Laura Bispuri: Kam lexuar Kanunin 
e Kadarenë për filmin “Burrnesha” 

Laura Bispuri: Kam lexuar Kanunin <br />e Kadarenë për filmin “Burrnesha” 
TIRANE- “Vergine Giurata”- “Virgjëreshat e betuara” është filmi im më i dashur, -është shprehur regjisorja Laura Bispuri, e cila ka debutuar në botën e filmit me “Passing Times”, “Salve Regina”, “Blonde”, e disa dokumentarë. E pranishme dje për premierën e filmit në Tiranë, në kuadrin e Tirana Film Festival, Bispuri, ka folur gjatë për mënyrën si u krijua ky film. Kryesisht filmi “Burrnesha” me skenar të autoreve italiane, Laura Bispuri dhe Francesca Manieri e regji të Laura Bispurit është mbështetur mbi romanin e Elvira Dones “Hana”.

Në rolin kryesor luan aktorja italiane, Alba Rohrëacher, e cila në katër festivalet e fundit në Venecia ka fituar tri herë si aktorja më e mirë dhe në karrierën e saj numëron mbi 20 çmime ndërkombëtare. Në film luajnë aktorët shqiptarë Flonja Kodheli, Bruno Shllaku, si dhe dy vajza të reja nga Valbona e Tropojë, Drenica e Dajana Selimaj, si dhe aktorët kosovarë Luan Dautaj e Ilire Vinça Ҫelaj.

Filmi prezantohet në shqip me titullin “Burrneshat”, ashtu siç thirreshin në Shqipërinë e Veriut “virgjëreshat e betuara” që merrnin përsipër rolin e kryetarit të familjes në mungesë të një mashkulli në krye të saj. Kjo sakrificë e ka ngacmuar Laura Bispurin, kur lexoi librin e Elvira Dones që rrëfen historinë e këtyre burrneshave, dhe traditën që ka mbijetuar edhe sot në zona të thella të Veriut. Kjo temë bëhet një objekt simbolik për të shprehur humbjen e lirisë njerëzore. Megjithatë vendi ku xhirohet, Shqipëria, traditat e saj, deri tek “Gjama e Burrave”, ruajnë karakterin unik të këtij vendi.

Filmi “Vergine Giurata”, në shqip “Burrnesha” u dha dje paradite për median. Regjisorja Bispuri ka përdorur elementë konvecionalë për të lidhur pjesët e filmit. Hanën e shndërruar në Mark që jeton në Malet e Veriut, e zhvendos me evolucionin e shoqërisë dhe tashmë ajo është Marku që i duhet të shkojë në Itali pas vdekjes së nënës, për të gjetur motrën, që prej vitesh kishte krijuar familje me të dashurin, me të cilin ishte arratisur nga vendi i saj, pa i duruar dot zakonet ndrydhëse, si “femra s’ka të drejtë me e zgjedh vet burrin e saj”, etj.

Rrëfimi i filmit të Laura Bispurit është diakronik, i përbërë nga kryqëzimi i dy lëvizjeve të kundërta. Pjesa e parë e filmit është vendosur në Shqipëri, ku regjisorja është fokusuar tek zgjedhja e Hanës për t'u bërë Marku, duke hequr dorë nga feminiliteti i saj, dhe pjesa tjetër zhvillohet në Itali për të rikompensuar humbjen e një të drejte njerëzore, mohimi i seksit. Pjesa e rilindjes së personazhit e shfaq gjithmonë e më tepër dramaticitetin e momentit të parë, kur kjo qenie njerëzore u betua të mos përjetonte ndjesitë e saj në emër të traditës, e kuptuara ndryshe në film edhe në emër të një ideali.

Regjisorja thotë se është munduar të ketë një finale sa më harmonioze, por në film ka një pikëpyetje estetike, duke e parë nga kontektestet e kulturës dhe psikologjisë shqiptare. A do të zgjidhte vallë një vajzë me ndjenja të ndrydhura dhe krenari ekstreme që ta niste dashurinë e saj në një “shurrëtore” pishinash…?!

Përveç kësaj pikëpyetje që rri pezull, në fakt Laura Bispuri ka sjellë përsosmërisht në kohë një temë arkaike si ajo e virgjëreshave të betuara, duke provokuar të sotmen ku gjinitë deformohen dhe shumë qenie ende nuk e kanë kuptuar nëse janë burra apo gra. Natyrisht, ajo një regjisore që lufton në industrinë e “egër” të filmit pohon se ky film “vë në dyshim” shkallën e lirisë së grave, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Itali.
 
