I pari, duke e quajtur “Lahutën...” një vepër të përmasave ballkanike (njëherësh edhe kombëtare), e shpall autorin e saj, Poetin e vetëm Kombëtar në gjuhën shqipe. “Lahuta...” e Gjergj Fishtës, sipas Çabejt, "është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetvete".
Dhe i dyti, Poradeci, i cili, duke shpalosur bindshëm vlerat universale të poezisë fishtjane, e quan atë (“Lahutën...”) “transfigurim poetik” dhe Gjergj Fishtën, “gjeni” e “vigan të komit”. Sipas tij, vargjet e “Lahutës...”, përveçëse rrëfejnë heronj e marrëdhënie gjithëfarëshe, ashtu si kanë gjalluar në realitet (“shkëlqishmërisht realiste”), ata, gjithashtu, edhe janë vargje të ngjizur artistikisht me një përftesë krijuese-poetike, të cilën Poradeci e quan “shtesa e gjeniut”, prandaj nuk është krejtësisht e mundur të shpjegohet me fjalë të zakonshme.
Në këtë rast, më duhet të sqaroj, se të dy këta autorë janë zgjedhur prej meje, në radhë të parë për vargjet që kanë veçuar nga “Lahuta e Malcis” gjatë analizës së tyre (Poradeci) si dhe për fragmentet e propozuara për orët letrare, si bën Çabej në tekstin e tij për shkollat e mesme “Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe” (1936 ). Çabej ka zgjedhur për koment tre fragmente: “Marash Uci” (Kanga I, bleni I), “Dyluftimi i Gjergj Elez Alisë me Harapin” (Kanga V, bleni II) dhe “Lidhja e Prizrenit” (Kanga III, bleni III). Të trija këto këngë në botimin përfundimtar të “Lahutës...” (1937) janë këngët XII, V dhe IX.[1]
Fragmentet nga “Lahuta...” të Poradecit janë me dy, katër a më shumë vargje dhe janë marrë nga disa këngë (8-9 syresh). Ata janë thjeshtë vargje të zgjedhur (rreth 150) për të argumentuar konceptet që poeti (Lasgush Poradeci) ka për poezinë në përgjithësi dhe për lirizmin e vargjeve të kolegut të vet poet (Gjergj Fishta), të cilin qysh në titullin e esesë, që kemi në referim, e quan: Shkëmb i Tokës dhe shkëmb i Shpirtit shqiptar ( një ese me rreth 22-23 faqe, botuar në “Gjergj Fishta: nën kujdesin e revistës
“Shkëndija"”(1941), ku është përfshirë edhe artikulli i lartëpërmendur i Çabejt, “Epika e Gjergj Fishtës” .
Më tej, në këto shenime unë do të ndalem te Lasgush Poradeci, në esenë e të cilit më ka interesuar jo vetëm fakti se ai e ka cilësuar Gjergj Fishtën një vigan të kombit të vet (dhe “Lahutën...” e tij një kryevepër kombëtare), por edhe sepse kërkon të vërë në dukje përmasat europiane të poezisë fishtjane, e kryesisht të “Lahutës...” Madje edhe tek eseja e Poradecit (“Gjergj Fishta lirik, shkëmb i Tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”) nuk do të ndalem te paraqitja e koncepteve estetike krejtësisht origjinale të tij. Me këtë pikëvështrim synoj të hetoj (së bashku me lexuesin e këtyre radhëve) atë çfarë ka vlerësuar poeti i “Gjeniut të anijes” te “Lahuta...” si transfigurim poetik, si dhe cilat vargje ka veçuar ai, si fragmente që mbartin “shtesat e gjeniut” nga rreth 17 mijë vargjet e frymëzimit lirik të asaj vepre, për të cilën Poradeci shton se edhe “në përfytyrimin e Lahutës kemi lirizmë, krijim të ri nga një tronditje e re shpirtërore”(f.48).
Antologjia e PoradecitVargjet e cituar prej Poradecit nga “Lahuta e Malcis” unë i kam ndarë në disa grupe. Grupimi i parë përfshin vargjet që karakterizojnë shqiptarët. Ato vargje shpërthejnë nga penda e Fishtës jashtë çdo retorike a shablloni poetik, klasik qoftë ai apo folklorik. Prandaj janë kaq befasues e tronditës.
