç në atë periudhë, këtë vit i afrohen moshës së pensionit, burrat 65 vjeç dhe gratë 60 vjeçe e 10 muaj. Kushti për të marrë pension në vendin tonë është që duhet të kenë të paktën 15 vite pune të siguruara. Në këtë rast pensioni është i pjesshëm, jo i plotë. Ndërsa për të përfituar pensionin e plotë duhet të kenë ai burrat ashtu edhe gratë 36 vite e 8 muaj punë të siguruar, por edhe më shumë. Këtë vit, nga të dhënat që ka Instituti i Sigurimeve Shoqërore, parashikohet që të dalin në pension 27.000 persona, pra rreth 75 persona në ditë. Padyshim, që një pjesë e këtyre personave janë emigrantë.

Legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore i merr në mbrojtje emigrantët. Kushtet për të dalë në pension i kanë të njëjta, si personat që janë në emigrim, ashtu edhe ata që jetojnë në vendin tonë. Emigrantët kanë të drejtë që të bëjnë sigurime shoqërore vullnetare për të shtuar vitet e punës sepse kur kanë emigruar kanë qenë në moshë të re dhe, si rrjedhim, kanë pasur pak vite pune në Shqipëri. Kështu që, për t’i shtuar vitet e punës, nga data 1 janar e vitit 1994 dhe deri në ditën kur dalin në pension, emigrantët kanë të drejtë që të bëjnë sigurime shoqërore vullnetare, njëlloj si personat që jetojnë në Shqipëri, nga mosha 18 vjeç dhe pavarësisht nga gjinia. Por, për të paguar kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore duhet që të kenë nënshtetësinë shqiptare ose të kenë dy nënshtetësi. Ata persona që nuk e kanë më nënshtetësinë shqiptare, mund të paguajnë kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore për atë periudhë kohore gjatë së cilës e kanë pasur nënshtetësinë shqiptare dhe kanë qenë në emigrim. Që nga dita që personit i hiqet nënshtetësia shqiptare dhe në vijim, ai nuk ka më të drejtë që të paguajë kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore.

A përfitojnë emigrantët nga indeksimi i fundit me 2,8%? U duhen dokumente shtesë në rast se përfitojnë?

Emigrantët që kanë dalë në pension dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, përfitojnë edhe shpërblimin për festat e fundvitit, pa shtuar asnjë dokument. Njëkohësisht përfitojnë edhe nga Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për indeksimin e pensioneve” në masën 2,8%, ata persona që data 1 prill 2019 i ka gjetur në pension. Edhe në këtë rast nuk duhet asnjë dokument shtesë nga pensionistët.

Një moment tjetër i rëndësishëm është tërheqja e pensioneve. Pensioni mund të tërhiqet në çdo kohë, por brenda 36 muajve. Merret edhe pensioni, edhe indeksimet e reja, edhe shpërblimet për festat e fundvitit, të cilat përcaktohen nga Këshilli i Ministrave me vendime të veçanta.

Po në rast se kalohet afati prej 36 muajsh, çfarë ndodh?

Në rast se një person vjen në Shqipëri pas 37 muajve, merr pagën e pensionit për 36 muajt e fundit dhe atë për 1 muaj nuk mund ta marrë. U sugjeroj të gjithë emigrantëve që na ndjekin, por edhe të afërmve të tyre që jetojnë në Shqipëri, që të jenë më të kujdesshëm dhe të veprojnë sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që të mos humbasin as edhe një lek nga pensioni i tyre. Në rast se dikush e shkel këtë afat kohor të përcaktuar me ligj për tërheqjen e pensionit, asnjë gjykatë nuk mund ta ndihmojë sepse kemi të bëjmë me shkelje të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore. Nëse një person që banon jashtë Shqipërisë nuk mundet që të vijë për të tërhequr pensionin e tij, fare mirë mund të autorizojë me anën e një dokumenti ligjor, një familjar të tij apo një të afërm të tij që t’i tërheqë pensionin pranë Zyrave të Postës Shqiptare, brenda afatit kohor të përcaktuar nga Ligji për Sigurimet Shoqërore. Dokumenti ligjor i duhur në këtë rast, është një autorizim i noterizuar, me të cilin familjari mund të veprojë për 6 muaj dhe asnjë ditë më shumë.

"Kam punuar në shtypshkronjë si faqosëse, me plumb, për 22 vite. Kam 1 vit që kam dalë në pension, por pensioni më ka dalë i ulët, 10.200 lekë të rinj në muaj. Kur punoja kisha trajtim të veçantë sepse puna ime vlerësohej si profesion i rëndë. Si pasojë e atij profesioni kam edhe probleme shëndetësore. Dua të di, ajo vështirësia e profesionit nuk llogaritet fare tani?"

