PERMET- Ka rezultuar fatale kjo e diel për një 20 vjecar nga Fieri i cili është mbytur në ujërat e Lumit Vjosë në Përmet teksa lahej me dy shokët e tij. Selman Hoxha është emri i të mbyturit i cili rreth mesditës është mbytur në Lumin Vjosë në vendin e quajtur Skutaraq në lagjen e re të Përmetit.  Hoxha ndodhej në Përmet për pushime te motra e tij. I riu pasi është hedhur në lumë ka notuar disa minuta dhe më pas ai nuk është dukur më.
Shokët e tij të cilët kanë konstatuar mungesën e shokut të tyre janë hedhur menjëherë në lumë për ta kërkuar, por s’kanë mundur ta shpëtojnë.
Burimet nga vendgjarja thonë se 100 metra më poshte lumi nxori në sipërfaqe trupin e Hoxhës, por përsëri ai është fundosur në thellësi.
Menjëherë është njoftuar policia ku dhjetë punonjës policie si dhe shumë banorë kanë kërkuar për orë të tëra në dy anët e Vjosës, si dhe në disa gropa të thella të këtij lumi. Kërkimet u ndërprenë rreth pasdites për shkak të rrjedhës së fuqishme të lumit. Pritet ndërkohë ardhja e skuadrës së polumbarëve të Reneas nga Tirana.
(pn/ns/shqiptarja.com)