Ndër ato vargje shqiptarët janë: “Njerëz të lem’, po, me armë në dorë, / Regjë në diell, cangllue në borë, / Të cilët për nën dërrasë t’krahnorit / Kanë për zemër nga ’i gur vorrit!” (Kanga XXII, Tringa). Kur ngrihen shqiptarët në luftë nuk merret vesh kush lufton: “Pse edhe i moçmi ’i fjalë kuvendi:/ Lufton vendi e jo Kelmendi” (Kanga XXII, Tringa). Ata udhëhiqen nga një idealizëm apo moral i lartë, ashtu si shprehet thjeshtë në 4 vargjet e mëposhtëm:
Ma mirë vdekë nën dhe m’u qa,
Se me marre gjallë mbi dhé;
Për dhé t’vet kush vdekë ka ra,
Ai s’ka vdekë, por ka lé.
(Kanga XVIII, Te Ura e Sutjeskës)
Ndërsa në 4 vargjet që pasojnë tablloja është vërtetë rënqethëse. Shqiptarë të lidhur çuditshëm me tokën e tyre (dhe me luftërat e tyre), kur mbërthehen me kundërshtarët e vet, ngjasojnë veç me vetën e tyre. Ja ky transfigurimi poetik i Fishtës:
Lamsh ba gjindja n’atë log Zanash,
Si gjarpij zgavrra muranash,
E thue le s’kishin prej nanash,
Veç se toket t’zezë shpërthye...
(Kanga XIX, Pater Gjoni)
Në grupimin e dytë janë përfshirë vargjet që pikturojnë personazhe të spikatur të “Lahutës së Malcis”. Për ndonjerin prej tyre Poradeci ka krijuar vetë edhe diçka si nëntitull, si në rastin e vargjeve për Llesh Nikë Dakën, i cili bie në betejën e Rrushbullit (Durrës), duke luftuar trimërisht kundër ushtarëve të huaj, por edhe kundër vendalinjve besëprerë (të tuet vëllazën), të cilët “nuk të vranë, por zemrën t’plasën”. Fragmenti titullohet “Vaja e Llesh Nikë Dakës”:
Kur ka vdekë e ka mbarue,
I kshtenë, po, nip Skanderbeut,
Dalë ka aty fisnikja e dheut;
Me dorë ballin ç’po ia lëmon,
Hollë e gjatë se ç’po e vajton:
“T’janë mbledhë miqt’ prej s’di se kahu,
Pse m’rri shtri si dru prej ahu ?
Çou një herë, për me ligjërue;
Çou, djemnin’ për m’e trimnue !
Folja ’i fjalë babës Nikë t’motnue.
Ty nuk t’trembi gjylja e topit,
Nuk t’ligshtoi duhma e barotit,
Kur mbi turq mësyne rrfe motit,
Por, kur ndeshe në tue vëllazën,
Shumë bataren mbi ty shprazën,
Ata s’t’vranë, por zemrën t’plasën !
(Kanga XXVI, Ded Gjo Luli)
Është për t’u shënuar se Poradeci përveç Llesh Nik Dakës ka veçuar edhe disa portrete luftëtarësh të tjerë, të cilëve unë u kam vënë si nëntitull emrat e vetë heronjve (në mes tyre edhe një shkja). Ata janë portretizuar me penelata të fuqishme, ku lexuesi ndjen me të vërtetë të ashtuquajturat shtesa të gjeniut :
Smajl Arifi
Po çka këndon ai zog i zi
N’ato lugje mbi Guci,
Kah flutron selvi n’selvi ?
“Amanet, o fushë e male,
Shueni kangë e shueni valle,
Shueni vallet për me qa
Se n’Krasniqe ’i kob ka ra:
Smajl Arifi, thonë, asht vra
N’atë Sutjeskë t’u gjuejtë me shkja!
