Chuck Norris, kampioni i arteve marciale që u kthye në një nga ikonat më të mëdha të filmave aksion dhe protagonisti i serialit të famshëm “Walker, Texas Ranger”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.
Aktori ishte shtruar në spital në Hawaii të enjten, ndërsa familja konfirmoi se ai u nda nga jeta mëngjesin e së premtes me orën lokale. Në një deklaratë, ata bënë të ditur se Norris u largua nga kjo botë në paqe, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt.
“Për botën ai ishte një artist marcial, aktor dhe simbol force. Për ne ishte një bashkëshort i përkushtuar, baba dhe gjysh i dashur, një vëlla i jashtëzakonshëm dhe zemra e familjes sonë”, thuhet në reagim. “Ai jetoi me besim, qëllim dhe përkushtim ndaj njerëzve që donte, duke frymëzuar miliona në mbarë botën”.
Karriera e tij në kinema shpërtheu në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80, me filma si “The Delta Force”, “Missing in Action”, “Good Guys Wear Black”, “The Octagon” dhe “Lone Wolf McQuade”. Ai u bë simbol i heroit amerikan në ekran.
Një moment kyç në karrierë ishte përballja me Bruce Lee në filmin “The Way of the Dragon” në vitin 1972, që e vendosi përfundimisht në hartën e kinemasë ndërkombëtare.
Në vitet ’90, kur karriera në kinema nisi të zbehej, Norris kaloi me sukses në televizion me serialin “Walker, Texas Ranger”, i cili u transmetua nga viti 1993 deri në 2001 dhe u kthye në një fenomen global.
Në vitet e fundit, figura e tij mori një dimension tjetër në internet, përmes memeve virale që e paraqisnin si një personazh pothuajse mitik me fuqi të jashtëzakonshme.
Jashtë ekranit, Norris ishte gjithashtu aktiv politikisht, duke mbështetur hapur kauza konservatore dhe duke shkruar libra me tema fetare dhe patriotike.
Chuck Norris lindi në Oklahoma dhe nisi rrugëtimin e tij si pjesëtar i Forcave Ajrore amerikane, ku edhe filloi të merrej me arte marciale, duke ndërtuar më pas një karrierë që do ta kthente në një ikonë globale.
Ai lë pas bashkëshorten e tij, Gena O’Kelley, fëmijët dhe nipërit, si dhe një trashëgimi të fortë në kinemanë aksion dhe kulturën popullore.
Komente





