Barcelona regjistroi sot një fitore bindëse në shtëpi ndaj Mallorcas, në kuadër të raundit së 23-të në La Liga, duke triumfuar me rezultat të thellë 3-0.
Skuadra katalanase e mori kontrollin e ndeshjes që nga minutat e para dhe e dominoi lojën në të gjitha aspektet. Megjithatë, Mallorca pati rastin e parë serioz, kur Vedat Muriqi u gjend pranë golit, por sulmuesi shqiptar nuk arriti ta konkretizojë mundësinë nga pranë.
Barcelona u zhbllokua në minutën e 29-të, kur Robert Lewandowski realizoi pas një asistimi të saktë nga Dani Olmo. Olmo ishte protagonist edhe në golin e dytë, duke asistuar Lamine Yamal, i cili shënoi një supergol në minutën e 61-të.
Fitorja u ‘vulos’ në minutën e 83-të nga talenti Bernal, pas një bashkëpunimi të bukur me Fermin Lopez.
Me këtë fitore, Barcelona vazhdon të kryesojë kampionatin spanjoll me 58 pikë, ndërsa Mallorca mbetet në pozitën e 15-të me 24 pikë.
Komente








