Laçi ia doli të fitonte 0-1 kundër Skënderbeut në Korçë në 'finalen' e Kategorisë së Parë duke merituar trofeun e kampionit. Suksesi u festua të martën në sheshin e qytetit, teksa tifozët e kurbinasve ishin të shumtë në numër për të parë nga pranë futbollistët.
I gjithë ekipi i Laçit, u ngjit në podium së bashku me kryebashkiaken Majlinda Cara, e cila ngriti Kupën bashkë me kapitenin Arlind Kurti, mes një atmosfere të zjarrtë dhe tingujve të muzikës.
“Moment krenarie. Në Laç nuk u festua thjesht marrja e një trofeu. Festuam për shpirtin e garës dhe për karakterin e një ekipi që nuk dorëzohet kurrë, që mund të ‘rrëzohet’, por di të ringrihet më i fortë. Festuam për tifozërinë. Festuam për qytetin. Drejt sukseseve të reja në Superligë”, shkruan kryebashkiakja Majlinda Cara në kanalet e komunikimit.
Laçi arriti një fitore emocionuese në Korçë, duke mundur 0-1 Skënderbeun me golin e kapitenit Arlind Kurti të hënën dhe u shpall kampion i Kategorisë së Parë.
Komente










