Lajmet e rreme për koronavirusin/ Rama: Infodemi! E gjithë bota në befasi (VIDEO)

Lajmet e rreme për koronavirusin kryeministri Edi Rama i ka quajtur infodemi. Ai tha se përveç titujve në media ka edhe një përpjekje të individëve të caktuar për të prodhuar alarme.

"Jemi në mbledhjen e radhës për të vazhduar diskutimin lidhur me përballimin e epidemisë së koronavirusit, për të cilin ende, nga momenti që flasim, nuk kemi asnjë rast të konstatuar, por, sidoqoftë, në linjë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e saj kemi kryer të gjitha hapat e përcaktuar, për të përgatitur përballjen me shfaqjen e mundshme të koronavirusit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Faktikisht, qysh prej muajit dhjetor, kur u shfaqën rastet e para në Kinë, e gjithë bota hyri në një situatë gjendjeje jo të zakonshme dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli emergjencën ndërkombëtare. Natyrisht, edhe ne, menjëherë filluam kontaktet e domosdoshme dhe në një botë që është gjithmonë e më e vogël për shkak të ndërveprimit gjithnjë e më intensiv, gjithkush është i ekspozuar ndaj riskut me një koeficient që gjithnjë i bashkohet sëmundjeve infektive, që është koeficienti i së panjohurës, që e bën sëmundjen edhe më të frikshme. E panjohura për origjinën, në rastin konkret dhe këtu sugjeroj të kemi parasysh Italinë fqinje, ku, edhe tani që flasim, ende vazhdojnë përpjekjet për të gjetur të ashtuquajturin “pacienti zero”, por edhe informacionet e përditësuara që merren në kohë reale nga Kina tregojnë për dyshime të vazhdueshme lidhur me origjinën e vërtetë të këtij virusi.

E panjohura tjetër është e panjohura për përhapjen dhe e vetmja gjë që dihet botërisht është se përhapja e këtij virusi është e shpejtë, por, p.sh., një nga pikëpyetjet që diskutohet sot është, si ka mundësi që vendet në kufi me Kinën nuk kanë ende asnjë rast të shfaqur dhe diskutimi vazhdon me mbase temperatura, mbase kjo, mbase ajo.

E panjohura tjetër është e panjohura për mënyrën e luftimit më efikas dhe pavarësisht përpjekjeve të ethshme dhe të koordinuara ndërkombëtarisht, ende nuk është arritur tek një vaksinë specifike për këtë virus specifik dhe sesa komentohet, kjo do të kërkojë akoma kohë.

Është një situatë që ka zënë në befasi gjithë botën. Një virus, përhapja e të cilit, për fat të keq dhe kjo është e pashmangshme, por gjithnjë e më problematike, po shoqërohet me atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron gjithashtu një rrezik serioz, infodeminë, pra, epideminë e lajmeve të pakonfirmuara, e lajmeve të rreme, e lajmeve që marrin dhenë dhe që influencojnë në mënyrë të jashtëzakonshme mbi qëndrimin e sjelljen e konsumatorëve të lajmeve.

Infodemia ka prekur mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe në mënyrë të pashmangshme ka prekur edhe Shqipërinë, por siç ndodh shpesh në Shqipëri, situata infodemike është shfaqur në më shumë sesa një formë. Rendja e ethshme për informacion përmes klikimeve që sjell shumëfishimin e titujve që përmbajnë fjalën koronavirus apo viktimë, si kudo, por, nga ana tjetër, edhe një karakteristikë jo fort e përhapur që shoqëron situatat infodemike në Shqipëri, përpjekja individuale apo e grupeve të caktuara për të shfrytëzuar frikën, për të nxitur panikun, për të prodhuar alarm të vazhdueshëm në funksion interesash mizerabël politike apo mediatike", tha Rama


Lajmi kryesor:

Koronavirusi/ Rama zbulon: Konvaleshenca e ushtarakëve në Durrës do të kthehet në karantinë (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori