Dhjetëra familje të zonës së Bregut të Lumit në Laprakë janë të izoluar dhe pa asnjë dalje në rrugë kryesore.

Këta banorë që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre pas shkollës “Skënder Luarasi” thonë se projekti i rrugës është lënë në mes, dhe se ajo duhet të vijonte në këtë drejtim, paralele me shinat e trenit, për rreth 1 kilometër për tu lidhur me akset e tjera rrugore.

"Rruga duhet të nis këtu paralel me shinat e trenit dhe në drejtim të Uzinës Dinamo. Për arsye të ndryshme është ndërprerë këtu. Kemi bërë kërkesë në bashki, me deputetë, kemi kërkuar edhe gjatë fushatës, jemi të izoluar. Kam paguar vetëm taksë për infrastrukturë 2 milionë lekë e 300 mijë lekë", shprehet Gjelosh Matoshi, banor në këtë zonë.
 
Në mungesë të mundësisë për të komunikuar me rrugë të tjera përmes makinës, banorët kanë bërë edhe disa zgjidhje të rrezikshme me investimet e tyre, duke ndërtuar mbikalime mbi shinat e trenit.

"Kemi ngritur këtë mbikalimin që kur ishte treni në lëvizje  e kemi bërë me mbushje me investimet tona. Ne ruanim trenin, kur vinte treni fusnim makinën brenda. Sot nuk ka rrugë as për zjarrfikëse as për ambulancë . Në shtëpinë tonë jetojmë me sakrifica" shton Matoshi.
 
Në pritje të vijimit të projektit disa vjecar të bashkisë, të lënë në mes, banorët thonë se janë përpjekur të gjejnë gjuhën e përbashkët me fqinjët, në mënyrë që secili të sakrifikojë pak nga bahçet e veta, në mënyrë që të ndërtonin me shpenzimet e tyre një rrugë me çakëll.

Por, siç ndodh në iniciativa të tilla, disa prej familjeve që jetojnë në këtë zonë informale, nuk kanë pranuar të lëshojnë nga tokat e tyre.

Report TV pyeti pranë minibashkisë numër 11 në Laprakë për këtë çështje.

Drejtoresha e Shërbimeve tha se e njihte problemin e zonës dhe këtë shqetësim ja kishte përcjellë Bashkisë Qendrore, zyrë e cila ka të drejtë dhe kompetencë për investime.

Siç tha zyrtarja e njësisë administrative, kjo zonë informale është në rehabilitim e sipër dhe punimet nuk bëhet vetëm për disa familje, por për të gjithë bllokun.

Deri sa këtij blloku ti vijë radha e investimit, këta banorë do të vijojnë të kapërcejnë rrugët me akrobaci të rrezikshme.

[gallery]23433[/gallery]

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com