Lasgushi dhe pushimet
magjike me familjen 

Lasgushi dhe pushimet<br />magjike me familjen 
POGRADEC- Në fundjavë më shumë se çdo gjë të vijnë në mend pushimet, vende të bukura, nostalgji, ushqime të shijshme…një mënyrë për ta lënë pas monotoninë e kryeqytetit…
Ndonjëherë nostalgjia ka efekt aq të fortë sa mund të marrë timonin e të na drejtojë në shtigje e histori të hershme, atje ku mund të kuvendosh me njerëz të dashur që sot nuk jetojnë më, atje ku mund të ndjesh aroma nga kuzhina e nënës, a të dëgjosh jehonën e të qeshurave fëminore në lojëra a gëzime prej çapkënësh… Në këto ditë të nxehta gushti, suplementit tonë i rezervuam një hapësirë plot efekte nostalgjie dhe ftuam një personazh që rrëfen bukur, por mbi të gjitha ka kujtime të mrekullueshme. Ajo është Marie Gusho, vajza e Lasgush Poradecit. Të flasësh me të për  pushimet, është si të hapësh një portë që të tregon një botë magjike….Atje sheh poetin dhe vajzat në qytetin piktoresk buzë liqenit, kujdesin dhe dashurinë e tij atërore, nënë e përkushtuar në kuzhinë dhe gjellët e shijshme, kujtime e ndodhi të bukura…
 
Marie, ta nisim këtë bisedë që jam e sigurt që do të sundohet nga nostalgjitë dhe kujtimet, pikërisht nga fëmijëria… I mban mend fundjavat e fëmijërisë? Si ishin ato në familjen e Lasgush Poradecit? Si i organizonit? Mua më pushtojnë imagjinatën poezitë, korani, shëtitje buzë liqenit, peisazhet madhështore…
Në fund të qershorit, mbasi mami mbaronte mësimet (ajo ishte arsimtare) dhe unë dhe motra mbaronim shkollat, niseshim në Pogradec. Babi pajtonte gjithmonë një taksist privat, të cilin e kishim komshi. Niseshim herët në mëngjez dhe merrnim me vete shumë plaçka, të cilat do të na duheshin për muajt, që do të qëndronim atje. Fillonte kështu për ne stina e Pogradecit.
Në Pogradec gjithçka ishte ndryshe nga Tirana, çdo gjë: ajri, ushqimi, miqësitë, komshinjtë. Sapo arrinim me makinë dilnin të gjithë komshinjtë, edhe femijët dhe i drejtoheshin babit: Ardhe Zoti Llazar! Na e zbukurove mëhallën! Ishte shumë bukur, ndjeheshe shumë e rëndësishme.

lasgush poradeci
(Foto: Lasgush Poradeci me dy vajzat)

Ne nuk laheshim në liqen, asnjëherë me të tjerët. Shkonim larg. Njëherë shkonim në tokën tonë që e kishim buzë liqenit, aty ku sot ndodhet Bar Lulishte “1Maji”, tokë të cilën mbi 20 vjet në mënyrën më kriminale e mbajnë persona të qeverise që shkoi, padrejtësisht. Babi shkretë thoshte gjithmonë: shqiptari është hajdut! Dhe kishte të drejtë. Këta “cuba” nuk kanë vjedhur vetëm tokën tonë, ata na kanë vjedhur kujtimet e fëminisë. Po hajduti nuk pyet çfarë vjedh.