Shumë do t’bajë e ama medet,
Kur të ndiejë se Smajli mbet,
Se mbet Smajli, ai farë vigani;
Balli i tij një fushë mejdani,
Syni i tij agzot havani.
Shtati ardhë si shti bajrakut,
Vesh e n’vesh dega e mustakut,
(Kanga XVIII, Te Ura e Sutjekës)
Rrushman Hasani
Por ç’kanë malet që po ushtojnë?Por ç’kanë prrojet që gjëmojnë?
Çka vran vetullat Mark Milani?
Thonë ka mësy Rrushman Hasani!
Njëky Rrushi, një shpatë e gjallë,
Dredhë shallin rreth për ballë,
Vjerrë martinën për nën krah,
Thellë koburet rrasë n’sylah,
Edhe priçet mbathë për kambë
Për mnerë tue kërcnue me dhambë,
Tue lurue, tue turfullueSi kuçedra nëpër këneta,
Ka lëshue turrin mbi do çeta
Mbi do çeta t’Malit t’Zi,
Thue se gjallë do me i përpi.
(Kanga XX, Lekët)
Omeri Haxhia
Por s’perpihej, besa, Omeri,
Që po kish qenë një ari Peshteri
Hijen por m’ia drashtë njeri.
Kryet e tij t’tanë gunga-gunga,
Vetullat strehë porsi dy shtëllunga,
Me një palë mustakë të zez,
Që me i mbrrijtë, po der në brez:
Edhe shtatin ardhë viga
Përgjakë sysh si katalla,
Kishte pasë llanën e krahut,
Thue kish qenë një degë prej ahut,
Të tanë lesh e toje-toje...
(Kanga XXII, Ndërmjetësia)
Një shkja
Veç, një rrahut t’reptë tue ra,
Qe, po i del para një shkja,
Hokubet me sy me u pa,
Kryet e tij, po, me mbërrijt’ n’tra,
Të tanë kodra e të tanë neje:
Derdhë musteqet teje-teje,
Si dy bishta desh’sh galana;
Supi i krahut sa murana,
Mashkull qerrit ishte llana,
Çelik ndoset gjuni e kamba,
Me t’thanë mendja se ’i pendë buej
Atë vendit s’mund ta luej.
Beter shtatit sa ’i mullar,
Kërleshë fytyrës, ngërthye kular;
Thue, për t’gjallë do me t’ba gjamën,
(Kanga XXII, Ndërmjetësia)
Hilë Mosi
Lum për Ty, o i Lumi Zot,
Se ç’ka krisë n’atë Deçiq,
Idhtë tue u gri turq, Grudë e Hot,
N’pushkë, n’singija edhe me klliç!
Kambë për kambë por me malësorë,
N’Deçiq rra ka ’i djalë i ri,
Ai Hilë Mosi, pushkën n’dorë,
N’parzme flamurin kuq e zi
Se ky Hila, djalë shkodran,
Për liri të kësaj Shqipnie;
Mbathë e zbathë, ngranë e pa ngranë;
T’rijtë e jetën ba kish flije.
Gjindja ashtu sa i’n tue u coptue,
Tue u ba ata paçariz,
Asht turrë djali e t’ka flakrue,
Porsi gjarpën, mu n’mjedis;
E tue i dhanë ai zjarr alltis’
N’një manov, vjellë nga Azia
Zhvillon flamurin e Shqipnisë
E vërret t’madhe: “Rrnoftë Shqipnia!”(Kanga XXVIII, Ded Gjo Luli)
Te një grupim i tretë kam përfshirë disa nga figurat mitologjike që gjallojnë në “Lahutën e Malcis”. Ora, Zana e Vizitorit, Zana (e në mes tyre edhe Tringa që simbolizon dashurinë mitike të motrës për vëlla) janë edhe nëntituj të këtyre vargjeve të cituar nga Poradeci. Le të shijojmë, kështu, transfigurimin poetik të përcjellë prej Poetit të Liqerit për figurat mitologjike të “Lahutës...”.
Ora
“T’paçim, Orë, sa gjithë këto male!
