/ATSH-Gjergji Mima/ -Drejtuesit e Postave nga vendet e Europës juglindore nënshkruan në Rumani një Memorandum bashkëpunimi me objektiva kryesore: zgjerimin e aktivitetit tregtar rajonal mes operatorëve publikë, përthithjen dhe përfitimin nga fondet e BE-së dhe rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare mes operatorëve, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit.
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, ishte në Konferencën Rajonale të organizuar në Rumani në datat 22 dhe 23 shtator, e cila kishte si qëllim krijimin e Grupit Strategjik të Operatorëve Postarë të Europës Juglindore.
Pjesëmarrësit ishin operatorët publikë postarë të vendeve si Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Greqia, Turqia, Kroacia, Qipro, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Herzegovina, Maqedonia, etj.
Qëllimi i kësaj konference ishte thellimi i marrëdhënieve midis operatorëve postarë me synimin e një përqasjeje të re ndaj sfidave që kjo industri po kalon në nivel kombëtar, rajonal dhe më gjerë.
Operatorët Postarë të vendeve anëtare të BE-së shprehën gatishmërinë e tyre në dhënien e asistencës për operatorët postarë të vendeve jo anëtare të BE-së, duke vënë theksin tek rëndësia e hartimit të strategjive afatgjata me qëllim përfitmin maksimal nga asistencat dhe projektet që BE financon nëpërmjet instrumenteve IPA.
Gjatë fjalës së mbajtur, Lazimi përgëzoi iniciativën dhe vlerësoi maksimalisht këtë platformë rajonale si instrument sinergjie për të gjitha postat e rajonit, për të ofruar paketa shërbimesh edhe për aktorë globalë në fushën e tregtisë online si E-bay, Amazon, Alibaba, etj.
Gjithashtu, ai theksoi angazhimin e Postës Shqiptare në hartimin e projekteve rajonale të suksesshme për të përthithur fondet e BE-së.