TIRANE - Lirimi nga burgu e më pas rrëmbimi duke zhdukur një nga dëshmitarët kyç të procesit ndaj Arben Frrokut ka ngritur hije dyshime se si Enver Stafuka mundi t’i shmanget drejtësisë dhe pse u akuzua si autor i vjedhjes së automjetit BMW të përdorur në vrasje.

Më 13 nëntor 2013 ishte gjykatësja Anita Mici e cila firmosi pafajësinë e Enver Stafukës duke e lënë atë të lirë dhe pse ai së bashku me Gentjan Bejtjan u akuzuan për vjedhjen e automjetit BMW të Fatmir Lila me targë TR 19 44 F, mjet i cili u gjet një ditë pas vrasjes së Dritan Lamajt.

Anita Mici prej 10 vitesh është emëruar në radhët e gjyqtarëve, teksa pas mbarimit të Magjistraturës në grupin 2004-2005 ajo fillimisht është emëruar në Shkodër për tu transferuar në 2010 në Gjykatën e Durrësit.

Për vendimet e gjyqtares Mici Prokuroria ka bërë dhe më parë apelim duke i konsideruar lirimet e të pandehurve si flagrante, ku rasti i fundit i përket ish-Inspektorit të Mjedisit në qytetin e Durrësit të arrestuar në flagrancë për korrupsion.

Për të provuar akuzën e vjedhjes së automjetit nga Stafuka e më pas përdorimin e tij në vrasjen e Lamajt, Prokuroria kishte renditur një sërë faktesh mes tyre dhe pamje filmike ku automjeti fuoristradë në të cilin lëviznin Stafuka e Bejtja afrohet pranë BMW së parkuar nga Lila pranë një dyqani ëmbëlsirash, e marrin e largohen.

Po ashtu si provë përballë gjyqtares Anita Mici janë vendosur dhe qelizat e lëvizjes së telefonit me nr 06858345xx të Gentjan Bjetjat dhe nr 06868804xx të Enver Stafukës që kanë lëvizur në zonën ku u vodh mjeti dhe kanë përshkruar të njëjtin itinerar si mjeti i vjedhur, por as kjo s’ka bindur gjyqtaren për të dënuar të pandehurit.

Një tjetër provë e akuzës ka qenë dhe ajo e lëvizjes së qelizave të dy telefonave të pronarit që u vodh automjeti, por as kjo provë s’ka bindur Micin e cila ka firmosur pafajësinë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)