KORÇE-  Helikopteri i kompanisë private "Shega Air" që do merrte një nuse pëson defekt në Korçë bën ulje emergjente në mes të një blloku me pallate, pranë vendit të quajtur "Kryqëzimi i Ersekës" . Në momentin e incidentit, në bordin e helikopterit model "Agusta A 109 A" ka qenë piloti Altin Lama dhe dhëndri Gani Haxhija i cili këtë diel martohej me Dritjola Karadaku. Report Tv ka siguruar pamjet ekskluzive pak çaste pas momentit të incidentit ku siç shihni helikat e helikopterit civil të kompanisë "Shega-Air" janë ende në lëvizje. Nga pamjet duket dëmtimi në rrota si dhe te pjesa e bishtit.

(FOTOT - Helikopteri që bëri ulje emergjente)

Ngjarja është shënuar pranë Unazës së Qytetit të Korçës rreth orës 10:30 në një lulishte pranë blloqeve të banimit. Pranë vendit të ngjarjes ndodhet edhe një pikë karburanti, çka mund të rezultonte me pasoja të rënda nëse avaria do shkaktonte pamundësimin e uljes së helikopterit në sheshin e vogël të lulishtes. 


('Trendi' i transportimit të nuseve me helikopter)

Njoftimi i Policisë për ngjarjen: 


Korçë
Informacion paraprak

Më datë 05.08.2018, në afërsi të vendit të quajtur "Kryqëzimi i Ersekës", pranë Unazës në Korçë, si shkak i një manovrimi të gabuar në ulje, është rrëzuar në një shesh pushimi, helikopteri i një shoqërie private me pilot shtetasin A.L dhe pasagjer shtetasin G.H.

Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale të helikopterit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:00
Rrëzimi i helikopterit në Korçë, ja me çfarë u largua nusja pas incidentit (VIDEO)

Gani Haxhiaj dhe Dritjola Karadaku kishin vendosur të martoheshin sot në qytetin e Korçës. Për ta bërë ditën më të bukur dhëndri kishte menduar udhëtimin me helikopter.

Por për fat të keq, helikopteri ku udhëtonte edhe vetë dhëndri Haxhiaj, me pilot Altin Lamën, pësoi defekt në ajër dhe bëri ulje emergjente pranë Unazës së qytetit, në një bllok pallatesh. 

Pas këtij incidenti, Haxhiaj e ka marrë nusen me një "Audi Q7", siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv. 

Ora 12:17
Incidenti në Korçë/ Ja sa paguajnë çiftet për një udhëtim me helikopter në ditën e dasmës

Udhëtimet me helikopter ditën e dasmës janë kthyer në trend vitet e fundit. Por sa paguajnë çiftet për këtë shërbim? 

"Shqiptarja.com" mëson se për të prenotuar një udhëtim me helikopter të një kompanie private, si në rastin e "Shega Air" helikopteri i të cilit u zgjodh nga çifti i Korçës, paguhet jo pak.

Vetëm për një orë udhëtim në raste festash apo ceremoni dasme siç ndodhi sot çiftet paguajnë deri në 1800 euro në një orë. Kësoj shume i shtohen edhe 50 euro të tjera për çdo orë pritje. Pra, tarifa të kripura për një shërbim luksi disa orësh, aq më tepër kur në raste të caktuara, si ky i sotmi, vihet në rrezik gjithçka, edhe jeta. 

Ora 12:06
Bëri ulje emergjente, piloti i helikopterit flet për Report Tv: Pësoi defekt në ajër!

Altin Lama ishte piloti i helikopterit "Shega-Air" që bëri ulje të detyruar sot pranë Unazës së Korçës.

Në një prononcim për Report Tv, Lama tha se mjeti pësoi defekt teknik në ajër dhe ulja pranë lulishtes në Korçë ishte e detyrueshme. Sipas tij, nga incidenti nuk ka të lënduar, përveç dëmeve të mjetit.

Helikopteri ka bërë ulje të detyruar në Korçë. Shkaqet e kësaj ulje janë teknike. Nuk ka dëme në njerëz, ka dëmtime të lehta mjeti. 

Altin Lama, piloti i helikopterit



Piloti Altin Lama ka mbajtur detyra të rëndësishme në Forcën Ajrore. Ai ka qenë Shef i Sigurisë së Bazës Ajrore të Farjkës, detyrë nga e cila është shkarkuar dy vite më parë me vendim të ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Lama u shkarkua pasi ditën e tragjedisë në Liqenin e Shkodrës, ku pas rrëzimit të helikopterit të FA (EC 145) humbën jetën dy pilotët Donald Hoxha dhe Florian Delia, nuk ndodhej në detyrë, por po pilotonte një helikopter të një kompanie private, të të njëjtës, "Shega Air". 

Ora 11:16
Avaria e helikopterit në Korçë, dëshmitarja për Report Tv: Goditi pemën gjatë uljes, në shesh kishte mjaft njerëz

Një vajzë e re është bërë dëshmitare okulare e cila ka parë të gjithë skenën e avarisë së helikopterit në Korçë. Ajo tha për Report Tv se kishte parë helikopterin teksa ulej, i cili sipas saj goditi një pemë në lulishten pranë Unazës së qytetit të Korçës.


Helikopteri do merrte nusen në një dasmë që zhvillohej shumë pranë vendit të ngjarjes, ndërsa në momentin e rënies në shesh ka pasur mjaft njerëz, të afërm të çiftit që martohej.

Sa isha zgjuar nga gjumi kur po shihja nga dritarja e shtëpisë që erdhi helikopteri për të marrë nusen. I pashë bishtin në një pemë dhe më pas helikopteri ra. Kishte mjaft njerëz që ishin këtu rreth e rrotull, të afërm të çiftit.

Dëshmitarja për Report Tv