Pas zyrtarizimit të largimit nga Interi dhe transferimit të pritshëm tek Al Hilal, Simone Inzaghi ka ndarë një mesazh emocional për tifozët zikaltër, përmes faqes zyrtare të klubit italian.

“E dashur familje zikaltër, ka ardhur koha t’i them lamtumirë këtij klubi pas një udhëtimi katër vjeçar, gjatë të cilit dhashë gjithçka,” shkruan trajneri, i cili e mbyll aventurën e tij me 6 trofe dhe një finale të Ligës së Kampionëve.

‘’Çdo ditë ia kushtoja mendimin tim të parë dhe të fundit të ditës, Interit. Lojtarët, menaxherët dhe çdo punonjës i klubit më shpërblyen me profesionalizëm dhe pasion.

Gjashtë trofetë e fituar, së bashku me rrugën në Ligën e Kampionëve në vitin 2023 dhe pak ditë më parë, janë dëshmi e prekshme se sa shumë është mbështetur puna ime nga një bashkësi qëllimesh me stafin tim dhe me çdo anëtar të Interit.

Falënderoj aksionerët për besimin e tyre që nuk ka munguar kurrë. Presidentin dhe bashkëpunëtorët e tij për ndihmën dhe dialogun e tyre të përditshëm. Në një ditë të vështirë si kjo e sotmja, mendoj se është e drejtë të përsëris këtë ndjenjë mirënjohjeje edhe për diskutimin që përfundoi pak më parë. Ne ishim të sinqertë dhe së bashku vendosëm ta përmbyllim këtë udhëtim madhështor.

Dua t’u kushtoj një fjalë të fundit miliona tifozëve zikaltër që më mbështetën, qanë dhe vuajtën në momente të vështira, qeshën dhe festuan në gjashtë triumfet që përjetuam së bashku.

Nuk do ju harroj kurrë. Forca Inter. Simone Inzaghi”, shkruan ai.


Lajmi kryesor:

Inzaghi firmos sot me Al Hilal, bëhet një nga trajnerët më të paguar në botë! Debutimi kundër Real Madridit