Vitin e kaluar, kur zonja ka dalë në pension, gjithsej duheshin 36 vite e 4 muaj punë e siguruar, për të përfituar pension të plotë pleqërie. Zonja ka pasur 22 vite pune dhe si pasojë, ka përfituar 61% të pensionit të plotë. Profesionet e vështira, ku hyn edhe profesioni i zonjës, janë hequr para disa viteve, nuk njihen më si të tilla. Vitet e punës në këto profesione njihen si vite pune të zakonshme. Profesione të kategorisë së parë ose shumë të vështirë kanë mbetur disa, si p.sh. minatorët e nëntokës, personat që kanë punuar në nëndetëse, personat që punojnë në art dhe në cirk, pra valltarët dhe akrobatët e cirkut, si edhe disa profesione të tjera. Për profesionin ku ka punuar zonja, është hequr vështirësia. Nëse zonja nuk bindet nga sqarimi im, atëherë ka të drejtë që t’i shkruajë një ankesë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

"Flas nga Korça. Kam mbushur moshën 60 vjeçe në muajin prill. Kam punuar në Greqi për 15 vite. Kam paguar të gjitha kontributet e duhura. A përfitoj pension?"

Zonja del në pension në moshën 61 vjeçe, pra në muajin prill të vitit 2020. Për të përfituar pension në vendin tonë duhen minimalisht 15 vite punë të siguruar, ndërsa vjetërsia e plotë e punës për të përfituar pension të plotë është 37 vite pune të siguruar, nga mosha 16 vjeç.

Në Greqi, nëse punon e siguruar, ka dy kategori sigurimesh shoqërore, njëra është IKA dhe tjetra ENSIMA. Për të përfituar pension në Greqi, duhet e pakta që zonja të ketë 4.500 ENSIMA. Aktualisht nuk ekziston marrëveshja ndërmjet Greqisë dhe vendit tonë, për të njohur reciprokisht vitet e punës dhe për t’i bashkuar ato. Kjo marrëveshje nuk ekziston as me Italinë. Shteti ynë, në mënyrë të vazhdueshme, po bën përpjekje qoftë me Italinë, qoftë me Greqinë, për të realizuar një marrëveshje të tillë. Kështu që zonja duhet të interesohet në Greqi sesa ENSIMA ka realizuar atje, në mënyrë që të marrë pensionin për vitet e punës që ka punuar në Greqi. Ndërsa në Shqipëri do të përfitojë pension vitin tjetër, nëse ka realizuar 15-37 vite pune të siguruara. Në qoftë se zonja nuk i ka të gjitha vitet e punës që i duhen për të përfituar pension të plotë në vendin tonë, dhe nëse ka dëshirën dhe mundësitë financiare, duhet të interesohet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore përpara se të plotësojë moshën e daljes në pension dhe të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore për t’i plotësuar të gjitha vitet e punës dhe të përfitojë pensionin e plotë të pleqërisë. Për sqarime më të detajuara, i sugjeroj zonjës që të interesohet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të Korçës.

"Flas nga Vlora. Jam 65 vjeç. Kam punuar rreth 13 vite në ushtri. Pensionin suplementar nuk e kam marrë ende, edhe pasi ka dalë vendimi i gjykatës për 3 vite me plotësim page kalimtare. Gjithsej kam 31 vite pune."

Zotëria është 65 vjeç, pra ka plotësuar moshën për të dalë në pension. Në vitin 2019, për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj pune të siguruara. Zotëria ka 31 vite dhe si rrjedhojë, do të përfitojë 81% të pensionit të plotë. Tashmë zotëria nuk ka të drejtën që të paguajë kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore sepse e ka mbushur moshën e daljes në pension.

Zotërisë i takon që të marrë edhe pension suplementar meqenëse ka punuar si ushtarak. Ligji me nr. 10142, i datës 15 maj 2009, ia jep këtë të drejtë. Në këtë ligj thuhet: “Të gjithë personat që kanë punuar si ushtarakë, do të marrin pension suplementar sipas nenit 16, i cili thotë: për çdo vit që personi ka punuar si ushtarak efektiv, paguhet me 1% të pagës mesatare referuese neto”. Pra zotëria për 13 vite pune si ushtarak, përfiton 13% të pagës mesatare si pension suplementar. Vërtetimin për pagës mesatare zotëria duhet që ta marrë në Ministrinë e Mbrojtjes ose në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nëse ka punuar si efektiv policie ose në drejtoritë përkatëse nëse ka punuar si efektiv ushtarak në polici të tjera. Në bazë të këtij formulari që ka numrin 31, Sigurimet Shoqërore bëjnë përllogaritjet e pensionit suplementar. Pensioni suplementar jepet gjithnjë kur personi ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë. Paga e pensionit suplementar nuk mund të kalojë gjysmën e pagës së pensionit të pleqërisë, pra arrin deri në 50% të pensionit të pleqërisë. Sqarime më të hollësishme zotëria mund të marrë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të Vlorës.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë

Cilat janë përfitimet shëndetësore që vijnë nga konsumimi i çokollatës së zezë