Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Durrës ku shoqërohej edhe nga ministri Arben Ahmetaj, inspektoi edhe punimet që po kryhen për ndërtimin e lagjes së re të Spitallës.
Duke parë ecurinë e punimeve, Kryeministri tha se lagjja e re në përfundimin do të jetë një nga lagjet më të bukura të Durrësit, ku çdo grupmoshë do të gjejë hapësirën e saj të munguar prej dekadash në infrastrukturat e vjetra dhe të rrënuara tashmë.
Kryeministri u shpreh se Spitalla nuk do të jetë më kënetë, por një lagje supermodel, ku çdo gjë do të ndërtohet nga e para me standarde europiane.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët që janë në pritje të hyjnë në shtëpi, në apartamente, ta shohin që këtu nuk bëhet fjalë për ardhje në kënetë, këtu bëhet fjalë për ardhje në një lagje supermodel. Pa diskutim do të jetë lagjja më e bukur e Durrësit, pasi këtu do të ndërtohet gjithçka nga e para dhe nuk do të ketë nga ato ndërtimet e së kaluarës, një pa leje këtu e një pa leje atje. Infrastruktura do të jetë e gjitha me standarde si në lagjet europiane. Nga pikëpamja e kubaturave dhe arkitekturës flet vetë projekti. Do të jenë të jenë të gjithë hapësirat e nevojshme për parkingje. Shkolla kopshti, çerdhja, qendra shëndetësore, plus lidhja që do të bëhet me magjistralen, do të jetë një nga ato lagjet rezidenciale që janë jo në zemër të qytetit, po që janë në kufij të tij dhe janë të preferueshme nga pikëpamja mjedisore. Me EkoParkun, me Parkun Fotovoltaik që do të prodhojë energji të pastër diellore, me Zonën Ekonomike që është poshtë, me kampusin universitar dhe me stadiumin e ri, është e gjitha një botë e re që po lind këtu dhe po zhvillohet. Brenda paraverës së ardhshme do të jetë një realitet.
Të gjithë ata që do të marrin apartamente këtu, do të vazhdojnë të qëndrojnë me qira në apartamente të paguara nga shteti. Ndërkohë të gjithë ata që do të dëshirojnë të hyjnë në apartamente, duke lënë gjënë e tyre do të marrin 100% të kubaturës që kanë. Çka është më e rëndësishme, kush do të vijë në këtë lagje do t’i bëjë një dhuratë të madhe fëmijëve të vet, sepse çfarë ne kemi trashëguar në shumë vite zhvillimi kaotik, në përgjithësi, ka goditur më fort pikën më të dobët, që janë fëmijët, pasi s’ka hapësira e s’kanë mundësi që të dalin dhe të lozin nëpër lagje të pakërcënuar nga kaosi dhe nga makinat. Çdo gjë këtu për fëmijët do të jetë fantastike. Edhe për të moshuarit do të jetë fantastike, sepse edhe nga pikëpamja mjedisore, edhe nga pikëpamja e cilësisë së ajrit dhe e shëndetit është shumë më mirë këtu sesa në qendër. Pa llogaritur faktin që sot e gjithë ditën, kush është afër portit jeton në një zonë të ndotur, që edhe ajo do të marrë fund. Porti tregtar do të spostohet komplet tutje dhe aty do të bëhet një port turistik që do të jetë shpëtimi.
Ne nuk e kemi zotësinë të rregullojmë cilësinë e diellit. Këtë zotësi e kanë ata që i premtuan Durrësit rritjen e cilësisë së diellit dhe i lanë vatra kancerogjene nga të katër anët. Por ne kemi mundësinë që të themi sot, me plot gojën që cilësia e ajrit në Durrës do të jetë e përmirësuar në mënyrë eksponenciale dhe cilësia e jetës në Durrës do të jetë përmirësuar në mënyrë eksponenciale. Me investimet e mëdha, qoftë publike, qoftë private dhe me investimin kryesor afro 2 miliardë euro në port, Durrësi do të hyjë në këtë dekadë në hartën e Mesdheut si një nga pikat në tokë nga Mesdheu ndër më të preferuarat. Kjo nuk diskutohet”, u shpreh kryeministri Rama.
Lajmi kryesor: