“Atentat në Paris”, një atentat
mbi mediokritetin e stilit

“Atentat në Paris”, një atentat<br />mbi mediokritetin e stilit
TIRANE- Një nga romanet më të njohur të letërsisë së traditës, “Atentat në PARIS” i shkrimtarit Skifter Këlliçi, vjen në botimin e dytë i ripunuar. Botimi i parë i shkruar nën trysninë e ideologjisë së kohës, u censurua; nuk janë lejuar të botohen fragmente e personazhe të ndryshme. Varianti i ribotuar të bind se “Atentat në Paris” ka qenë dhe mbetet një nga romanet më të mirë të letërsisë shqipe. Vepra për vetë intrigën dhe fokusin gjigant të ngjarjeve historike nuk ka mundur të kushtëzohet as nga klishetë tematike të realizmit socialist, sepse e gjitha fabula e romanit fokusohet në vigjiljen e rilindjes së një demokracie të re shpërthyese, që daton fillimet e shekullit të 20-të në Shqipëri.

Kjo i ka dhënë më shumë liri edhe ligjërimit letrar të autorit. Sinqeriteti i madh i përfshirjes së shkrimtarit në çështjet e historisë kombëtare duke lëvruar ngjarje mbi gjurmët e një epoke që ishte para vendosjes së komunizmit në Shqipëri, si dhe lëvrimi ideoemocional i strukturës së veprës, me një zhvendosje të botëkuptimit nga ideologjia e rilindësve, e ka bërë veprën t’u qëndrojë kohërave e të sfidojë edhe metodat më ngurta letrare. Ndërsa kjo vepër rivjen me po ato vlera artistike, që shenjat e kohës nuk ia kanë bjerrur dot, zbulova atë zhdërvjelltësinë e mahnitshme të të shkruarit, por edhe një stil të mënyrës së prezantimit të personazheve, fakteve dhe ngjarjeve.

Romani “Antenat në Paris”, i parë në kontekstin kohor lë vend për interpretime të ndryshme dhe imagjinare nga secili lexues. Kjo e përshpejton leximin e veprës. Qëndrimit i autorit në një distancë të përkryer nga lënda e trajtuar në vepër; që do të thotë se ai ka mundur ta mbush romanin me lëvizje, me dialogë, përsiatje, përjetime, meditime, ngjarje, histori dhe personazhe, pa i interpretuar vetë në asnjë kontekst, por vetëm duke i prezantuar stilistikisht ngjarjet, i jep jetë romanit. Një shkrimtar që i jep jetë romanit, e bën çdo lloj tematike të jetë e këndshme për t’u lexuar.

Pra Skifter Këlliçi është një nga autorët që i është shmangur që në krye të herës hapur klisheve të metodës së kohës kur e shkroi, sepse nuk gjen askund qëndrime patetike, dhe kjo duket tek mungesa e projektimit me një vijë ndarëse të personazhit negativ dhe heroit pozitiv. Në roman ka një bashkëjetesë natyrale mes personazheve me botëkuptime të ndryshme, një larmi marrëdhëniesh. Madje edhe vetë heroi kryesor Avni Rustemi mbart në lëkurën e vetë më tepër simbolikën historike, është një simbol që të intrigon në zbulimin e enigmave historike. Lexuesi i ndjen dhe i do personazhet, edhe pse ata janë të ndryshëm, të larmishëm, me vese ose jo, ata janë origjinalë.

Për vetë popullimin e veprës me personazhe, i gjithë narracioni i saj priret nga një dhembshuri dhe ndjeshmëri humane, nga një sinqeritet i jashtëzakonshëm, që na bënë të kuptojmë se historia është shumë më tepër se ajo që dëshmojnë kronikat dhe gazetat e kohës, e vërteta e historisë është fshehur e do fshihet brenda vetë thelbit të natyrës njerëzore. Ky roman me një univers të madh ngjarjesh, që lëvrijnë nga Italia në Francë, nga Franca në Shqipëri e deri në Greqi, Turqi e Serbi, të cilat lidhen vetëm me një enigmë, “Pse e vrau Avni Rustemi Esad Pashë Toptanin?!”, është mjaft mbresëlënës me portretizimet që u janë bërë të gjithë personazheve të veprës, aktorëve politikë e mediatikë të kohës.

