Në kuadër të 1 Majit, kryeministri Edi Rama citon Bankën Botërore, sipas të cilës "Shqipëria ka krijuar në vitin 2018 më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës që u krijuan vjet në rajon"!

Kreu i qeverisë thotë se "papunësia ka rënë më shumë se 6% qyshse morëm detyrën".

"Akoma shumë për të bërë, po askush s'ka bërë dhe s'bën dot kurrë sa ne. Krenar për PS",- përfundon kryeministri.

Më herët në mëngjes, Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë punëtorët në ditën e 1 Majit, përmes një video ku tregohet se si përmes portalit qeveritar Open Data mund të informoheni për të dhëna mbi ekonominë, arsimin, financat, taksat, e të tjera fusha me interes publik.

"Me këtë video-informacion mbi opendata.gov.al ku çdokush mund të informohet në kohë reale me të dhëna për qeverisjen, ekonominë, arsimin, financat, taksat, shëndetësinë e të tjera fusha me interes, ju uroj 1 Maj të Gëzuar", shkruan Rama në rrjetin social Facebook.