CORTINA, Itali - Elvis Toçi, presidenti i Federatës Shqiptare të Skive foli për Report TV në një lidhje direkte nga Cortina e Italisë, duke komentuar garimin e Lara Colturit dhe Semire Dautit në Olimpiadën Dimërore 'Milano Cortina 2026'.
Sipas tij Shqipëria humbi një mundësi të artë për të marrë medaljen e parë në Lojërat Dimërore, me italo-shqiptaren Colturi që u rendit e 16-ta në total, paçka se në lëshimin e parë u pozicionua e katërta.
Ndërkohë që Semire Dauti debutoi në vendin e 44-t, por kjo ishte hera e parë në një garë të tillë që Shqipëria përfaqësohej nga dy skiatore.
Të mërkurën më 18 shkurt Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do konkurrojnë në disiplinën e Slalomit duke përfaqësuar Shqipërinë, teksa shpresat për një medalje nga Colturi janë të mëdha, pasi kjo është disiplina e preferuar e sportistes që përfaqëson Shqipërinë.
"Vendi i 16-të i Larës, pritshmëritë dhe gara e sotme?
Sot Shqipëria humbi një shans të madh për të sjellë medlajen e parë Olimpike për Lojërat Dimërore. Në dy portat e fundit të lëshimit të dytë kishte një rrëshqitje, por kështu e ka sporti. Ka një përgatitje prej katër vitesh për këtë ditë. Shpresojmë që të mërkurën në Slalom, garën e preferuar të saj, të marrim diçka më shumë.
Si e përjetoi Lara këtë?
Lara është një vajzë e vogël, por shumë profesioniste. Ajo e mori me sportivitet rrëshqitjen, nuk mund të fajësojmë kërkënd. Sot mund të ishim bërë të famshëm në botë. Gara ishte e fortë, dy nga rivalet direkte të Larës u ngjitën në pod.
Në lëshimin e dytë pista prishet dhe Lara garoi e 26-ta sepse ndodh ndryshimi i renditjes. Në një kërcim që i ndodhi Larës, aty humbëm të qindtat e sekondës. Lara është e re, 19 vjeç dhe kemi pretendime të mëdha. Shumë do e ëndërronin vendin e 16-të, por ne duam më shumë. Uroj që të festojmë të mërkurën në Slalom.
Pritshmëri për medalje?
Ëndrra e Larës dhe Shqipërisë vijon, por sot duhet përgëzuar edhe një vajzë tjetër, Semire Dauti. Për herë të parë në histori kemi dy vajza që garojnë. Vendi i 44-t i saj nuk është larg për top 30 më të mirat.
Një mesazh për tifozët?
Do ishte fat të festonim sot një medalje, por i them shqiptarëve të ndjekim edhe garën e të mërkurës sepse kemi një shans të madh", tha Elvis Toçi për Report TV.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në 'Milano Cortina 2026'.
Komente







