Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, ishte sot pranë disa zyrave të ALUIZNI-t për të ndjekur nga afër punën në terren të grupeve të punës që bëjnë matjet shtëpi më shtëpi.
 
Lame u ndal fillimisht në zonën e Ali Demit, ku mori pjesë në matjet që grupet e punës së specialistëve të ALUIZNI-t, po bënin në ndërtimet informale në këtë zonë.
Më pas, Lame u ndal në zyrën e ALUIZNI-t në Bathore ku sqaroi për mediat hartën e zonave informale në Tiranë dhe se si ALUIZNI po punon për ta çuar procesin e legalizimeve përpara.


Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, bëri të ditur, se pritet tu jepet zgjidhje rreth 14 mijë ndërtimeve pa leje të penalizuara nga parashikimet absurde të Planeve Urbanistike të Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamëz.
ALUIZNI ka 40 grupe pune, rreth 100 specialistë, që punojnë në terren vetëm në qytetin e Tiranës me matjet e ndërtimeve informale të vetdeklaruara.
Këto grupe pune po shfrytëzojnë edhe fundjavat për të bërë matje masive. Tirana është një nga qytetet me numrin më të madh të ndërtimeve informale me rreth 45 mijë vetdeklarime.


Duke folur para mediave, kreu i ALUIZNI-t ndër të tjera tha: "Këtu jemi në zonën e Bathores dhe është një nga zyrat rajonale të drejtorisë së ALUIZN-it Tiranë, të hapura pikërisht në një zonë informale. Për shkak të numrit të lartë të ndërtimeve pa leje dhe vetdeklarimeve që përfshin qarku Tiranë është e pamundur që ato të menaxhoheshin vetëm nga një zyrë qendrore brenda në qytetin e Tiranës. Për këtë menduam, dhe ka mbi një vit që janë hapur këto zyra, hapjen prej një numri prej 10-12 zyrash vendore pranë zonave që kanë më tepër ndërtime pa leje, për të qenë më pranë qytetarëve”. 

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)