Në vitin 1967, kur këtë tokë na e shtetëzuan atëhere babi gjeti një vend tjetër për tu larë. Gjithmonë larg njerëzve. Përse larg njerëzve baba - e kam pyetur një herë. Dhe ai më ka thënë: sepse atje kur jemi vetëm ne flasim me Perëndinë. Ky vend ishte poshtë Kalasë në Pogradec, një vend që pleqtë i thoshin “Lumi i trahanit”. Aty poshtë rrugës automobilistike ishin disa pemë të vogla si shkrurre dhe babi me një thikë të mprehtë i kishte hapur ato dhe kish bërë një guvë tamam si një dhomë.
poradeci me familjen
(Foto: Lasgush Poradeci me familjen)

Dita që do të shkonim për të bërë banjë ishte për familjen një ditë e jashtëzakonshmë. Sepse do bënim pregatitje të mëdha. Një ditë më parë babi bëntë pazarin dhe nga ajo çfarë kishte blerë ai, mami do të gatuante. Tavë me peshk ose tavë me mish. Kishim një karrocë çeke për fëmijë, që kur kish qënë Kostandina bebe. Në këtë karrocë futeshin gjithë sendet e nevojshmë që do të na duheshin atë ditë. Më kujtohet unë dhe motra merrnim me vete disa fustanka, triko, lodra dhe prindërit nuk na e prishnin qejfin.
Babi, Kostandina dhe unë niseshim përpara mbasi kishim mbaruar mëngjesin. Mami rrinte në shtëpi, pëegatiste tavën dhe e shpintë në furrë. Ne shkonim te vendi në liqen dhe e para gjë që bënte babi fuste termometrin në ujë. Gjithashtu fuste edhe karpuzin (shalqinin). Çdo gjë kontrollohej për ne, na ruanin si sytë e ballit. Ata na kishin bërë mbas 16 vjetësh martesë, normale. Mami vinte rreth drekës, me tavën e ngrohtë nga furra dhe shtroheshim të hanim drekë. Kohëra të arta… më mungojnë shumë.

Cilat janë aromat që nuhasni ende nga kuzhina e fëmijërisë? Çfarë gatuhej aty? Kush gatuante?
Zakonisht gatuante mami, mishin e bënte me zarzavate. E bënte në tavë balte. Bëhej shumë i shijshëm. Ndërsa peshkun e gatuante sipas llojit të peshkut. Për shembull klenin, një lloj peshku i liqenit, e bënte më vaj dhe uthull… gjithmonë në tavë balte, belushkat dhe koranin i skuqte në shtëpi dhe kur vinte te ne, dreka ishte gjithmonë e ngrohtë. Përpara se mami të largohej për në Tiranë (për arësye pune) na bënte trahana me qumësht dhe vezë, e thante dhe na e vinte nëpër qese bezeje. Këtë trahana, babi na e gatuante çdo mëngjez me gjalpë dhe djathë para se të na çonte në kopësht ose në shkollë.
 
A ishte Lasgush Poradeci i dhënë pas jetës në shtëpi, gatimit apo angazhimeve të tjera?
Babi ishte një familjar i shkëlqyer. Edhe ai vetë gatuante dhe shumë mirë madje. Dinte të bëntë edhe bukë me qiqra. Me kujtohet kur rrinim në Pogradec ato muaj, pa mamin – nga shtatori deri në nëntor, (ajo këtheheshe në Tiranë sepse i fillonte shkolla), babi na gatuante simite dhe i thoshte furrxhiut që do ti merrte në orën tre mbasdite. Sepse në këtë orë ishte pushimi i madh në shkollë dhe ai vinte atje me tepsi, të ngrohta nga furra. Më merte mua dhe Kostandinën dhe na ushqente me simite, me djathë dhe rrush.

Po nëna juaj si gatuante, çfare pjate të parapelqyer kishit ju prej gatimeve te saj...
Gatimi i mamit diktohej nga babi. Çdo ditë zarzavate dhe ato vetëm të zjera, pa kripë. Edhe mishin ashtu e donte të zjerë. Kështu u mësuam edhe ne të hanim sipas shijes së tij. Por nga mami më kanë ngelur në mendje gatimi tradicional që bënte kur ishin pashkët. Zakonisht mishin e qingjit e piqte. Bënte dible, një lloj byreku me djathë dhe si ëmbëlsirë bënte pasta frola. Shtroheshe bukur tavolina dhe ftonin gjithmonë miq. Mua dhe Kostandinës çdo vit na blinin fustan dhe sandale të reja dhe i vishnim kur shkonim në kishë. Sa bukur! Babi gjithmonë na thoshte: ne shkojmë në kishë sepse jemi të krishterë!
 
