Tradita e peshëngritjes në qytetin e Laçit mungon, por pasioni që po e ushtrojnë të rinjtë së fundmi ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Në fundjavë në këtë qytet u mbajt kampionati kombëtar për të rinj, nga mosha 12 deri në 17-vjeç, me pjesëmarrjen e 70 sportistëve të ndarë në disa kategori. Tek 35 kilogramët triumfoi Jornis Çela, 45 kilogramë Bruno Çela dhe në kategorinë 55 kilogramë Bojken Çela. Ky aktivitet u mbështet nga bashkia e Laçit, ndërsa për të ndjekur garat prezent ishin edhe drejtues të federatës, por mbi të gjithë Enkileda Carja, peshëngritësja e talentuar e cila ka nderuar Shqipërinë si në arenën evropiane ashtu edhe botërore.

“Shoh pjesëmarrje nga sportistat e rinj dhe mbi të gjitha edhe rezultate të mira. Shpresoj që edhe ata të bëhen kampionë një ditë dhe të vazhdojnë me të njëjtin pasion që e kanë nisur,”-u shpreh Enkileda Carja, peshëngritëse.

“Peshëngritja në zonën tonë nuk ka qenë më herët. Është hera e parë që është themeluar një ekip. Peshëngritjen e kam në zemër dhe të më pyesësh mua bëhen të gjithë peshëngritësa,”-tha Florenc Çela, trajner i peshëngritjes.

“Nuk ka ndodhur me herët një pjesëmarrje kaq e madhe me këta fëmijë nga 12-17 vjeç. Sporti nuk është vetëm sport, është shëndet, ekonomi. Është turizëm,”-deklaroi Elez Gjoza, president i FSHP.

Fituesit në kampionatin kombëtar të moshës 12 deri në 17 vjeç do të përfaqësojnë Shqipërinë, në kampionatin evropian për të rinj që do të zhvillohet në Prishtinë.