Si mundët, ju zonja Bispuri, që ta kuptonit kodin e atyre zakoneve të lashta të Malësisë së Veriut, që edhe ne shqiptarët e kemi të vështirë t’i kuptojmë pa ndihmëm e studiuesve ose etnologëve, siç janë “Gjama e burrave” apo traditat e tjera?
Unë kam lexuar shumë, kam lexuar Kanunim, librat e Kadaresë dhe librin “Vigjëreshat e betuara”. Për këto elementë ka shumë materiale, mjafton të kërkosh, siç është dokumentari i Elvira Dones dhe pastaj edhe libri “Hana” i saj, libri ku është bazuar filmi artistik. Kam lexuar intervistat e bëra me këto gra e me këto virgjëresha.

Si fillim unë u mundova ta kuptoja në vetën e parë sesi mund të ishin ligjet e zakonet apo rregullat. Pastaj lidhja ime ka qenë, jo vetëm me vetë virgjëreshat, por me vendin ku jetonin ato dhe herë pas here kisha perceptime të ndryshme me mënyra të ndryshme dhe kontradiktore me idenë që kisha unë mbi këtë fenomen. Unë e sfidova kuptimin e këtij fenomeni, duke e kapërcyer edhe më tej. E kuptova pas kësaj se nuk është fenomeni apo rregullat që marrin rëndësi, por është edhe forca e personave që e çon më tej këtë fenomen. Për mua përtej fenomenit janë njerëzit.

Secila prej virgjëreshave ka botën e saj, ka pasiguritë e ndryshme. Kam dashur t’i përmbledh të gjitha këto kultura njohjeje, që t’i fus brenda personazhit, se sigurisht unë do të tregoj historinë e njërës prej tyre. Pasi lexova ligjet e Kanunit, zbulova se femra fiton të njëjtat të drejta me burrat, sapo heq dorë nga marrëdhëniet e saj si femër dhe betohet për paprekshmërinë e turpit. 

Ndërsa shkruaja skenarin me Francesca Manierin për dy vjet, unë kam qëndruar mes Italisë dhe Shqipërisë, duke u kthyer në malet shqiptare, duke biseduar me malësorët shqiptarë, iu rrëfeja skenarin me të cilin punoja për xhirimet e këtij filmi. Në Shqipëri unë kam hulumtuar në trashëgiminë e lashtë të këtij vendi, kam studiuar ligjet e një shoqërie që ruan ende disa zakone fisnore dhe ky film erdhi si një zbulim. 
 
 Mesazhet përtej subjektit të këtij filmi cilat janë?
Mesazhet janë brenda nesh, brenda kohës në të cilën jetojmë. Koha ku jetojmë vuan nga disa probleme, që ende unë vetë, ne gratë po i përjetojmë, ne ende nuk e kemi arritur shkallën e lirisë që duhet të kemi sot si qenie njerëzore dhe si gra. Kur nisa xhirimet kuptova se kjo temë më përkiste mua. Gratë nuk e kanë arritur shkallën e duhur të lirisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Xhirimet kanë pasur shumë vështirësi, por të gjitha u zgjidhën si me magji.

Kujtoj sesa e vështirë ka qenë për mua që të gjeja dy vajzat adoleshente që të luanin Hanën dhe motrën e saj, Lilën, sepse aktoret kryesore në pjesën më të madhe të filmit janë në moshën madhore. Jam befasuar me zbulimin e dy vajzave nga Tropoja. I pashë dy motrat, Drenicën dhe Dajanën, në Valbonë, që rrinin e vështronin të mbështetura në portën para shtëpisë së tyre. M’u desh të sigurohesha se ishin pikërisht ato, dhe sidomos për Drenicën që i ngjante aq shumë Albës. Kur u ktheva të bisedoja i gjeta në të njëjtin pozicion. Dukej sikur më kishin pritur mua.

Një vështirësi tjetër ishte se xhirimet na u vonuan deri në prill dhe duhej të binte borë për filmin. Dhe ja një ditë të bukur bora filloi. Shkrepa kamerat. Më shumë kuptim kishte edhe vaji i burrave për babain e Hanës në mes të dëborës. Kam xhiruar nga afër, pa i gjykuar malësorët, por duke respektuar traditat e tyre, vendin e tyre. Më tej me ikjen e Markut nga Shqipëria i vendos ngjarjet në një pishinë.

Marrëdhëniet e Mark-Hana me kujdestarin e pishinës shfaqin peisazhin italian, ku dua të nënkuptoj se realiteti bashkëkohor i zhduk barrierat në mes të popujve, e këtë dua ta jap në një mënyrë delikate. Çdo gjë që ne shohim është pasqyrim i botës së brendshme të Markut. Marku, duke rizbuluar identitetin e tij femëror, Hanën, do të përfaqësojë deri në fund të filmit realitetin e shprehjes së lirisë njerëzore. 

 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!

Basha pyet Berishën: Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!