Përtej kësaj, në lojëra dhe argëtime, në arratitë e vogla të pushimeve, si ishte marrëdhënia juaj prind e fëmijë? Si e kalonit kohën e lirë?
Unë isha më e lëvizshme se motra ime, isha shumë çamarroke. Duke luajtur i vrisja gjunjët, duart, kokën. Gjithmonë do të isha e mjekuar. Por prindërit nuk ma prishnin kurrë këtë kënaqësi që më jepte loja me shoqet. Madje kur ishte ftoftë i pranonin ato edhe në kuzhinë aty ku rrinim se ishte ngrohtë, pa u besdisur.
 
Kur u larguat nga Pogradecit për të jetuar në Tiranë? Si ishte ndarja me qytetin? Po jeta juaj mes këtyre dy qyteteve?
Ne nuk kemi banuar definitivisht asnjëherë në Pogradec. Ne gjendjen civile e kemi patur në Tiranë dhe kjo që në vitin 1935 kur babi u kthye nga studimet me titullin Prof Doktor nga Austria.  Asnjerë nuk ka patur ndarje nga Pogradeci sepse babi nuk jetonte dot pa të. Në qoftë se vinte në Tiranë kjo ndodhte për shkak të klimës.
 
A mërzitej nëna jote dhe ju, kur babai duhej të mbyllej në dhomë e të merrej me vargjet? Si zgjidhej kjo mes jush?
Nëna ime ishte një grua inteligjente, kish mbaruar Institutin “Nana mbretereshë”. Shumë shpejt ajo kuptoi se të jetosh me Poet nuk është e lehtë. Por ajo e adhuronte tim atë. Jeta pa të ishte e pamundur. Pastaj ata në letrat që kishin shkëmbyer në kohën e fejesës (që janë të botuar, si Vepra nr.3) i ishin betuar njëri-tjetrit për dashuri të përjetshme dhe si njerëz me karakter të fortë, asgjë nuk i theu.
 
Çfarë  të mungon sot më shumë nga kjo kohë?
Mungesa e madhe dhe e pazvendësueshme është mungesa e prindërve. Mbas vdekjes së tyre më është dashur ta çaj jetën e vetme, është shumë e lodhshme dhe e mundimshme. Por im atë më ka mësuar se: jeta i takon atij që është i zoti.
 
Si janë pushimet dhe fundjavat e tua sot?
Sot ka mundësi argëtimi në të gjitha perlat që ka bota, mjafton të dish të planifikosh. Dhe ne me motrën kështu bëjmë. Por nuk mund të mos kthehmi edhe atje, në Pogradec. Fjalët e fundit të babit në shtratin e vdekjes ishin: “Kostandinë bijë e babkës, trupin tim edhe të vdekur ta shpini në Poradec”.  Kostandina ndërhyri: Baba, po ne jemi ne Tiranë, kush do të të vijë ty atje te varri? Dhe ai tha: Kur të vini një herë në vit për pushime të ma shikoni varrin! Ne sigurisht që shkojmë të varri i tij më shumë se një herë në vit, por amanetin e tij gjithmonë e kemi mbajtur.
 
A ke ndonjë mënyrë tënden ta rikthesh pas kohën dhe përjetimet e dikurshme…?
Sigurisht që ka dhe njeriu kur kërkon, gjen. Ai ka lënë një arkiv të mrekullueshëm që më bën të jetoj çdo minutë jetën në retrospektivë. Nganjëherë mbushem më lot, nganjëherë i lidh ngjarjet dhe shkrihem duke qeshur. Sidoqoftë është shumë bukur. Të jesh vajza e Lasgush Poradecit është jo vetëm një shans që të qëllon shumë rrallë në jetë por është edhe një privilegj.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 09.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri