“Aljazeera”, dokumentar për 500
fëmijë romë shqiptarë të zhduku

“Fëmijët e humbur të Shqipërisë”, kështu titullohet dokumentari i realizuar nga gazetarja e “Aljazeera”, Sarah Macdonald, ku është investiguar mbi zhdukjen e 500 fëmijëve romë në një jetimore të shtetit Grek.
 
“Është një mister i rëndë që ka tronditur qeveritë e dy vendeve dhe ende përndjek një nga grupet minoritare më të varfra në Europë”.
 
Kështu nis dokumentari në të cilin shpjegohet se një dekadë më parë më shumë se 500 fëmijë romë të Shqipërisë, lypsarë rruge të grumbulluar nga policia Greke para nisjes së Lojërave Olimpike në 2004-ën në Athinë, u zhdukën nga një qendër strehimi shtetërore. Përse ata u dërguan në atë vend dhe ku shkuan më pas?
 
Të gjitha përgjigjet vijnë në investigimin e realizuar për “Njerëz & Fuqi” nga gazetarja Macdonald.
sarah macdonald
(Foto/Gazetarja Sarah Macdonald)
 

Ajo fillimisht ka ardhur në Tiranë, ku ka nisur dhe investigimin e saj dhe më pas është drejtuar drejt Pogradecit dhe Korçës, të cilat i përshkruan si vendlindjen e shumicës së romëve në Shqipëri, duke shpjeguar se gjendja e tyre është po aq e varfër sa dhe në kryeqytet.
 
Ndër intervistat e shumta me lypësit dhe prindërit apo shoqëruesit e tyre, një ndër më të spikaturat është historia e një vajze e cila rrëfen sesi babai i saj e dërgoi në Greqi në moshën 5-vjeçare për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe mënyrën sesi i duhej të përballej me jetën atje...
femije rome
 
Historia vazhdon me rastet e romëve të larguar për një të ardhme më të mirë drejt vendit fqinj, Greqisë, por që nuk janë kthyer më kurrë prej andej dhe asgjë nuk dihet për fatin e tyre.
 
Një kthim retrospektiv i historisë se çfarë ka ndodhur me romët që nga periudha e diktaturës, investigimet e shoqatave për të drejtat e njeriut, mënyra dhe rruga e trafikimit të fëmijëve, torturat dhe jeta e vështirë që kalonin në vendin pritës, prapaskenat pas mbylljes në Agia Vavara, raportimet policore etj; të gjitha në një rrëfim tragjik ende të pazgjidhur.
 
Pjesë e dokumentarit të gazetares janë autoritete të ndryshme greke dhe shqiptare, një ndër to dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili tregon se ende nuk kanë një përgjigje nga organet përkatëse greke dhe se në të vërtetë bëhet fjalë për shumë më tepër fëmijë të trafikuar.
 
Gazetarja në përfundim ngre pyetjen se a do të ishin shtyrë kaq gjatë këto investigime, nëse ata nuk do të ishin fëmijë romë, megjithatë ajo shpreson që ata të jenë kthyer shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre, paçka se kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë.
femije rome

Dokumentari "Fëmijët e zhdukur të Shqipërisë"
Një hetim mbi zhdukjen famëkeqe të 500 fëmijëve lypës shqiptarë nga një jetimore shtetërore greke, është temë e një dokumentari të publikuar nga “Aljazeera”.
 
Është një mister ogurzi që ka ngatërruar qeveritë e dy vendeve dhe ende trazon një prej minoriteteve më të varfra të Europës. Rreth një dekadë më parë më shumë se 500 fëmijë shqiptarë romë, lypës rruge të rrethuar nga policia greke përpara Lojërave Olimpike 2004, u zhdukën nga qendra e kujdesit shtetëror. Pse ishin vendosur aty dhe ku shkuan? Sarah Macdonald ka hetuar lidhur me këtë.
 
Lajmi që qindra fëmijë romë ishin zhdukur nga një jetimore shtetërore në Athinë të Greqisë, doli fillimisht në vitin 2003 në një raportim mbi trafikimin e fëmijëve nga Shqipëria prej organizatës zvicerane të të drejtave të njeriut “Terres des Hommes”.
 
“Në Agia Varvara, që prej nëntorit 1998 deri në tetor 2001, 487 fëmijë nga 644 që kanë mbërritur këtu (75 %) janë zhdukur” . Kjo fjali ende përndjek qeverinë greke.
Pas saj fshihet një histori tragjike që i ka rrënjët që në fillim të viteve 1990, por vetëm sot në 2014-ën mund të arrihet të shihet pas dhe të kuptohet narracioni i komplikuar që çoi në zhdukjen e këtyre fëmijëve.
 
Nën regjimin sovjetik te diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria ishte një shtet totalitar shtypës për gati 40 vjet, ndërsa populli i saj ishte i izoluar nga bota jashtë.
 