Mori e mbrumja me vesë qiellit,
Mori e njeshmja me gjeth lilit,
Mirë shartue me rreze t’diellit:
Që ma ke synin si yll,
Që ma çilë e që ma mbyll
Si ajo hana nëpër pyll;
(Kanga XXIV, Zana e Vizitorit)
Zana e Vizitorit
Veç dëgjoni, oj Orë e Zana,
Se me zanë due betë e mëdhana:
Pasha rrezet që lëshon hana!
Pasha vesën mbi ledina!
Pasha brej, aha e çetina!
E për mriza e qepariza!
E për gurra nepër curra!
E për lila e për bilbila!
Pasha t' rijtë e pasha verën!
Mos e pritsha kurr pranverën!
(Kanga XXIV, Zana e Vizitorit)
Tringa
Ardhë shtatit si breshana,
Synin yll, ballin si hana,
Diçka njethë si molla n’rrem,
Si ajo lulja shpërthye n’gem,
Që dalë m’ka ashtu te dera,
Sikur ban me çilë pranvera;
Sikur ban dielli me dalë
Nëpër aha, brej e halë...
Se për lila e karajfila,
Për zymbyla e për bylbyla,
E për gurra nëpër curra,
Për ato hije nëpër vrrije,
Për ato flutura nëpër zalle;
Pasha Orë e shtojzovalle,
Pasha t’rijtë e pasha veren,
Për sa bjeshkë e lule bleren,
Ma fisnike një vashë s’e ke...
(Kanga XXII, Tringa)
Orët e Trojanit
Edhe t’Mirat çue flauri,
Kanë rrahë flatrat n’për ajri
E sa bredh ai jehi i zanit,
Ia kanë behë mbi bjeshkët t’Trojanit.
(Kanga XXVI, Koha e Re)
Zana
Hej, moj Zanë, ty t’qofsha true,
Si s’po t’bie ndër mend për mue,
Punë të hershme me m’kumtue;
Kangë e valle me m’fillue;
Por më rrin tue fluturue
Mollë në mollë e ftue në ftue
Me ato shoqe tue këndue,
Me ato shoqe tue vallzue,
Tue vallzue, moj tue lodrue
N’për ledina e n’për rudina,
N’për ata brej, aha e çetina,
Ku ban çerdhen gjeraqina,
Bulon molla e lulzon thana
E prijnë valle Orë e Zana
Nëpër rreze që lëshon hana.
Ardhë shtatit si breshana,
Rreze dielli dora e llana,
Ftyra shtrue n’fletë t’drandofillit,
Kamba matë për gjeth të lilit,
Shartue zani n’za t’bilbilit,
Diçka borë e diçka brymë
Si ai ylli me fërfllimë:
(Kanga XXVI, Koha e Re)
Së fundmi kam grupuar dy strofa katërshe që shënojnë simbolet kombëtare: Gjuhën shqipe dhe Flamurin kuq e zi. Pa kurrëfarë komenti (se kështu bën edhe Poradeci) po i paraqesim edhe ato.
Gjuha shqipe
Ka me dalë kanga dikur,
E kahdo që shqipja t’flitet,
Kjo e mashkulla gjuhë hyjnish
Ka me u këndue ndër burra t’dheut(Kanga XXIV, Zana e Vizitorit)
Flamuri kuq e zi
Përse flamuri kuq e zi,
Sot ma s’pari, bukuri,
Porsi fleta e Engjllit t’Zotit,
Po valvitë mbi tokë t’Kastriotit,
(Kanga XXX, Konferenca e Londonit)
PërmbylljeLasgush Poradeci është takuar disa herë me Gjergj Fishtën. Ai shkruan se me 1937 kishte vajtur për ta takuar rishtas...[2] Nga disa foto, që na kanë mbërritur prej Marubëve, mësojmë se ka qenë viti 1938 kur Poradeci ka qenë 2 herë në Shkodër: në shkurt (së bashku me Asdrenin që kishte ardhur në Shqipëri me rastin e 25-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë) dhe në prill (së bashku me të shoqen, me të cilën ka realizuar një apo dy foto te Marubët). Fotoja me Fishtën, Asdrenin dhe Koliqin mban datën 22 shkurt 1937, ashtu sikundër fotoja me Tefta Tashko Koçon e të tjerë para Kafës së Madhe mban të njëjtën datë.
