Lamtumirë një amerikani të madh, që i dha Millosheviçit ultimatum për Kosovën

Lamtumirë një amerikani të madh, që i dha Millosheviçit ultimatum për Kosovën

Njeriu që siguroi një fund paqësor të Luftës së Ftohtë e që i dha Millosheviqit, Paralajmërimin e madh të Krishtlindjes për Kosovën

Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George HW Bush (1989-1993) vdiq sonte, në moshën 94-vjeçare. Ai do të mbahet mend më shumë për rolin udhëheqës gjatë rrëzimit të komunizmit në Bashkimin Sovietik dhe në Europën Lindore. Një nga presidentët më të përgatitur në historinë moderne amerikane në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Bush ishte njeriu i duhur, në kohën e duhur për Shtetet e Bashkuara në këtë periudhë ndryshimesh të mëdha botërore. Emri i tij buçiste nga brohorimat e qindramijëra shqiptarëve që në vitin 1991 pritën me thirrjet “Bushi, Bushi!”, në Sheshin “Skënderbej” Sekretarin e tij të Shtetit, James Baker.

Nën drejtimin e tij u rivendosën marrëdhëniet diplomatike shqiptaro-amerikane pas gati gjysëm shekulli ndërprerje. Ai priti në Zyrën Ovale, presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berishën, me të cilën ruajti një raport miqësie e komunikimi edhe pas mbarimit të mandatit. Presidenti Bush, në pension, përdori jahtin e tij personal për të udhëtuar në brigjet shqiptare, për një bisedë private me ish-homologun Berisha, në kohën e krizës së marrëdhënieve mes dy vendeve, të krijuar në vitet 1996-1997.

Presidenti Bush ishte i fundit president amerikan që nuk arriti të zgjidhej më shumë se për një mandat. Ai u mund nga Bill Clinton në 1992, në një kohë kur fundi i Luftës së Ftohtë i shtyu amerikanët të hapnin një kapitull të ri në politikën e vendit. Bush ishte gjithashtu veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që arriti të bëhet president. Ndonëse ishte vetëm për katër vjet president, Bush ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë për 12 vite, tetë prej të cilave si zëvendës-President. Ai ka qenë gjithashtu Ambasador në Kinë, Drejtor i CIA-s e ka mbajtur poste të tjera të rëndësishme, në një prej karrierave më të pasura politike në SHBA.

Dy prej djemve të tij kandiduan për president. George W Bush, apo Bushi i Ri, fitoi në 2000 dhe ndryshe nga babai e përsëriti fitoren edhe në 2004. Djali tjetër Jeb Bush nuk fitoi dot në garën brenda Partisë Republikane, në 2016, ku triumfoi presidenti i tanishëm, Donald Trump. Në Kosovë, Bush do të mbahet mend për të ashtuquajturin Paralajmërim të Krishtlindjes, me anë të të cilit i bëri të ditur diktatorit serb Millosheviq, në fund të dhjetorit 1992, se nëse e zbriste luftën poshtë në Kosovë, atëhere Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin ushtarakisht.

Paralajmërimi u përmbush pak më shumë se gjashtë vite më vonë nga pasardhësi i tij, Bill Clinton, kur SHBA ndërhyri në krye të NATO-s, duke ndëshkuar militarizmin serbo-jugosllav e duke çliruar Kosovën. Një ndërhyrje të cilën Bushi i Vjetër e mbështeti me gjithë zemër. Për më tepër ishte i biri Presidenti W Bush që vizitoi Shqipërinë kur ishte president dhe pastaj përkrahu idenë e shpalljes së pavarësisë nga Kosova dhe e bëri realitet duke bindur edhe shumicën e aleatëve perëndimorë që ta njihnin shtetin e ri. Për koinçidencë, vetëm pak orë përpara vdekjes së Presidentit të 41-të, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nderoi Bushin e Ri për rolin e tij në pavarësimin e Kosovës.

Megjithë erudicionin e tij në fushën ndërkombëtare dhe vizionin e tij për një “rend të ri botëror”, George HW Bush nuk diti të reagojë në kohë për krizën në Jugosllavi. Ai u vonua në njohjen e Sllovenisë e Kroacisë duke besuar se Jugosllavia mund të mbijetonte krizën. I ndikuar edhe nga disa zyrtarë të lartë pro-serbë ai humbi disa raste historike për të ndëshkuar Serbinë luftënxitëse dhe personalisht diktatorin Millosheviq. Veçanërisht në fund të listës u la Kosova, megjithë ndërhyrjet personale të senatorit të fuqishëm Bob Dole, kongresistit Tom Lantosh e të tjerë. Mirëpo, gjesti në ditët e fundit përpara largimit nga Shtëpia e Bardhë i Paralajmërimit të lartpërmendur Krishtlindjes dëshmon për ndryshimin rrënjësor të pikëpamjeve të tij.

Në 2007, ai me djalin e tij President W Bush, ftuan në jahtin personal Vladimir Putinin, në një përpjekje të fundit për ta bindur që të mos bëhej pengesë për pavarësinë e Kosovës. Përpjekja dështoi, por është një arsye më shumë për shqiptarët që ta mbajnë mend me respekt këtë amerikan të madh.
Në vitet e pensionit ai u bë më i dashur për amerikanët e bëri sidomos bujë për bashkëpunimin e tij të ngushtë me njeriun që ia mori Shtëpinë e Bardhë, Bill Clinton, me të cilën mbetën bashkëpunëtorë në projekte humanitare, e miq të ngushtë deri në fund.

Tetë muaj më parë, ai humbi gruan e tij të 73 viteve martesë, Barbara Bush, me të cilën përbënin një nga çiftet më simpatike presidenciale në historinë e Shteteve të Bashkuara. Çdo vit për ditëlindje, derisa mbushi 90-vjeç dhe u diagnostikua me Parkinson, Bush hidhej me parashutë nga avioni. Ishte mënyra e tij e festimit të një viti më shumë.

Jeta e tij ka qenë shumë e pasur për t’u mbështjellë në një shkrim lamtumire, po ajo mund të kishte qenë shumë më e shkurtër, nëse do të kishte vdekur si pilot në Paqësor, në 1944, kur avioni i tij u got nga predhat japoneze e mori zjarr. Ndonëse kabina e pilotit u mbush me tym e avioni filloi rënien e pashmangshme, Bush arriti të manovrojë e të mbijetojë. Atëhere do të ishte mbajtur mend vetëm nga familja e shokët e luftës. Sot, 70 vjet më vonë, do të përcillet nga i gjithë kombi si një nga xhentëllmenët e fundit të një brezi të madh historik/ illyriapress

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!