Pra, nga fillimi deri në fund të veprës, dialogët energjikë, mungesa e komenteve autoriale, zhvillimet e shpejta të ngjarjeve janë karakterizim i një stili të përkryer, që jo vetëm të shtyn ta lexosh me kureshtje dhe shpejtësi veprën, por edhe të mbash ndezur imagjinatën. Falë stilit, pas leximit të një historie të tillë, ku ende sot ka polemika dhe enigma të pazgjidhura, romani përjetohet si përmes një ngjarjeve të jetuar, intriguese në një numër relativisht jo të madh faqesh. Fantazia e autorit e shtyn lexuesin në një udhëtim imagjinar të jashtëzakonshëm. Ndihet gjithandej një pagabueshmëri në rrjedhën logjike të ngjarjeve.

Fati i gjithsecilit personazh lidhet me një mekanizëm të çuditshëm me shenjën e karakterit të gjithsecilit, duke u prirur fateve të tyre me një natyralitet të habitshëm si të ishte destinacioni hyjnor. Delikatesa e përshkrimeve, duke ua lënë në dorë në mënyrë të pareshtur lexuesve simpatinë ose gjykimin mbi heronjtë veprës, është shenja e një talenti të pazakontë. Habitesh sesi pas çdo inskenimi të ngjarjes, që lëvrohet nga veprimet dhe transmetimet e drejtpërdrejta të emocioneve në vepër, pas çdo dialogu, hera-herës gjen vetëm një ose dy fjali autoriale, që si me “penelata” të zhdërvjellëta na prezanton me personazhet, ndërsa gjithçka tjetër nuk na jepet më nga rrëfenja e autorit, por ka gjetje specifike të transfiguruara në monologë të brendshëm ose dialogë energjikë që i japin imagjinatës sonë në një kohë të shkurtër mesazhe të shumëfishta.

Edhe kur do që të shpreh një mendim autorial, Skifter Këlliçi nuk e përvetëson atë, çdo pjesë e fantazisë së tij, ose ide bëhet pjesë e ideve dhe fantazive të personazhit, çfarë ka zbuluar mes dokumenteve historike kthehen në përsiatje të heronjve të veprës së tij, si në rastin ku pika e referimit të ngjarjeve shprehet si përsiatje e Avni Rustemit: “Kjo ishte Shqipëria-një ngastër toke, që ai mund të mbulonte në një hartë të botës me dy gishta të dorës.

Tokë e kreshpëruar, male, shpate dhe brinjë të sakatuara prej vitesh e vitesh, pak fushë, brez i gjelbër i kësaj toke, stoli e varfër e një trupi prej asketi, e, megjithatë kaq e dëshiruar, kaq e lakmuar, si të ishte një oazë midis shkretëtirës, ose diçka më shumë, një shteg që të shtyn ta zësh, ta kesh tëndin me çdo kusht, sepse që andej, hedh vështrimin thellë, gjithnjë më thellë.”  Që në fillim romani nis me dialogë të shkathët dhe të sigurt, nuk sqarohen as situatat me shënime të autorit, por vetë monologët vihen në funksion të kuptuarit të mëvonshëm të situatave, para shërbejmë si nyja kompozicionale. Jo vetëm dialogët dhe kthesat befasuese që marrin herë pas here bisedat mes personazheve, por edhe stilemat gjuhësore janë pjesë e rëndësishme që aktivizon të shijuarin e leximit.

Le të citojmë disa fragmente që mbartin fjalorin e ri të shkrimtarit Skifter Këlliçi: “fliste me mirakandje për Anglinë”; “Ajo tejshkonte hovëzueshëm tërë trupin”; “mbeti një grimëherë”; “e pushtoi një vrullim zemërak”; “rrahu të ndërmendte”; “gaz çurgues”;  “burrëvdekur”; “një grua vetanake, kurmsfilitur”; “pyeti ai me miradijë”; “një buzagaz i njomështitur rreziti fytyrën e Sarrajit”; “një shtrigan fatkeqësimbarsur”, etj, etj. Ky roman, me një shtrirje tematike universale, që mbart edhe dashurinë e autorit për gjuhën, që mbart edhe magjinë e rrëfimit, edhe fantastiken e stilit, a nuk është një atentat mbi mediokritetin?!!
 
Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë