Kombëtarja shqiptare e futbollit merr një sinjal të rëndësishëm pozitiv nga Serie AItali. Kapiteni i kuqezinjve, Berat Gjimshiti, ka lënë pas dëmtimin e pësuar më 10 janar në sfidën mes Atalantës dhe Torinos, duke u rikthyer këtë javë në stërvitje të plotë me grupin bergamask.

Mbrojtësi i Atalantës shihet i gatshëm për të qenë sërish në dispozicion të trajnerit, madje nuk përjashtohet mundësia që të fillojë titullar në ndeshjen e radhës kundër Athletic Bilbaos, e cila do të luhet të mërkurën.

Ky rikuperim është një lajm i mirë jo vetëm për klubin italian, por edhe për kombëtaren shqiptare, e cila pak ditë më parë mori një tjetër sinjal pozitiv me rikthimin e Ardian Ismajlit te Torino.

Dëmtimet e mbrojtësve kishin krijuar shqetësim në fillim të janarit, por fatmirësisht asgjë nuk ka rezultuar serioze, duke i dhënë qetësi stafit dhe tifozëve të kuqezinjve në prag të angazhimeve të ardhshme në play-off-in e Botërorit (26 mars kundër Polonisë në Varshavë).