TIRANË- Pasi dha dorëheqjen, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ‘përtypi’ të gjitha reagimet që shkaktoi dorëheqja dhe më pas u largua nga zyra e tij. Ish-ministri ka lenë ministrinë e Brendshme mbrëmjen e sotme, dhe nuk ka pranuar të flasë për gazetarët. Përgjigjen publikut dhe opozitës vendosi t'jua japë në Twitter.

 Në disa reagime të njëpas-njëshme në Twitter, Xhafaj shkruan se që pas dhënies së dorëheqjes ka marrë shumë mesazhe vlerësimi, si edhe falenderon të gjithë ata që i kanë shkruar.

“Këto orë kam marrë me qindra mesazhe vlerësimi dhe respekti për punën e bërë, nga qytetarë të vendit tim, por edhe miq e partnerë me të cilët punova. Një pjesë e madhe nga socialistë, me të cilët kam bërë rrugë të gjatë në jetën time. Shumica dërrmuese e mesazheve nga njerëz të panjohur prej meje.,“-shkruan Xhafaj.

Ish-ministri sfidon opozitën për të provuar akuzat në drejtim të tij, që nga sot që nuk është më ministër. Xhafaj thotë:

“Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër.“

Gjithashtu, Xhafaj thekson se i përbuz shpifjet e të gjithë atyre që s’kuptojnë se në politikë ka njerëz të lirë. Indirekt i përgjigjet Ramës për reagimin e tij sot në Lushnje, ku kryeministri tha se nuk ‘gjuhet’ dot me dorë shtëpia ku qendrojnë të gjithë.

“Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo.“,-mbyll ish-ministri reagimin e tij.

Reagimi i plotë i Xhafajt:

Këto orë kam marrë me qindra sms vlerësimi e respekti për punën e bërë, nga qytetarë të vendit tim, por dhe miq e partnerë me të cilët punova.Një pjesë e madhe nga socialistë, që kam bërë rrugë të gjatë në jetën time. Shumica dërrmuese e mesazheve nga njerëz të panjohur prej meje.

Ju jam sinqerisht mirënjohës për këto mesazhe inkurajuese. I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua.

Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër.

Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që s'mund të kuptojë dot se ka dhe njerëz në politikë që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time.Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo.

Ndërkohë që Rama tha sot nga Lushnja, pa e përmendur Xhafajn se: “Tani nuk je më i lirë se brenda në parti nuk i bën dot të gjitha. Se ka ca që thonë jam i lirë, jam i lirë. Je i lirë, po nuk i gjuan dot me gurë shtëpisë ku rrimë të gjjthë. Po gjuajte, ik dil nga shtëpia!”

Dorëheqja e Xhafajt nga posti ministror, vjen në një moment kur opozita vazhdonte ta lidhte atë me çështjen e të vëllait, Agron Xhafaj.

Lajmin për dorëheqjen e tij publiku e mësoi nga kryeministri Edi Rama, i cili shkroi mëngjesin e të shtunës se kishte pranuar dorëheqjen e Xhafajt, dhe se në vend të tij, drejtimin e një prej ministrive më të rëndësishme në vend do e merrte gjenerali Sandër Lleshi.

As Rama dhe as Xhafaj ende nuk kanë dhënë shpjegime mbi arsyet e mundshme të dorëheqjes, ndërkohë që opozita e lidh direkt këtë lëvizje me çështjen e përgjimeve të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Nëse Berisha, do e quante ‘kurban’ Xhafajn për të shpëtuar Vangjush Dakon, Basha e ka përshëndetur shkarkimin dhe e quan si ‘fillimin’ e shkërmoqjes së qeverisë Rama nga lidhja me krimin.

Ora 21:00/ Xhafaj ‘ngujohet’ në zyrë për 8 orë, pamje nga largimi i ish-ministrit/ Foto

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka qëndruar plot 8 orë në zyrën e tij.

Pasi hyri me vonesë në ambientet e ministrisë së Brendshme, Xhafaj reagoi në Tëitter, në orët e pasdites, ndërkohë që LSA sjell disa foto nga momenti kur Xhafaj lë ministrinë e Brendshme.

Për më shumë ndiqni fotogalerinë e mëposhtme