Por rënia e komunizmit në vitin 1992, që e zhyti vendin në trazira ekonomike e politike, i hapi edhe mundësinë shqiptarëve që të arratiseshin drejt Europës Perëndimore. Qindra mijëra vetë e shfrytëzuan këtë mundësi. Shumë prej minoritetit rom të Shqipërisë, gjithmonë komuniteti më i varfër dhe më i margjinalizuar në vend, ishte veçanërisht i prirur për t’u larguar.
 
Qytetet pranë kufirit me Greqinë, Korça, Pogradeci dhe Elbasani u bënë fokusi i këtij eksodi. Romë të rinj, përfshirë edhe shumë adoleshentë e madje edhe fëmijë, u mashtruan nga historitë e pasurive që fitoheshin thjesht duke lypur nëpër rrugët e Greqisë dhe morën malet në kërkim të fatit, shpesh duke marrë vete asgjë tjetër veç shpresën e familjeve të tyre të varfra.
 
Por historia kishte edhe një anë të errët. Në të njëjtën kohë, trafikantët nisën të shfaqen përmes rrjeteve të organizuara që punonin nga të dyja anët e kufirit. Shumë njerëz të afërt me familjet rome ofronin t’u merrnin atyre fëmijët në Greqi për të punuar me premtimin se do tu dërgonin para. Kështu shumë prindër praktikisht “dhanë me qira” fëmijët e tyre, disa prej të cilëve ishin edhe 4 vjeç. Dhe në raste me ekstreme, trafikantët gjurmonin qytetet kufitare duke i rrëmbyer fëmijët nga rrugët, për t’i trafikuar përmes maleve ku do t’i çonin për të punuar me grupet lypëse në Selanik dhe Athinë, dy qytetet më të mëdha të Greqisë. Por shpesh udhëtimi ishte edhe i rrezikshëm, rojet kufitare njiheshin për faktin që u qëllonin atyre, dhe shumë fëmijë thyenin kockat duke vrapuar për t’i shpëtuar patrullave në kufi.
 
Për pjesën më të madhe të tyre, jeta me të mbërritur në Greqi ishte e ashpër: uri, brutalitet, rrahje dhe shfrytëzim nga krerët e bandave që drejtonin rrjete të tëra fëmijësh lypës që vardiseshin përreth kryqëzimeve të ngarkuara të trafikut apo stacionet e trenit.
 
Publiku grek përgjigjej me dashamirësi dhe bujari ndaj duarve të tyre të vogla që iu zgjateshin duke iu lutur nëpër xhamat e makinave. Por shumë pak e kuptonin që ato monedha që i jepnin do të përfundonin shumë shpejt në kasat e bandave kriminale.
Dhe po kështu nuk e kuptonin as faktin që nëse lypësit fitonin pak, shumë prej tyre do të rriheshin në fund të ditës. Ndaj nuk është aspak për tu habitur që fëmijët u bënë shumë shpejt të egër dhe të mprehtë për t’u zhvatur para të huajve.
Dhe më pas fati ndërhyri sërish. Pothuajse në të njëjtën kohë qeveria greke kishte zgjedhur të mikpriste Lojërat Olimpike 2004. E vendosur për ta prezantuar kryeqytetin Athinën me gjithë shkëlqimin rrezëllitës, qeveria nisi një program për largimin e fëmijëve lypës nga rrugët duke i çuar nëpër jetimore shtetërore me pretendimin se kjo bëhej për “mbrojtjen e tyre”.
 
Në Selanik, kjo gjë funksionoi mirë. Një djalë i ri i cili ishte 8 apo 9 vjeç kur policia greke e morri nga rruga, na thotë se ishin kujdesur siç duhej dhe i kishin gjithë mbështetjen, për herë të parë që kur ishte rrëmbyer nga trafikantët në Korçë. Por ai kujton gjithashtu burra dhe gra që i vinin përqark shtëpisë së fëmijëve, të njëjtët që drejtonin bandat e lypësve. Ata donin tu ktheheshin “fituesit e parave”. Drejtori i Shtëpisë së Fëmijës forcoi sigurinë pasi disa prej fëmijëve u zhdukën dhe kërkoi edhe mbrojtjen e policisë për t’i mbajtur trafikantët larg.
 
Ndërsa në Athinë, ku vepronte dhe shumica e fëmijëve të rrugëve, policia merrte 5 apo 6 fëmijë çdo javë dhe i dërgonte në Agia Vavara, një ndërtesë e madhe në zemër të qytetit që deri në ato momente kishte qenë shtëpi për vajzat adoleshente me probleme. Sipas organizatës Terres des Hommes, 84.3% e këtyre fëmijëve ishin romë nga Shqipëria.
 
Njerëzit me të cilët kemi folur thonë se Agia Vavara drejtohej nga njerëz përsëmbari dhe dashamirës. Por ata nuk kishin thuajse fare eksperiencë për të përballuar fëmijë të egër dhe të braktisur që nuk flisnin greqisht. Ata nuk kishin akses tek përkthyesit, punonjësit social apo psikologët e fëmijëve. Ndërsa ndërtesa kishte vetëm një roje.
 
