TIRANË-Vendimi i GJKKO që pezulloi zv. kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku 19 nëntorin e vitit të kaluar nuk ishte antikushtetues dhe nuk cenoi ndarjen apo balancimin e pushteteve.
Ky është argumentimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese, e cila zbardhi këtë të martë vendimin e plotë të datës 6 shkurt, kur e ndarë në barazim 4 me 4 la në fuqi pezullimin e Ballukut, tashmë të shkarkuar nga Kryeministri Rama.
Ashtu siç njëzëri vendosi një muaj më parë, Gjykata Kushtetuese edhe në argumentimin e plotë të vendimit e thotë se ministri ka imunitetin e deputetit kur bëhet fjalë për autorizimin për arrestim apo kontroll personal dhe nuk përfiton nga përjashtimet e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për masën e pezullimit.
"Masa e pezullimit sipas nenit 242 të KPP-së nuk cenon lirinë personale dhe nuk prek të drejta themelore në kuptim të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës (integritetin personal dhe banesën), ndaj nuk mund të krahasohet me masat e imunitetit të listuara në Kushtetutë. Ajo synon mbrojtjen e integritetit të procesit penal, duke parandaluar rrezikun që ushtrimi i funksionit publik ekzekutiv të pengojë hetimin", citohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por më pas Gjykata është ndarë në qëndrimin nëse duhet kërkuar apo jo leja e Kuvendit për pezullimin e ministrave. Sipas qëndrimit të votuar nga Kryetarja Fiona Papajorgji dhe gjyqtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Marjana Semini, balancimi ndërmjet interesit publik për ndjekje penale efektive e ushtrimit të funksionit gjyqësor dhe atij për garantimin e funksionimit efektiv të pushtetit ekzekutiv kërkon detyrimisht ndërmjetësimin e Kuvendit, nëpërmjet autorizimit paraprak të tij.
“Pra, nevoja për të balancuar këto dy interesa publikë që konkurrojnë ngushtë me njëri-tjetrin bën të nevojshëm mekanizmin zhbllokues të autorizimit të organit legjislativ”, thuhet në arsyetimin e 4 gjyqtarëve, që konsiderojnë si interes publik qoftë ushtrimin e ndjekjes penale, qoftë në këtë rast ushtrimin e detyrës së ministrit"
Ndërsa qëndrimi tjetër, i votuar nga Marsida Xhaferllari, Genti Ibrahimi, Asim Vokshi dhe Ilir Toska, pretendimi i Kryeministrit në kërkesën e tij se pezullimi cenon ndarjen e pushteteve, pasi ndikon në funksionimin e Këshillit të Ministrave, mbështetet në një premisë jo të saktë, pasi masa drejtohet ndaj individit dhe jo ndaj institucionit. Në këto raste thonë 4 gjyqtarët Kushtetues ministri i pezulluar mund të zëvendësohet.
"Kompetencat e institucionit mbeten të paprekura dhe mund të ushtrohen sipas mekanizmave kushtetues të zëvendësimit, duke garantuar vijimësinë e funksionimit të pushtetit ekzekutiv. Efektet faktike që një masë procedurale mund të ketë mbi ushtrimin e përkohshëm të funksionit ekzekutiv nuk përbëjnë, në vetvete, cenim të ndarjes së pushteteve, për sa kohë organet e drejtësisë veprojnë brenda kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore"
Duke theksuar se ministri mban përgjegjësi politike përpara Kuvendit për ushtrimin e funksioneve të tij qeverisëse, njëkohësisht ai mban edhe përgjegjësi penale individuale, në rast se gjatë ushtrimit të detyrës kryen vepër penale. Imuniteti nuk përbën privilegj personal thonë 4 anëtarët e Kushtetueses, por një garanci funksionale që synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës publike.
Duke pasur parasysh rolin e Kuvendit për kontrollin mbi ekzekutivin, miratimin apo shkarkimin e një anëtari të qeverisë, sipas këtij qëndrimi gjykata e lë të hapur mundësinë që pezullimi të mund të bëhet përmes autorizimit të Kuvendit, fakt që i ndau barazim më 6 shkurt, por jo me Kushtetutën aktuale. Që të ndodhë ligjvënësit mund të ndryshojnë ligjin themelor të vendit.
“Në përmbledhje të argumenteve të mësipërme, masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës publike, sipas nenit 242 të KPP-së, ndaj një ministri nuk mund të kërkojë autorizim paraprak të Kuvendit dhe nuk përfshihet në garancitë e imunitetit, pasi: a) nuk përfshihet në listën e masave të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës; b) normat për imunitetin interpretohen ngushtë dhe nuk lejojnë zgjerim ose krijim të normave të reja nëpërmjet interpretimit; c) arkitektura aktuale kushtetuese ofron garanci të mjaftueshme kundër ndjekjes penale arbitrare për motive politike; ç) efektet faktike për ushtrimin e funksionit nuk synojnë institucionin, por individin që dyshohet se nëse vijon kryerjen e detyrës mund të dëmtojë rëndë hetimin penal dhe nuk përbëjnë, në vetvete, cenim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve . Për këto arsye, interpretimi i zgjeruar i mbrojtjes kushtetuese përtej rasteve të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2, nuk gjen mbështetje në tekstin, frymën dhe arkitekturën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në respekt të epërsisë së Kushtetutës dhe të kufijve që ajo vendos për ushtrimin e pushtetit publik, shtimi ose zgjerimi i rasteve kur kërkohet autorizim paraprak i Kuvendit nuk mund të realizohet nëpërmjet interpretimit gjyqësor, por vetëm nëpërmjet një ndërhyrjeje të shprehur në nivel kushtetues.
Dy prej gjyqtarëve, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, në një qëndrim paralel arsyetuan se në fakt kërkesa e Këshillit të Ministrave duhej refuzuar apriori si e pabazuar pasi nuk kishte asnjë përplasje kompetencash.
Në një kohë kur Belinda Balluku tashmë është e shkarkuar si zëvendëskryeministër dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë këto argumente të Kushtetueses pritet të impaktojnë debatin mbi propozimin e mazhorancës për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale dhe të ndalojë pezullimin e anëtarëve të qeverisë apo disa institucioneve të tjera kushtetuese.

Kliko këtu për dokumentin e plotë
Komente











Pra sipas kesaj si i bie qe edhe ajo pacavure qe kane cuar ne parlament per te zgjeruar nenin 242 me kryeminister, avokat populli, president, guvernator etc. nuk do pije uje apo jo?!
Përgjigju