Lamtumira për Kryepeshkopin, Patriarku Bartolomeu do drejtojë ceremoninë, kripta e hapur për pelegrinët! Teologu tregon për Report Tv: Testamenti i Anastasit? La çdo gjë për kishën e besimtarët

TIRANË- Dy ditë homazhe, një ceremoni e veçantë dhe një figurë që do të mbetet në histori. Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të përcillet nesër në banesën e fundit me një shërbesë të drejtuar nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu, i pari mes të barabartëve në Kishën Ortodokse.

Kryepeshkopi Anastas do të prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.

Në një intervistë për gazetaren e Report TV, Esiona Konomi, teologu Miron Çako shpjegon simbolikën e riteve të ndjekura, duke theksuar se gjithçka po zhvillohet sipas traditës shekullore ortodokse.

“Kjo është tradita e krishterë ortodokse për të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë, pavarësisht statusit që mund të kenë. Kisha Ortodokse ka traditë se para dikush të shkojë te zoti, shkon nga lutjet e besimtarëve, kemi të treta, të 9 dhe të 40. Kisha lutet për shpirtin e një të fjeturi që të shkojë tek zoti, edhe për shpirtin e Kryepeshkopit. Se është zoti që e gjykoi veprën e tij dhe ai është shpërblimi që i takon. Kisha lutet për shpirtin e tij, por mbledhja e besimtarëve nuk është një lutje, por një mirënjohje, homazh për veprën e kryepeshkopit. Është çdo gjë që bëhet për një besimtar të thjeshtë, por edhe për një primat të kishës.

Nuk kemi bërë asgjë të veçantë për trupin e Kryepeshkopit, për çdo besimtar kështu bëhet. Ne nuk kemi frikë nga vdekja e kufoma, për ne trupi nuk është armiku i shpirtit, ose burgu i shpirtit. Ne e nderojmë trupin dhe shpirtin e një besimtari për ne ai kthehet në një lipsan, pavarësisht se shpirti i njeriut del nga trupi, shpirti i zotit qëndron atje dhe ai kthehet një burim hiri dhe bekimi, aq më tepër kryepeshkopi Anastas, e ka trupin jo thjesht një kufomë, por për ne ai mbart hirin e perëndisë. Sepse besa dhe vepra e tij ishin deri në fund në Krisht”, thotë ai, duke sqaruar pse trupi i Kryepeshkopit u përcoll i zbuluar në rrugë, një simbolikë që tregon nderimin për shërbëtorët e Zotit", shprehet teologu Miron Çako. 

Homazhet kanë zgjatur dy ditë, një traditë e ndjekur edhe në vende të tjera ortodokse, jo vetëm për arsye liturgjike, por edhe për t’i dhënë mundësinë besimtarëve dhe personaliteteve nga mbarë bota të nderojnë figurën e tij.

“Ka tradita të ndryshme, në Rumani mbahet edhe tre ditë. Çështja që ne zgjasim është arsyeja se shumë njerëz do vinë jo vetëm nga bota e krishterë ortodokse, duke nisur nga Patrikana Ekumenike dhe patriarkë të tjerë të kishave, përfaqësues të kishave ortodokse, por edhe shumë të tjerë. Për shkak të kohës zgjat edhe kjo procedurë”, tregon teologu.

Janullatos do të përcillet nesër në banesën e fundit me një shërbesë të drejtuar nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu.

“Nesër do të kryhet liturgjia hyjnore dhe do ta drejtojë, shenjëtaria e tij Bartolomeu. Është i pari mes kishave ortodokse, i pari mes të barabartëve. Në Kishën Ortodokse, nuk ka vetëm një të parë, në renditjen që kanë ata, Patriarku Ekumenik është i pari mes të barabartëve dhe kështu i takon nderi të drejtojë Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesën mortore për përcjelljen e trupit. Pastaj do bëjmë përshëndetje për jetën e tij, nga përfaqësues fetar, politikanë dhe kush është i ftuar për të folur për figurën e tij, pastaj do bëhet varrimi në pjesën e poshtme të katedrales. Edhe kjo është traditë e krishterë ortodokse, të parët e kishës, ata që ndërtojnë kishën, mbretërit ortodoksë, varroseshin në një katedrale ose kishë që e kishin ndërtuar, Janë tradita shekullore”, vijon ai.

Përgjatë ceremonisë, Kryepeshkopi do të mbahet i veshur me rrobat liturgjike, të njëjtat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij në shërbim të Zotit.

“Është kapele që tregon se ka juridiksionin për të drejtuar një kishë. Kur varroset trupi i një prelati, vishet me rrobat që i ka shërbyer zotit dhe kishës. Kjo do ta shoqërojë trupin e tij”, thekson Çako.

Kripta ku do të prehet Kryepeshkopi Anastas do të jetë e hapur për vizitorët, brenda Katedrales Ngjallja e Krishtit në Tiranë, ashtu siç ndodh me varret e shenjtorëve dhe hierarkëve të mëdhenj të kishës në mbarë botën.

“Patjetër. Ke në Romë të aksesueshme për turistë. E them këtë se është traditë shekullore, e njëjta gjë do ndodhe edhe këtu. Nuk do jetë varr i burgosur. Ne shkojmë në varet e të armëve tanë aq më tepër të njerëzve të zotit, sepse besojmë se aty banon hiri i perëndisë. Ne i vizitojmë, i nderojmë trupat e besimtarëve. Besoj se do jetë varr i aksesueshëm dhe do ketë një bekim për vendin. Mendoj se nuk do vonojë shumë dhe kryepeshkopi do jetë mbrojtësi i Tiranës, por edhe vendit tonë se i takon. Nga të gjitha shtetasit shqiptarë, ai ka bërë më shumë për Shqipërinë”, shpjegon teologu.

Por çfarë trashëgimie ka lënë pas Kryepeshkopi? A ka pasuri që do t’u kalojë të afërmve të tij? Për këtë, teologu është i prerë: "Kryepeshkopi Anastas nuk ndërtoi një kishë private, nuk e pa Kishën si biznes. Ai ringjalli Kishën Ortodokse në Shqipëri dhe gjithçka që kishte, çdo kontribut, çdo pasuri që mblodhi, ia la kishës. Ligjet kishtare nuk lejojnë që të ardhurat e kishës t’u kalojnë të afërmve të një prelati. Madje, ai dha edhe gjakun e tij, pasi në fund të jetës vuajti nga një hemorragji."

Në ditët e fundit, shumë kanë pyetur nëse Kryepeshkopi kishte lënë ndonjë amanet të veçantë. Ai nuk e ka përzgjedhur pasardhësin e tij, por amaneti i tij për të gjithë besimtarët është i qartë: "Të duash Zotin, të duash njeriun dhe të duash vendin tënd."

SI.E./G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Patriarku Ekumenik, Vartholomeu: Kryepeshkopi Anastas, diplomat me aftësi të rralla, dini të lëmonte gjembat e të shmangte konfliktet (Fjala e plote)

Patriarku Ekumenik, Vartholomeu: Kryepeshkopi Anastas, diplomat me aftësi të rralla, dini të lëmonte gjembat e të shmangte konfliktet (Fjala e plote)