TIRANE - Pas rreth dy vitesh “21 janari” po shkon drejt fundit, duke mbyllur një nga dosjet më të përfolura të drejtësisë. Në seancën e sotme u shfaqën pamjet filmike të ekspertimit të rrobave të viktimës Ziver Veizi.

Palët në proces ranë dakort duke mos patur pretendime dhe prova shtesë për të paraqitur në seancën gjyqësore por pranuan që seanca e radhës të jetë ajo e paraqitjes së konkluzioneve, e cila do të zhvillohet më 30 janar.

Në protestën e 21 Janarit të vitit 2011 mbetën të vrarë katër protestues, ndërsa pas hekurave është i pandehur vetëm gardisti Agim Llupo i cili akuzohet se ka qëlluar protestuesin Ziver Veizi.

Nëse Ziver Veizi u vra me plumb rikoshet apo jo ekspertizat balistike nga 3 ekspertë, Ndoc Cardaku, Gani Jahelezi dhe Dritan Zoto kanë qenë të ndryshme. Eksperti Zoto i propozuar nga akuza do të deklaronte para trupit gjykues se Ziver Veizi është vrarë me plumb të drejtpërdrejtë dhe nuk ekziston asnjë mundësi shkencore që predha të ketë bërë rikoshet.

Afro dy vite pas ngjarjes familjarët kërkojnë drejtësi, partnerët europian apelojnë për një process të rregullt, ndërsa opozita shqiptare më 21 janar të 2013 do të organizojë për të dytin vit homazhe në nder të 4 viktimave, të hënën e ardhshme.

DESHMITE KONTRADIKTORE TE EKSPERTEVE
Në seancën e 7 janarit 2013 eksperti i thirrur nga Prokuroria Dritan Zoto, deklaroi se Ziver Veizi është vrarë nga një plumb i drejtëpërdrejtë. “Plumbi që vrau protestuesin Ziver Veizi nuk ishte rikoshet”. Deklaroi eksperti i kriminalistikës në seancën gjyqësore të 7 janarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Argumentit pse plumbi nuk ishte rikoshet, Zoto tha se predha ka bërë takim me trupa të tjera dhe kjo është arsyeja pse ashklat e drurit u gjetën në predhën që vrau Ziver Veizin.

"Predha e gjetur në autopsinë e Ziver Veizit, objekt ekspertimi, gjatë lëvizjes së saj, nuk mund të ketë shoqëruar dy copëzat e drunjta të gjetura në këmishën e viktimës Ziver Veizi, objekt ekspertimi", thuhet në konkluzionet e ekspertit Dritan Zoto.

Ndërkohë që seancën e kaluar, më 26 dhjetor 2012, eksperti Gani Jahelezi i thirrur nga avokati mbrojtës deklaroi se plumbi ishte rikoshet. Sipas ekspertit kriminalist, Gani Jahelezi, predha ka udhëtuar së bashku me dy ashklat mikroskopike në trupin e të ndjerit, çka nënkupton se viktima është qëlluar nga një predhë rikoshet.

Eksperti Gani Jahelezi ka deklaruar në seancën e 26 dhjetorit 2012 të dosjes së "21 janarit" se shkencërisht është e mundur që dy ashklat e drurit të gjetura në predhën që dyshohet se ka vrarë Ziver Veizin të kenë udhëtuar në të njëjtën trajektore me predhën edhe pse shpejtësia e lëvizjes është shumë e lartë. Sipas Jahelezit dy ashklat mund të kenë shoqëruar predhën të mbetura në të, ose si pasojë e vakumit të madh që krijon shpejtësia e predhës të kenë ndjekur nga pas atë”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)