E dramatizuar përmes personazheve dhe duke bërë pjesë të shfaqjes edhe rapsodin popullor dhe interpretimin e drejtpërdrejtë në lahutë, vepra e Gjergj Fishtës, “Lahuta e malcis”, e cilësuar shpesh edhe si Iliada shqiptare erdhi në një formë të re për publikun. Shfaqja u realizua me regji të Kol Kunorës dhe interpretimet e aktorëve Mark Hilaj, Mario Paloka, Keslin Perdoda, Alesia Alcani dhe Gerald Ndreca, ndërsa një element i veçantë ishte prania e lahutarit Pretash Nilaj (Mjeshtër i Madh), i cili ndërthuri tingujt e lahutës me interpretimin teatror, duke krijuar një përvojë autentike dhe emocionale për publikun.
“Gjatë kohës që kam marrë përsipër këtë projekt, kam kuptuar se sa pak e njoh Fishtën. Kemi dëgjuar përciptazi për Fishtën, por kjo është t’i hysh me themel vargjeve të tij. Është një mënyrë e mirë të popullarizohet Fishta”, tha aktori Mark Hilaj, actor.
“Fishta është një nga aktorët që ka qenë në kohë I vështirë për t’u interpretuar nga të rinjtë. Me kalimin e kohës, duke hyrë në tekst është ndjenja më e bukur që mund të përjetojë një lexues”, tha Keslin Perdoda aktore.
“Ka qenë peshë e rëndë për ne. Donim ta përcillnim ashtu siç nuk është dhënë ndonjëherë. Nuk është kollaj t’i shprehësh siç duhet vargjet e tij, sepse është shumë e rëndësishme të shkojnë te publiku, ashtu siç ai ka dashur. Është indicie e mirë, që veprat e Fishtës të dramatizohen”, tha Mario Paloka aktor.
Regjisori Kunora u shpreh se vënia në skenë e “Lahutës së Malcis” ka qenë një ëndërr e tij, ndërsa në këtë shfaqje janë përzgjedhur dhe dramatizuar pjesët kryesore të veprës, ato që lidhen kryesisht me Lezhën.
“Nga 20 e ca mijë vargje që janë, diku te 800 vargje kemi rregulluar. Jam munduar të ndërthur ngjarje. Jo të gjitha ngjarjet i kap, por ato më pikantet. Jam mundur të përfshij edhe pjesët që lidhen me Lezhën tonë”, tha Kol Kunora regjisor.
Ky realizim artistik, që zgjati rreth 60 minuta, erdhi si pjesë e programit “Tetori Fishtjan”, kushtuar trashëgimisë së pasur kulturore të një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, At Gjergj Fishta.
Komente








