Mjaftoi që Koço Kokëdhima të mos ishte më në listat socialiste të Qarkut të Vlorës për t’i dhuruar PS-së një shumicë dërmuese.
 
Zona e Vlorës është ajo, ku PS njohu më shumë zgjerim krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, me më se 12% rritje. Në vitin 2013, kur ishte Kokëdhima në listë, PD mori në Vlorë 6 mandate. Këtë herë, kur Koço nuk ishte më në listë, PS mori 8 mandate dhe po lufton të marrë edhe të nëntin.
 
Por ajo çka u ka bërë më shumë përshtypje analistëve është se, pas daljes së Kokëdhimës nga skena dhe prishjes me ish-mikun e tij Edi Rama, vetë Kokëdhima u lëshua në një fushatë sulmesh kundër vetë qeverisë së tij, që kulmoi në krijimin e lëvizjes “Zgjidhja”.
 
Kokëdhima organizoi takime të ndryshme “elektorale” në të gjithë Qarkun e Vlorës për muaj të tërë, duke u përpjekur të bëjë njerëzit të besojnë se ai kishte mbetur si një faktor, me të cilin mund të bëhej presion politik mbi PS-në, duke e kërcënuar se mund t’i hiqte deri në 10.000 vota.
 
Duke qenë se PS vijoi ta injorojë, atëherë Kokëdhima shpalli dhe u bëri thirrje zgjedhësve të Qarkut të Vlorës të hidhnin votë të pavlefshme, duke shënuar një “Z” të “Zgjidhjes” në fletët e votimit. Po deri tani nuk ka ardhur ndonjë lajm, qoftë edhe për një fletë të vetme me “Z”-në e Koços, të gjetur mes votave të hedhura në Vlorë.
 
Kjo nuk do të thotë që Koço Kokëdhima ka zgjedhur të heqë dorë nga influenca e tij në Qarkun e Vlorës, ku, në tre vjet pushteti absolut (që nuk u kontrollua asnjëherë nga Rama), thuri një rrjetë të dendur marrëdhëniesh.
 
Në fakt, në numrin 3 në listën e Vlorës është kandidat (dhe është zgjedhur) avokati e miku i tij personal Alket Hyseni, me të cilin Koço ka patur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të ngushta.
 
Muajt e ardhshëm do të shihet nëse çifti politiko-profesional Kokëdhima-Hyseni do të vazhdojë të veprojë së bashku, apo nëse konflikti i rëndë personal, që kundërvuri dhe më pas ndau Kokëdhimën me Edi Ramën, do t’i sugjerojë Alket Hysenit të ndërpresë përfundimisht marrëdhëniet e tij me ish-deputetin.     
 


dy.b/shqiptarja.com