VLORE - Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme rreth orës 22:20 pranë Universitetit "Ismail Qemali" në lagjen "Skelë" të qytetit të Vlorës. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se ngjarja ka ndodhur në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit bregdetar, në një bllok banimi, duke shkaktuar panik te banorët vendas dhe pushuesit. Zona e "Skelës" dhe pjesa përgjatë "Lungomares" dominohen nga pushuesit vendas dhe të huaj, veçanërisht orëve të mbrëmjes, të cilët e shfrytëzojnë atë për shëtitje. 

Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar. Pranë vendit ku ka ndodhur përplasja me armë zjarri ndodhet edhe një minimarket. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën ku u regjistruan të shtënat. Blutë kanë krijuar perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoje arme tip pistoletë. 




(Vendi ku ndodhi ngjarja në Vlorë)

Identifikohen autorët, shpallen në kërkim
Burime për Report Tv thanë se janë identifikuar autorët e të shtënave. Policia vijon krehjen e zonës për arrestimin e tyre. Një prej personave të identifikuar është shtetasi L.B. Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave.   

Njoftimi i policisë për ngjarjen: 

Vlorë
Informacion paraprak

Më datë 06.08.2018, rreth orës 22:00, në lagjen ''Pavarsia 3'', janë dëgjuar 3 të shtëna me armë zjarri (pistolete), ku nga të shtënat paraprakisht nuk ka rezultuar të ketë persona të dëmtuar.

Si rezultat i reagimit në kohë të policisë janë identifikuar autorët dhe po punohet për kapjen e tyre. Grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.