Në vendimin e gjykatës urdhërohet që të arrestuarit Altin Piroli, t’i kryhet një vizitë mjekësore nga psikiatri, me qëllim qartësim e përgjegjësisë së tij në këtë krim të rëndë, që trondit qytetin e Laçit. Sipas prokurorisë së Laçit, autori i krimit Piroli ka qëlluar dy viktimat me dy pistoleta luftarake, teksa vëllezërit ishin duke pirë kafe në një lokal. Piroli ka hyrë disa herë në lokal dhe ka dalë sërisht, por herën e fundit që ka hyrë, ka hapur zjarr në drejtim të dy vëllezërve Cara, duke i shkaktuar atyre vdekjen. Në raportin hetimor të prokurorisë theksohet se Piroli ka qëlluar plot 18 fishekë, ndërsa në momentin e arrestimit i janë sekuestruar 15 fishekë në xhepin e xhupit.
“Më bënë presion”
I pyetur rreth vrasjes së dy vllezërve, si para policise gjyqesore ashtu edhe para prokurorit, i arrestuari ka pranuar faktin se ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasit Genti Cara (Enri Duka) dhe Andrea Cara, duke dhënë edhe shpjegime të tjera mbi rrethanat e kryerjes së veprës. Sa i përket motiveve të vrasjes, i arrestuari Altin Piroli, pretendon se këtë veprim e kishte kryer për shkak të presionit që kishin ushtruar viktimat mbi të. Njëkohësisht i arrestuari shpjegon se ka vuajtur nga sëmundje mendore dhe për këtë, ai është vizituar tek mjekët neurolog në qytetin e Laçit dhe në Tiranë, madje është shtruar 2 javë edhe në spitalin nr.5 Tiranë.
Qëlloi me dy armë
Në interes të sqarimit të rrethanave të vrasjes, policia gjyqësore ka marrë deklarime nga punonjësit e lokalit, të cilët kanë qënë dëshmitarë okulare, dhe e kanë parë gjithë skenën e ndodhjes së krimit. Altin Piroli ka hyrë dhe dalë disa herë nga lokali, dhe në një moment, rreth orës 8:30, Altini ka hyrë përsëri dhe pasi ka nxjerrë nga brezi dy pistoleta, ka qëlluar me to, Gent Carën dhe Andrea Carën të cilët në ato momente kanë qënë ulur në tavolinë duke pirë kafe në këtë lokal.
Në momentin kur disa persona kanë ardhur dhe kanë marrë të dëmtuarit dhe i kanë nxjerrë jashtë për ti dërguar për ndihmë mjekësore, kanë parë Altin Pirolin me dy pistoleta në dorë i cili, ka vajtur dhe i ka qëlluar përsëri të plagosurit, edhe në momentin që ato ishin jashtë lokalit, ku po futeshin në makinë për ti transportuar në spital.
Granata në shtëpi
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, policia gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit të veprës, Altin Piroli, dhe pikërisht në dhomën e tij të gjumit, ka gjetur dhe sekuestruar edhe një granatë dore ngjyrë jeshile, e cila është sekuestruar me cilësinë e provës materiale për ekzaminime të mëtejshme në laborator. Nga sa më sipër, nga verifikimet e bëra nga prokurori, rezulton se nga policia gjyqësore, janë respektuar drejt dispozitat ligjore të parashikuara nga nenet 251, 252 dhe 255 te K.Pr.Penale, që kanë të bëjnë me arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar Altin Piroli.
Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)