Presidenti i ekipit të Laçit, Pashk Laska pas përfundimit të ndeshjes ka deklaruar se penalltia e Erjon Vucajt është humbur me vetëdije, pasi në të kundërt rrezikohej jeta e futbollistëve, pasi fusha ishte mbushur me gurë. “Imagjinoni nëse Vucaj do të kishte shënuar, cfarë do të kishte ndodhur. Më tepër se tri pikët e kësaj ndeshje më intereson jeta e futbollistëve”.

Ndërkohë trajneri i ekipit të Laçit, Stavri Nica për A1Report ka deklaruar pas ndeshjes se’ Nuk e di se çfarë të them, sot ka qenë dita më e vështirë e jetës sime me atë që kam parë në Ballsh. Jemi të tronditur të gjithë, pasi jemi dhunuar fizikisht. Në Ballsh ishte përgatitur skenari i dhunës, pasi që në fillim kishte presion.

Tifozët thërrisnin sipër kokës sime në pankinë ‘thyejuani këmbët, bjeruni, i vrisni në fushë, mos i lini të dalin të gjallë’. Ndeshja filloi edhe disa minuta me vonesë për shkak se tifozët nuk ishin larguar nga stadiumi, por delegatët e FSHF të ndodhur në presion dhe duke menduar se rrezikonin kokën menduan ta vazhdojnë, por ndeshja duhej ndërprerë” deklaroi ai. Incidenti? “Po, isha pranë Çelës kur ndodhi.

Kapllanaj e goditi me një shkop në kokë disa herë, policia nuk u tregua në lartësinë e duhur. Madje goditën edhe futbollistët e mi, portierin, Sefgjinin dhe disa të tjerë” vazhdon ai më tej rrëfimin. A e humbi Vucaj penalltinë me vetëdije? “Sigurisht që po, pasi nëse do ta shndërronte në gol, rrezikonte jetën, fusha u mbush me gurë, sharje, ofendime, kërcënime. Bylisi duhet të ndëshkohet rëndë, masat duhet të jenë ekstreme” përfundoi ai. Laçi pritet që të dërgojë cështjen në Komisionin e Disiplinës.


Dylber Balla/Shqiptarja.com