ROME - "Papa Françesku viziton shtetin më mysliman të Europës për të ngjallur dialogun ndërfetar." Me këtë frazë e ka nisur shkrimin e saj, gazeta italiane “La Stampa”.

Kryetari i Komunitetit të Shën Egidio, Marco Impagliazzo dhe ish-presidenti i Fucit, Stefano Ceccanti kanë analizuar lajmin e dhënë gjatë kësaj javë për vizitën e Papës në Shqipëri. Ata e kanë cilësuar vendin tonë shumë të dashur për Kishën Katolike, sepse këtu besimtarët janë persekutuar si në asnjë vend tjetër në botë, sidomos pasi diktatori Enver Hoxha në vitin 1967 e shpalli Shqipërinë vendin ateist të parë në botë. 

Në shkrim shtohet se ende nuk dihet nëse ka arsye të tjera, përtej asaj që tha Papa në Angelus, në lidhje me vizitën e tij në Shqipëri më 21 shtator, duke përmbushur udhëtimin e tij të parë apostolik në Evropë.

"Por, ajo që sigurisht është e rëndësishme nga ky udhëtim i parë në Evropë, qëndron në faktin se Papa nuk është drejtuar në vendet e mëdha katolike, por në një vend periferik në largësi, me pak peshë ekonomike dhe politike." thotë Impagliazzo.

Ndërkohë, sipas Stefano Ceccantit vizita e Papës në Shqipëri ka dy aspekte pozitive.

“Nga aspekti fetar është një mirënjohje e bashkëjetesës fetare pasi në Shqipëri prej vitesh jetojnë në paqe besimtarë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Në aspektin politik, vizita është  një  legjitimim i një vendi që ka arritur një normalizim dhe tashmë pas shumë vitesh është pranë marrjes së statusit kandidat në BE.” tha Ceccanti 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)