Një foto na dokumenton Fishtën duke mbajtur ligjëratën e mirëseardhjes për Asdrenit (dhe Poradecin) në skenën e kino-teatrit Rozafat. Më pas ai ka zënë vend diku në radhë të parë (së bashku me të dy poetët mysafirë të Shkodrës dhe Ernest Koliqin) për të ndjekur koncertin e sopranos Tefta Tashko Koço (dhe të pianistes Lola Aleksi-Gjoka).
Tefta jepte shfaqjen e saj të dytë në Shkodër (të parën e kishte dhënë dy vjet më parë (1936). Mbahet mend surpriza e Prengë Jakovës (aso kohe 20-vjeçar) me orkestrën e tij frymore të të rinjve. Ai orkestroi brenda natës disa nga këngët e repertorit të sopranos korçare me zë të bukur dhe i ekzekutoi të nesermen në lulishten përballë hotelit ku ishin akomoduar artistet. Disa nga këngët e saj më të bukura ishin me tekst të Lasgush Poradecit, ashtu si edhe me vargje të Gjergj Fishtës kishte disa këngë tashmë shumë të njohura në Shkodër e më gjerë.
Me siguri, kur Poradeci shkruan se e kishte kërkuar Fishtën në kuvend sapo kishte mbërritur në Shkodër (por nuk e kishte gjetur), bën fjalë për ardhjen e tij të dytë në Shkodër në fillim të muajit prill. Siç shkruan ai, ishte takuar me Fishtën (sepse e kishte gjetur Fishta Poradecin) dhe kishin shkëmbyer mendimet e tyre për poezinë. Kishin shkëmbyer edhe librat. Në kushtimin e tij Poradeci i kishte shkruar Fishtës: “Njeriut të Zotit meditans dhe militans, / Burrit shqiptar përfaqësonjës. / Më të madhit epik të shekullit.”
Edhe Fishta i kishte thënë Poradecit, madje, “duke e përkëdhelur toskërisht” se mirë e lexonte poezinë e tij dhe mirë e kuptonte. Dhe i kishte shpjeguar më tej “fshehtësinë e Forcës dhe të Fuqisë së racës shqiptare, Atavizmën dhe dhe Dinamizmën e gjakut shqiptar, Frymën, Parimin, Fjalën e përjetshme dhe Mendimin e Kombit” (f.73). Gjëra këto që për autorin e Lahutës së Malcis i shqiptonte edhe Eqrem Çabej kur argumentonte se Gjergj Fishta është Poeti Kombëtar i vetëm i shqiptarëve (edhe përballë Naim Frashërit, Jeronim de Radës e Zef Skiroit). Aso kohe edhe Çabej ishte në Shkodër ku shërbente si mësues letërsie në gjimnazin e qytetit. Në veprën madhore të Fishtës, shkruante ai, “është pra njësia shqiptare, shpeshherë e panjohur, e cila ndrit së poshtmi më çdo anë. Atëhere nuk duhet t’ia marrim poetit për të keq, por duhet t’ia dimë përkundrazi për të mirë, që mori e përvetësoi gjithë të thjeshtën, të moçmen, të paprishurën atje ku e gjeti të ruajtur më mirë dhe që e ngriti në sferën e poezisë... Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe ia mbrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit.”
E dini përse në këtë paraqitje i kam pranëvenë Lasgush Poradecit Eqrem Çabejn? Edhe për faktin se njëri është nga Pogradeci e tjetri nga Gjirokastra (jo nga Shkodra a Prizreni, f.b.). Dhe kur thonë ata të dy se Gjergj Fishta është Poeti Kombëtar dhe Lahuta e tij Epopeja Kombëtare e shqiptarëve kudo që ata janë, do të thotë se ashtu është vërtetë për të gjithë ne që e mbajmë vetën për shqiptarë edhe sot e kësaj dite, pavarësisht krahinës prej nga jemi, qytetit, rajonit apo kontinenti ku rrojmë.
Universiteti i Durrësit, 8 Shkurt, 2017.
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com