Vedat Muriqi është duke përjetuar sezonin më të mirë me fanellën e Mallorcas në La Ligan spanjolle të futbollit, teksa këtë të shtunë shënoi edhe dy gola të tjerë. Sulmuesi i Kosovës i dha epërsinë Mallorcas në udhëtim kundër Osasunës, me golin e tij të minutës së 35-të. Një gabim në largimin e topit nga portieri vendas, Herrera, bëri që sfera të përplasej në trupin e Vedatit dhe më pas të ndalej në rrjetë.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Muriqi mori një pasim nga Sergi Darder, udhëhoqi topin, dribloi dy mbrojtës dhe me të majtën e ndali sferën në rrjetë për një gol shumë të bukur.

Me këtë dopietë Muriqi e çon në 18-të numrin e golave në La Liga për këtë sezon, duke qenë i dyti në listën e golashënuesve në Spanjë.

Para tij është vetëm Kylian Mbappe i Real Madridit me 23 gola, ndërsa talenti i Barçës dhe ylli i Spanjës, Lamine Yamal, ka shënuar 13 gola duke qenë në vendin e tretë. 'Pirati' Muriqi po kalon një formë shumë të mirë duke qenë shpresa e madhe për shpëtimin e sezonit të Mallorcas.