LB: KQZ i jep më shumë se një milion euro partisë që nuk e njeh shtetin e Kosovës


PRISHTINE, 4 Shkurt/ATSH/-Lëvizja për Bashkim, ka reaguar në lidhje me financimin e partive politike që bëhen nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve.
Nga KQZ, sipas Lëvizjes për Bashkim përfiton 315 mijë euro për vit edhe Lista Serbe, parti kjo e cila sipas LB-së nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Kjo parti përmes një njoftimi për media kërkon që të ndërpritet financimi i jashtëligjshëm i Listës Serbe.
"Me vendimin e datës 13.1.2015 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që nga Buxhetit i Republikës së Kosovës, përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike, Listës Serbe t'i ndaj buxhet për vitin 2015 në lartësi prej 315.000.00 Euro. Ky vendim parqet shkelje flagrante të Ligjit Nr.03/L-174, ligj për financimin e subjekteve politike, përkatësisht nenit 9 të këtij ligji; gjithashtu paraqet shkelje të Ligjit Nr.03/L-073, ligj për zgjedhjet e përgjithshme, përkatësisht nenit 19, pika 1 dhe 2 të këtij ligji, si dhe shkelje të Rregullores Nr.01/2008 të KQZ-së, përkatësisht neni 2, pika 2.4 të kësaj rregulloreje", thuhet në reagimin e LB-së.
Lista Serbe përmes kësaj forme të shkeljes së ligjit, sipas LB-së, nga Buxheti i Kosovës për mandatin katërvjeçar do të përfitojë 1.260.000.00 Euro.
"Lista Serbe është certifikuar për zgjedhjet e përgjithshme 2014, por ajo nuk është regjistruar si subjekt politik, sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës e as institucionet e simbolet e saj. Kur t'i shtohen kësaj veprimet politike të Listës Serbe kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj, atëherë ky shpërdorim i Buxhetit të Kosovës vjen e bëhet edhe i rrezikshëm politikisht", thuhet në reagimin e LB-së.
Lëvizja për Bashkim kërkon nga KQZ-ja që ta rishqyrtojë vendimin e datës 13.1.2015, vendim ky për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për Financimin e Subjekteve Politike, ku LB kërkon që KQZ-ja të marrë vendimin meritor, në përputhje me ligjet në fuqi, - ta largojë Listën Serbe, si Nismë Qytetare, nga Regjistri i Partive Politike, ku ka hy jashtë çdo procedure ligjore, e, rrjedhimisht, t'ia ndërpres financimin e paligjshëm.
Në të kundërtën, ftojmë Prokurorinë e Kosovës që me urgjencë t'i hetojë këto shkelje të ligjit dhe t'i konstatojë motivet e vërteta të këtij shpërdorimi të Buxhetit të Republikës së Kosovës./KosovaPress/ /a.g/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqje