Sekretet e artit mitik të Lahutës së Kreshnikëve në dosjen e UNESCO

Sekretet e artit mitik të Lahutës së Kreshnikëve në dosjen e UNESCO

Lahuta e Kreshnikëve

Përgatitja e dosjes për t'u shpallur pasuri botërore “Epika e Kreshnikëve” përfshin edhe traditën dhe ruajtjen e mjeshtërisë së punimit të instrumentit të lahutës, instrument muzikor shoqërues i këngëve të kreshnikëve por sepse janë vepra arti të mirëfillta. Nga studiuesit nuk ka patur vëmendjen e duhur ornamentika dhe gdhendjet e artit arkaik popullor të figurave mitike në këtë instrument të lashtë shoqëruesi i vetëm muzikor i Epikës së Kreshnikëve.

Faktor që na janë ruajtur instrumente muzikore të lahutës me moshë një apo edhe dy shekullore (ndoshta edhe më shumë) janë edhe kulti që kishte ky instrument tek popullsia bartëse e traditës së Ciklit të Kreshnikëve. Së pari, edhe kur instrumenti muzikor bëhej i pa përdorshëm nga dëmtimet e vjetersisë, ai nuk thyhej, nuk digjej, nuk tretej (flakej), por ruhej me respekt në ndonjë qoshe të shtëpisë, kryesisht në tavanet e banesës fshatare.

Duke i vlerësuar këto tabu, që lidheshin me këtë instrument me vlera arti, duhet të kuptojmë edhe më shumë rëndësinë që ka gjurmimi dhe vlerësimi i tematikës dhe figurave që janë gdhendur në kokat e këtij instrumenti të lashtë, si pjesë e artit të lashtë kultik të paraardhësve tonë.

Nga gjurmimi i kryer dhe fotografimi i shumë prej këtyre instrumentave të vjetër, që ruhen kryesisht në dorën e rapsodëve dhe të koleksionistëve, pamja është më shumë interes dhe befasuese. Gdhendja më e zakonshme që kanë lahutat, është koka e dhisë. Është pranuar nga studiuesi, që kjo vjen nga shenjëterimi i dhive të egra briarta, që mbajnë e ruajnë fuqinë e Zanave të mitologjisë iliro-shqiptare, ndoshta pasuese të dhisë Amalte, që ushqente perenditë.

Duhet të vëme në dukje se kryet (koka) e dhisë është e pranishme në lahutat edhe të popujve të Malit të Zi, Bosnjes dhe Kroacisë, kurse figurat e tjera që po paraqesim këtu, nuk i gjejmë në këtë instrument tek popujt e tjerë të sipërpërmendur, prandaj kanë vlerë si tipologji të ardhura dhe ruajtura nga trashëgimia shqiptare këtu në krijime të artit të kulturës materiale, ashti si dhe në vargjet e Ciklit Shqiptar të Kreshnikëvë të ruajtura në mentalitetin dhe besimin e qenieve mitike e kultike në mijravjeçarë nga etnija shqiptare.

Në gdhendjet me artin arkaik të lahutave kemi dhe figura të sfondit mitik me rol aktiv të zanave dhe orëve të cilat i ndihmojnë, i ruajnë prej rreziqesh, i këshillojnë dhe i mbrojnë heronjët iliro-shqiptar të Ciklit të Kreshnikëve. Ora e Mitologjise Shqiptare.

Rasti më interesant është gdhendja e qenies mitike shqiptare: Ora. Orën e shohim të gdhendur në një lahutë të shek. XIX, sipas përshkrimit që ka në tekstin gojor të trashëguar brez pas brezi nga rapsodët. Ora për malësorin e veriut të tokave shqiptare luan një rol të rëndësishëm. Orë kanë fiset, vllazëritë dhe trimat e shquar.

Deri në mesin e shek XX malësorët ne mëngjez sapo zgjohen thoshin lutjen: Ndihmo Ora e Fisit. Kur kreshniku Mujo është i plagosur në luftë të përgjakshme me sllavët , në shtratin e lëngimit e ruajnë Ora, gjarpëri dhe bisha. Kënga orën e përshkruan: Te kryet trimit ora po rrinë, Gja e vogël Ora që po ishte Si dy rrfe n’ball dy sy m’i kishte Dy herë rresht s’mund ta kqyrje.

Këtë figurë mitologjike e hasim të gdhendur në lahutë në skulpturë rrumbullaket me dy sy mbrenda dy unazave, bebja e syrit është në formë maje shigjete, veshë të theksuar, por të dallueshëm si jo njerzor, me një qendrim gati për veprim. Me sa jemi në dijeni ora në këtë lahutë që po paraqesim edhe në foto, ka qenë e shpeshtë në lahutat e bregut të djathtë të Drinit. Në këtë instrument me traditë të lashtë kemi të gdhendur edhe vetë rapsodin si bartës i këtyre mijëra vargjeve të këtij cikli. Në foton që po paraqesim me këtë subjekt nga një lahute nga malësia e Pukës, vëmë re që tek figura e rapsodit, sytë e tij janë të padritë, të patheksuar si organ i fytyrës, por jo me gropëzim, pra pa theks që mungojnë. Kjo është e lidhur me vetë ceremoninë e të kënduarit, ku rapsodi përqëndrohet në botën mitike dhe mistike të këngës me zërin e tij dhe tingullin muzikor të instrumentit.

Aty dëgjohet, nuk shikohet. Vlen të përmendet, se është konturuar qartë qeleshja tipike e malësorëve edhe kjo e trashëguar si elementë i veshjes etnike shqiptare nga lashtësia. Gjarpëri që e hasim rëndom ne reliev dhe skulpturë në artin ilir e deri në ditët tona, tek lahuta e kemi të nderlidhur me konturet e trupit gjarpër me kokën antropomorfe (njerzore). Fotoja këtu paraqet një kokë lahute të gdhendur. Në vështrimin volumor vëmë re nje mjeshtëri gdhendje që ka një koncept dhe nivel të lartë artistike, megjithse ka dalë nga dora e një amatori.

Kjo figurë pasqyron gjarpërin shërues që i mjekon plagët Gjergj Elez Alise dhe Kryekreshnikut Mujo, sipas vetë rapsodive që ruan ku cikël. Sipas Profesor Zymer Nezirit, këngët e Epikës Legjendare janë monumenti më i madh i poezisë gojore shqiptare dhe ky epos ende bën jetë të gjallë, kryesisht në viset malore në Shqipëri, në Kosovë e në Mal të Zi, ndërkaq për nga forma dhe origjinaliteti ai është një nga eposet e fundit të gjalla në Evropën Juglindore. Lahuta si pjesë e pandarë e ketij eposi është një instrument muzikor i domosdoshëm për gjallesën e ketij Cikli, por është edhe vepër arti arkaik tradicional popullor që mbart subjekte mitike të panteonit të lashtë iliro-shqiptar.

Kjo pasuri artistike skulpturore me tematike mitike e trashëguar nga shekuj e mijëravjeçar, që na ka ardhur me këto objekte muzikore dhe artistike me vjetersi nga periudha e fundshekullit XIX e me parë, besoj se do vlerësohet dhe studiohet për të zënë vendin e sajë në trashëgiminë kulturore të popullit tonë. Eshte një teme tjetër ndryshimi i tematikës dhe figurave të gdhendura në shumë nga lahutat e popujve të Ballkanit që nga fillimi i shekullit XX, ndër to edhe nga punuesit shqiptar të lahutave nga mesi i këtij shekulli e në vazhdim.

Fotografitë janë sjellë për “Shqiptarja.com” nga Jaho Brahaj.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar