PRISHTINË,  23 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Koalicioni i pas zgjedhjeve të 8 qershorit, LDK-AAK-Nisma shprehet sot se, vakumi institucional, si rezultat i zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe vonesa në krijimin e institucioneve të reja, po e dëmtojnë seriozisht administratën publike në Kosovë.
Sipas komunikatës, "posaçërisht, në gjashtë muajt e fundit, qeveria në largim, pa asnjë kriter ka punësuar një numër të madh të aktivistëve partiakë, në shërbimin civil të Kosovës".
Më tej thuhet se, me kontrata mbi vepër, krijim postesh fiktive, transfer të stafit politik në shërbimin civil dhe konkurse të parapërgatitura, po synohet që të rehatohen kuadrat partiake dhe të afërmit e qeveritarëve në ikje.
"Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma kërkon nga zyrtarët qeveritarë t'i ndalojnë praktikat e tilla. Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma, bën të ditur se të gjitha kontratat e punës në gjashtë muajt e fundit do të rishikohen", përfundon komunikata./a.g/