Edhe në momentet e fundit të jetës ai vazhdoi të pikturonte, edhe pse nuk arrinte të lëvizte këmbët dhe as të fliste. Sot, fëmijët e Skënder Kamberit e ruajnë punën e fundit të babait të tyre si diçka shumë të çmuar, ndërsa mes dhimbjes dhe krenarisë i japin lamtumirën.

“Unë kam skicën e tij të fundit. Ai nuk fliste, i dhashë një stilolaps në dorë dhe i thashë babi, i thashë, të lutem, se më dëgjonte. Thjesht nuk fliste dhe nuk lëvizte këmbët. Dhe i thashë: Babi, të lutem bëj diçka! Dhe ai pa një fëmijë të vogël, mbesën time. Ishte ulur në tokë dhe po e shikonte dhe bëri rrotullimet e tij dhe e bëri fiks siç ishte fëmija, edhe pse dora e tij u lëshua mbi letër si të ishte një pendë, jo dorë e ngurtë. Ky ishte Skënder Kamberi, një artist që nuk u ndal as në çastet e fundit, duke e kthyer edhe heshtjen në art dhe duke lënë pas një mesazh të qartë: pasioni i vërtetë nuk shuhet kurrë.”, thotë e bija e piktorit, Donika Kamberi.

Për fëmijët e tij ai nuk ishte thjesht një baba

“Është një ditë jashtëzakonisht e rëndë për familjen tonë. Është Skënder Kamberi… e kishim shok, mik e baba të përkushtuar. Baba i ndritur, baba që na përshpëriste, asnjëherë nuk na fliste…  Nder, respekt, art, ide…”, thotë Donika Kamberi.

Për të bijën e artistit, edhe ajo piktore, Skënder Kamberi iku pa pengje dhe i plotësuar në këtë botë.

“Gjithmonë e thoshte këtë që do të largohem i lumtur se gjithçka ka që kam dashur e kam arritur, sidomos në art, në jetë. Me një grua të mrekullueshme… Deri në momentin e fundit, nëna ime ishte aty.”

Me mbi 1,400 vepra në krijimtarinë e tij, Kamberi u shqua për kompozimet monumentale, portretet dhe peizazhet me forcë të rrallë shprehëse. Një pjesë e rëndësishme e tyre ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ndërsa të tjera janë ekspozuar edhe jashtë vendit. Ikja e tij është cilësuar si një humbje e madhe për kulturën kombëtare. Artistë dhe kolegë e kujtojnë Kamberin si një nga figurat themelore të pikturës shqiptare.

“Skënder Kamberi nuk ishte thjesht një gur kilometrik, por një gur themeli i artit shqiptar… një nga koloristët më të mirë që ka nxjerrë piktura jonë.”, thotë piktori Agim Janina.

Për shumëkënd, ai ishte jo vetëm një mjeshtër i penelit, por edhe një mbështetës i brezave të rinj.

“Është një humbje e madhe… ishte një artist që ndikoi dhe ndihmoi shumë të tjerë, me një shpirt të madh artisti.”, thotë piktori Abaz Hado.

Ndikimi i tij në artin shqiptar shtrihet përtej veprave, duke lënë gjurmë edhe në formimin e artistëve të rinj dhe në zhvillimin e shkollës së pikturës.

“Ishte një piktor me një art të personalizuar… një kolorist shumë i mirë që ia dedikoi jetën artit.”, thotë piktori Vladimir Myrtezai.

Skënder Kamberi lindi më 1939 në Vlorë. Mbaroi Liceun artistik e më pas Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Pikturës më 1965-ën. Galeria Kombëtare e Arteve në fonetekën e saj mban disa punime të Skënder Kamberit, arti dhe i të cilit kapërceu kufijtë shtetërorë. Ka hapur një sërë ekspozitash në Tiranë, Kajro, Paris, Angli, Stamboll, Itali, Athinë etj.