Pavarësisht përpjekjeve të tyre të mëdha, gjërat nisën të dalin jashtë kontrollit. Drejtuesit e inatosur të bandave nisën të kërkojnë rikthimin e fëmijëve duke pretenduar shpesh se i kishin të afërm. Stafi nuk dinte se si t’i gjykonte këto pretendime, edhe për shkak se shumica e fëmijëve kishin dhënë emra të rremë dhe shumë pak prej tyre kishin dokumente identifikuese.
 
Shpesh fëmijët, qartësisht të frikësuar nga sytë e ftohtë të “padronëve” të tyre, pranonin në fakt që personi ishte nëna, vëllai, apo kushëriri kur veç një ditë përpara i njëjti person kishte pretenduar se kishte lidhje familjare me një fëmijë tjetër.
 
Ne kemi mundur të marrim disa dokumente dhe korrespondencën e stafit që kërkonte ndihmë nga qeveria. Letrat paralajmërojnë se situata është jashtë kontrolli dhe ata ndjeheshin të kërcënuar dhe izoluar. Por thuajse asnjë përgjigje nuk ju dha apelit të tyre.
Mes viteve 1998 dhe 2001, më shumë se 644 fëmijë u hoqën nga rrugët dhe u vendosën në Agia Vavara, dhe thuajse në të njëjtën periudhë, mbi 500 prej tyre u zhdukën.
 
Disa citime prej këtyre dokumenteve tregojnë vetë historinë:
“Në orën 20:25 G dhe K ia mbathën nga dritarja e dhomës së ngrënies”
“Mos harroni të kujtoni drejtorin se dritaret e shkallëve janë totalisht të pambrojtura”
“Rreth orës 12:00 fëmijët shqiptarë në katin e parë u tërbuan sërish, kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu”
“Unë nuk mund të qëndroj vetëm në turn me fëmijë të tillë. Kjo është e papranueshme”
“Dy burra e kapën fëmijën dhe e futën në një taksi”
 
 
Në vitin 2004 kur doli dhe raporti i “Terres Des Hommes”, avokati i fëmijëve shqiptarë ushtroi presion ndaj autoriteteve greke që të përpiqeshin të gjenin fëmijët e humbur. Një listë e rishikuar u përpilua, duke rritur numrin e atyre që ishin zhdukur, edhe pse kjo e dhënë tregohej si pasaktësi.
 
(Vetëm gjatë këtij program, ne folëm me tre të rritur që kanë qenë në Aghia Vavara kur ishin fëmijë dhe emrat e tyre nuk shfaqeshin në asnjë listë).
 
Që prej atëherë 80 fëmijë janë gjetur, por 420 të tjerët vazhdojnë të jenë të zhdukur.
 
Ndërkohë nën presionin e OKB dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, qeveria greke nisi një hetim për të zbuluar se çfarë kishte shkuar keq dhe kush ishte përgjegjës por hetimi rezultoi jo bindës dhe shumë shpejt u fut në sirtarë.
 
Por ka nga ata që kanë vazhduar të kërkojnë përgjigje. Në 2012-ën, një deputete greke Maria Yannakaki, e ngriti çështjen në Parlament duke tërhequr shumë vëmendje publike. Për pasojë qeveria greke u përball sërish me kritika se nuk kishte bërë shumë për këtë.
Kur ne kontaktuam me ministrin e Drejtësisë në Greqi për këtë dokumentar, edhe pse ai nuk pranoi të na jepte një intervistë, ai pranoi në një deklaratë se hetimi në fakt ishte arkivuar, por që po shpluroset dhe rihapet për shkak të presionit.
 
Se sa serioz është ky hetim i ri, kjo mbetet për tu parë, por ajo që është e qartë është se në Europën e 2014-ës, komuniteti rom mbetet i varfëruar dhe i persekutuar.
 
Është e pamundur të mos pyesësh veten: Po sikur këta fëmijë të zhdukur të mos kishin qenë romë, a do të ishin bërë më shumë përpjekje për t’i gjetur? Nëse këta fëmijë nuk do ishin romë, a do të kishin bërë autoritetet më shumë përpjekje për t’i ndaluar që të rrëmbeheshin nga dritaret e një jetimoreje për të përfunduar në duart e grupeve kriminale?
 
Ne mund vetëm të shpresojmë që këta fëmijë, t’ia kenë dalë të kthehen nëpër familjet e tyre në Shqipëri, por realisht kjo gjë duket të jetë e pamundur.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Kontrata që i shkaktoi humbjen e madhe, në Spanjë zbulojnë pse erdhi divorci i papritur i Pep Guardiolës

Kontrata që i shkaktoi humbjen e madhe, në Spanjë zbulojnë pse erdhi divorci i papritur i Pep Guardiolës