Pronari i Chelsea, Todd Boehly ka kontaktuar personalisht me presidentin e Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelaifi, në një përpjekje për të nënshkruar me Kylian Mbappe, në huazim ose me një blerje përfundimtare. E marta shënon ditën kur Mbappe do të marrë një bonus besnikërie prej 60 milionë eurosh te PSG, një moment që mund ta shtyjë francezin të marrë një vendim për të ardhmen, teksa më herët refuzoi ofertën 1 miliardë euro nga Al-Hilal në Arabinë Saudite.
Mediet në Londër bëjnë me dije se Chelsea kërkon me ngulm sulmuesin, që është shpallur 'non grata' nga PSG. “Burimet thanë se Boehly ka kërkuar që të sjellë Mbappe në huazim dhe një marrëveshje të përhershme, edhe pse supozohet se 24-vjeçari ka një parakontrate me Real Madridin për t'u transferuar në Spanjë verën e ardhshme. Përfshirja personale e pronarit e ka kënaqur PSG-në për mundësinë reale të arritjes së një marrëveshjeje", shkruajnë mediet.
Afrimi i mundshëm i Mbappe te Chelsea duket se ka nervozuar Armando Brojën, me sulmuesin e Kombëtares që do ketë një rival shumë të fortë për një vend në formacionin e Bluve, gjithmonë nëse transferimi realizohet.