Landfill në zonën turistike, banorët e Piskovës në Përmet sërish në protestë: Plehra këtu, vetëm po shkelën mbi trupat tanë! Inxhinieri i firmës ndërtuese: Do jetë i përkohshëm, projekt 5-vjeçar

Brenda 20 ditësh është shënuar protesta e dytë e banorëve të fshatit Piskovë në Përmet, kundër ndërtimit të ladfillit të plehrave që do depozitojë mbetjet urbane të qytetit në territorin e këtij fshati. Mjaft të irrituar, banorët e këtij fshati kanë kërkuar me ngulm nga ana e deputetes së zonës Mirela Kumbaro që është njëkohësisht edhe ministrja e Mjedisit, anulimin e këtij projekti i cili dëmton rëndë mjedisin në këtë zonë dhe ndikon direkt në jetën e banorëve dhe të ujit të pijshëm që ata konsumojnë.

Policia e Përmetit kishte marrë masa për të shmangur incidentet e mundshme të cilat për hir të së vërtetës munguan ndonëse situata ishte e tensionuar për shkak edhe të mungesës së një dialogu mes deputetes së zonës dhe banorëve të fshatit të cilët nuk janë pyetur fare për këtë projekt.

Banorët e Piskovës, kanë kërcënuar me bllokim të aksit nacional Përmet-Këlcyrë nëse brenda pak ditësh, autoritetet vendore në Përmet, nuk do të ndërmarrin hapa konkretë për anulimin e këtij projekti që dëmton rëndë shëndetin e tyre dhe aq më keq akoma që ndërtohet në një zonë të mbrojtur siç është në luginën e lumit Lenicë degë e Vjosës.

"Ky ujë këtu do të ndotet me mbetje toksike, uji i pijshëm ku është puseta. Kemi vreshta, toka bujqësore këtu, do mbjellim perimet dhe ujin e marrim nga lumi. Ato ndikojnë direkt në shëndetin tonë. Deputetja e zonës dhe kryetarja e bashkisë duhet të kishin bërë dëgjesë publike nuk duhet t’i kishin bërë fshehurazi. Ne jemi zonë e mbrojtur, nuk do vijnë më vizitorë në parkun e Hetovës", tha një prej protestuesve.  

"Unë kam ardhur nga Amerika për të investuar në tokat e babait, por mendoj se jam i dyzuar a duhet të vazhdoj të investoj apo jo. Kryeministri trumbeton me të mëdha që të kthehen të rinjtë, dhe si mund të vij unë këtu dhe të investoj në këtë vend? Ky është paradoks, ky është cernobil! Është një hap larg një dhomë gazi! Nuk e kuptoj këtë projekt", u shpreh një i ri.

"Këta kanë filluar punimet, po bëjnë gërmime, kemi kërkuar deputeten tonë Mirela Kumbaro, ajo na ka shpërfillur, është fshehur se i bie është palë në këtë krim", tha një banor.

"Po bëhet një hata këtu se kemi fëmijët që pijnë nga ky ujë, ne kërkojmë të anulohet projekti. Ky venddepozitim do të ndotë ujërat nëntokësore dhe do të përfundojë në lumë. Ne nuk e lëmë, do protestojmë çdo ditë, do bllokojmë rrugën dhe do ndalojmë firmën të punojë", shprehen ata.

Firma që merret me ndërtimin e kësaj vepre publike, do të implementojë në terren teknologjinë më të avancuar për dekompozimin e mbetjeve urbane dhe veç kësaj, funksionimi i këtij vendgrumbullimi mbeturinash, i përgjigjet standardeve më të larta të përpunimit të mbetjeve urbane ashtu si në Europën Perëndimore.

Erges Shallari, inxhinier i firmës së ndërtimit të vendgrumbullimit të plehrave, shprehet se është projekt i përkohshëm, me afat 5-vjeçar. Sakaq, ai tha se plehrat nuk do të digjen, por do të dekompozohen në vendgrumbullimin që është parashikuar të ndërtohet.

“Është një vendepozitim i përkohshëm me afat 5 vjeçar, pra nuk është i përjetshëm. Do t'ju shpejgoj anën teknike. Është projekt që parashikon dy shtresa mbrojtëse me gjeotekstil dhe gjeomembranë, pjerrësia e gropës do të jetë që të bien në fund ujërat dhe do të depozitohen në depozitë betoni dhe ka sistem për largimin e gazrave. Pas 5 vitesh do të mbulohet dhe pyllëzohet. Ne kemi projket dhe leje ndërtimi. Plehrat nuk do të digjen, por do të dekompozohen këtu.”-tha inxhinieri Erges Shallari.

Banorët e Piskovës, kanë paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve ekstreme duke nisur me bllokimin e funksionimit të aparatit të Bashkisë së Përmetit apo dhe veprime të tjera që do të ndërmerren në varësi të situatës së krijuar. Ata betohen se plehra në Piskovë nuk do të depozitohen veçse nëse do të shkelin mbi trupat e tyre.

Banorët e fshatit Piskovë kanë protestuar edhe më 11 nëntor, kohë kur Bashkia Përmet caktoi vend-depozitimin e mbetjeve në fshehtësi dhe pa konsultim me komunitetin.

M.Ç/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 07/12/2021 02:49

    5 vjet i duken pak ketij ing.!Dhe ne fund do t'i mbulojne siper e do t'i pyllezojne,duke i lene aty?!Banoret pas 20 vjetesh,duhet te testojne ujin, dheun,bimesine perreth zones te mbetjeve ne nje laborator te pavarur per te pare si,sa dhe cfare demi afatgjate eshte shkaktuar.Me vjen keq qe keni deputete nje te paafte si M.Kumbaron qe i ka <<ndritur>> postet qe ka patur deri tani.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Përçarja e PD mes Berishës dhe Bashës, mendoni se garanton fitoren e PS në 6 bashkitë?



×

Lajmi i fundit

John

Berisha sulmon Celibashin: Me urdhër të Ramës refuzoi përfaqësuesin tonë ne KQZ dhe pranoi atë të Peng Bashës