Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pasi gazetari dhe botuesi Ilir Babaramo është larguar nga Report Tv për prishje të marrëdhënies së mirëbesimit. Në një reagim, AGJSH thotë se “çdo çështje që lidhet me lirinë editoriale, etikën profesionale apo marrëdhëniet e punës të trajtohet në mënyrë të qartë dhe të verifikueshme, në mënyrë që të ruhet besimi i publikut dhe integriteti i profesionit të gazetarit”.
Sa i përket reagimeve politike, AGSH vlerëson se çështje të tilla kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe të bazuar në fakte.
“Debati mbi lirinë e medias është legjitim dhe i nevojshëm, por përdorimi i gjuhës së ashpër apo etiketimet ekstreme nuk ndihmojnë në qartësimin e situatës dhe as në forcimin e standardeve të gazetarisë”, thuhet në reagim.
Deklarata e plotë e AGSH
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës mes gazetarit Ilir Babaramo dhe televizionit Report Tv.
Sipas deklaratave publike, gazetari Ilir Babaramo ka bërë të ditur se është larguar nga puna në mënyrë të njëanshme, duke pretenduar se shkaku lidhet me qëndrimet e tij kritike ndaj qeverisë. Nga ana tjetër, drejtuesit e Report Tv kanë konfirmuar ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke argumentuar se vendimi lidhet me prishjen e marrëdhënies së mirëbesimit dhe me deklarata të bëra gjatë një transmetimi televiziv, të cilat sipas tyre cenojnë etikën profesionale dhe imazhin e institucionit.
Në këtë kontekst, AGSH vlerëson se marrëdhëniet e punës në media janë çështje që duhet të trajtohen me përgjegjësi të lartë profesionale, transparencë dhe respekt të ndërsjellë midis palëve. Në raste të tilla, është thelbësore që çdo vendimmarrje të mbështetet në procedura të rregullta, në përputhje me Kodin e Punës, standardet etike dhe parimet e një mjedisi të drejtë pune.
Duke marrë në konsideratë pretendimet e ndryshme të palëve, AGSH thekson rëndësinë që çdo çështje që lidhet me lirinë editoriale, etikën profesionale apo marrëdhëniet e punës të trajtohet në mënyrë të qartë dhe të verifikueshme, në mënyrë që të ruhet besimi i publikut dhe integriteti i profesionit të gazetarit.
AGSH nënvizon se pluralizmi i mendimit, pavarësia editoriale dhe respektimi i dinjitetit profesional të gazetarëve janë vlera themelore që duhet të mbrohen në çdo redaksi. Po ashtu, çdo masë disiplinore apo ndërprerje e marrëdhënies së punës duhet të jetë proporcionale, e arsyetuar dhe e dokumentuar.
Asociacioni inkurajon palët që të trajtojnë këtë situatë me maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur përshkallëzimin publik dhe duke respektuar standardet profesionale të gazetarisë.
Sa i përket reagimeve politike, AGSH vlerëson se çështje të tilla kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe të bazuar në fakte. Debati mbi lirinë e medias është legjitim dhe i nevojshëm, por përdorimi i gjuhës së ashpër apo etiketimet ekstreme nuk ndihmojnë në qartësimin e situatës dhe as në forcimin e standardeve të gazetarisë.
Shënim – Për shkak të konfliktit të interesit, kryetari i AGSH, Isa Myzyraj nuk ka mbajtur qëndrim me votë në këtë reagim.
Lajmi kryesor:
Reagon Report Tv: Babaramo largohet për shkelje të rëndë etike profesionale (VIDEO)












